Kohët e fundit, sidomos me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, gjermanët i kanë dhënë botës ‘schadenfreude’, një mundësi për të gëzuar dhe qeshur për fatkeqësinë e dikujt tjetër, dhe me arsye. Dhe Evropa Jugore nuk mund të ishte më e lumtur se sa është.Domethënë, për vendet që kaluan vite e vite nën sulmin e ‘inkuizicionit’ fiskal evropian të udhëhequr nga Gjermania, nuk ka moment më të mirë. Dhe përveç kësaj, ironia është se Gjermania qëllimisht e ka vënë veten në këtë pozicion dhe nuk e ka idenë se si të dalë, vlerëson Politico në analizën e saj. Një vendim mahnitës i Gjykatës Kushtetuese në fillim të këtij muaji e bëri të pavlefshëm thelbin e programit legjislativ të qeverisë gjermane, duke tronditur opinionin publik. Për të anashkaluar kufizimet e vetë-imponuara të Gjermanisë për çdo deficit, koalicioni i kancelarit socialdemokrat Olaf Scholz është mbështetur në një rrjet “fondesh speciale” jashtë buxhetit kryesor. Scholz ishte i bindur se qeveria mund të mblidhte para pa shkelur të ashtuquajturën frenat e borxhit. Megjithatë, gjykata me sa duket nuk u pajtua. Masa e gjykatës e detyroi qeverinë të ngrijë shpenzimet e reja dhe të pezullojë votimin e buxhetit të vitit të ardhshëm.
“Frenimi i borxhit”
Pothuajse dy javë pas këtij vendimi, duket që nuk ka rrugëdalje të lehtë. Pritshmëria në Bundestag është që Scholz të gjejë shkurtime të mjaftueshme për të riparuar vrimën aktuale prej 20 miliardë eurosh që vendimi ka hapur në buxhetin e vitit të ardhshëm, por jo shumë më tepër se kaq. Ndërkohë, qeveria e tij është në krizë. Ndërsa ministri i ekonomisë Robert Habeck nga partneri i koalicionit të Gjelbërit paralajmëroi dëshpërimisht të gjitha palët se e ardhmja ekonomike e Gjermanisë varet në balancë, ministri i Financave Christian Lindner shkaktoi panik dhe konfuzion duke njoftuar një seri ngrirjesh shpenzimesh të keqpërcaktuara. Të enjten, qeverisë iu desh të mohonte një raport se shkurtimet do të preknin një fond special të krijuar për të forcuar forcat e armatosura të Gjermanisë pas pushtimit rus të Ukrainës. Midis rreshtave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë sugjeruan se përdorimi i fshehtë i fondeve nga koalicioni Scholz përfaqësonte mashtrime të mbajtjes së kontabilitetit, i njëjti lloj ‘alkimie’ kontabël që bëri që Berlini “t’i tërhiqte veshin” Greqisë më shumë se një dekadë më parë.
Arroganca përfundon në deja vu
Për vendet e eurozonës me një histori të kohëve të fundit të problemeve të borxhit – një grup që përfshin Greqinë, Spanjën, Portugalinë dhe Italinë – situata financiare e Gjermanisë është ndoshta një lloj déjà vu. Që nga viti 2010, vendi është gjetur në pozitën e palakmueshme për t’i shpjeguar Wolfgang Schäuble , ministrit të financave të Angela Merkel , se si ata planifikojnë të kthehen në rrugën e stabilitetit fiskal. Me këshillën e Schäuble, Greqia pothuajse tërësisht e hoqi euron. Në muajt e fundit, Gjermania ka marrë edhe një herë rolin e policit fiskal në Bruksel, ku zyrtarët po negociojnë një kornizë të re për rregulloren e shpenzimeve qeveritare të eurozonës, të njohur si Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes. Berlini është skeptik për t’u dhënë vendeve të tjera të eurozonës shumë hapësirë për të manovruar në shpenzime. Konfuzioni i fundit buxhetor sigurisht që s’do t’i ndihmojë gjermanët të luftojnë për kauzën e tyre.
Dilema e Gjermanisë
Në thelb, nuk ka asnjë arsye objektive që Gjermania të gjendet në një dilemë nëse kjo është një krizë e vërtetë, apo siç besojnë disa, ndryshe nga Habeck, një krizë e rreme borxhi. Vlerësimi më i lartë i kreditit të vendit do të thotë se Berlini mund të marrë hua me kushte më të mira se pothuajse çdo vend në planet. Arsyeja e vetme pse Gjermania nuk mund të shpenzojë para nga fondet speciale nuk është sepse nuk mund t’i përballojë ato, por sepse ajo mbetet e lidhur verbërisht me një ortodoksi fiskale pothuajse fetare që e sheh borxhin deficit si një rrugë drejt shkatërrimit. Ndërsa vende si Greqia dhe Spanja luftuan me financat e tyre publike në vitet që pasuan, ‘frenimi i borxhit’ të Gjermanisë duket si një zgjidhje largpamëse.