Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta zhvilloi dje një takim me strukturat e Qarkut të Beratit ku tha se “ky qark është më i diskriminuari nga qeveria për sa i përket investimeve në infrastrukturë”. Meta tha se një nga shtresat më të persekutuara nga kjo Qeveri është ajo e pensionistëve. “Pensionistët sot po përballen jo vetëm me vetminë, për shkak të braktisjes së vendit dhe largimit masiv të të rinjve, por është kategoria më e ekspozuar dhe më e prekur nga rritja e çmimeve. Pensionistët në zonat urbane janë vjedhur dhe vazhdojnë të vidhen nga Qeveria e “Rilindjes” me 7000-8000 lekë në muaj, ndërsa ata në zonat rurale me 3000-4000 lekë në muaj”. Sipas tij, ata janë të përjashtuar tërësisht nga përfitimi për sa i takon rritjes ekonomike. “Pensionistët do të kenë vëmendjen e veçantë të Partisë së Lirisë. Ne jemi të vendosur të bëjmë indeksimin e plotë të masës së pensionit, duke llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë. Ne jemi të vendosur të bëjmë rritjen e pensioneve në nivelin real të rritjes ekonomike”, deklaroi Meta. Ai shtoi se do të bëhet mbulimi i plotë financiar i të gjitha barnave që përdoren nga pensionistët dhe të përshkruara me recetë mjekësore si dhe do të mbulohen të gjitha shërbimet mjekësore dhe të infermierisë për pensionistët me probleme shëndetësore. Gjithashtu, Meta u shpreh se “Berati, në vend që të shkëlqente për sa i takon zhvillimit dhe treguesve ekonomikë, është një nga qarqet më të prekura nga shpopullimi”.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë