Në një ceremoni të zhvilluar sot në Institucionin e Presidentit të Republikës, Kryetari i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani, i dorëzoi dekretin e dhënies së shtetësisë shqiptare akademikut, poetit e prozatorit, eseistit e profesorit të letërsisë, Nënkryetarit të Parlamentit të Kosovës, Sabri Hamiti. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin familjarë dhe figura të rëndësishme të jetës akademike dhe kulturore të vendit si Kryetari i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti dhe akademiku Kolec Topalli, Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, studiues dhe përkthyes, mësimdhënës e shkrimtarë, etj.
“Sot nëpërmjet një akti, dekretit të dhënies së shtetësisë shqiptare Akademik Sabri Hamitit dua të shpreh mirënjohjen dhe nderimin e shtetit tonë për një figurë simbolike të ruajtjes së identitetit kombëtar. Një mision ky i realizuar përmes veprës së tij të shumanshme mbi 35 vëllime, të qëndresës, intuitës dhe vizionit erudit, në të cilën ideologjia naimiane ‘Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar’ është kudo e pranishme, ndaj të dashur miq, ky dekret bashkon përmbajtjen me formën", u shpreh Nishani.
Në kontekstin e asaj që bëri elita e Prishtinës nga vitet ’70 e këtej, e cila faktorin shqiptar së pari e shndërroi në faktor kulturor e pastaj në, faktor politik në ish-Jugosllavi, në kohë dhe rrethana të vështira, Sabri Hamiti ky bashkëudhëtar mendimesh, kauzash dhe betejash me Ibrahim Rugovën u shndërrua në njërin prej udhëheqësve të rezistencës shpirtërore, kulturore dhe politike në kapërcyellin e dy shekujve për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Të dashur miq,
Pavarësia e Kosovës ishte një projekt madhështor, ideator dhe frymëzues, të cilit është edhe Sabri Hamiti. Ajo mund të quhet me emrin që meriton – Rilindje moderne shqiptare. Në kontekstin e kësaj fryme Sabri Hamiti, të cilin fati e lëndoi, por e shpëtoi nga plumbat e makinës vrastare të Millosheviçit, ka ndërtuar në bashkëkohësi simbiozën impresionuese të njeriut krijues, të mendimtarit e të veprimtarit politik, që është shfaqur në botën shqiptare, atëherë kur sfidat kanë qenë të skajshme, themelore e ekzistenciale, qëndresë ose zhdukje, i lirë apo i nënshtruar, qysh nga Bogdani e deri te Rugova.
Gjergj Kastrioti-Barleti padyshim simbiozë, shenja identitare të studimeve të tij janë për të dhe sugjerim për të gjithë, në të njëjtën kohë, referenca evropiane të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi, sepse Kastrioti dhe Barleti siç Hamiti na e pohon, e kanë krijuar përgjithmonë paradigmën e njeriut e të heroit kulturor shqiptar. Veprimtarë, politikanë, referenca etike dhe intelektuale si Sabri Hamiti, të cilët me jetën dhe veprën e tyre të bashkuara në një, si ndërgjegje e kohës sonë, mishërojnë Kosovën shembull përpjekjesh për liri kombëtare dhe të Pavarësisë, të fjalës dhe shkrimit, të shtetit dhe të standardeve, të kombësisë dhe integrimit, janë po kaq pjesë e kësaj paradigme, garanci e njësisë shpirtërore, gjuhësore e kulturore shqiptare, e po kaq garanci e një Kosove evropiane.
Personalisht e shoh Sabri Hamitin, në këtë 65-vjetor të tijin, të konfirmuar pikërisht këtë muaj, tanimë, nënshtetas shqiptar i përkufizuar nga kjo botë amtare, njëherësh si homo poeticus, homo meditans e homo politicus, të cilin nuk duam t’ia marrim aspak Kosovës, por t’u japim të gjithë shqiptarëve legjitimitetin për t’u ndier njësoj krenarë për një vlerë kombëtare.”
Pasi mori në dorëzim nga Presidenti Nishani, dekretin e firmosur të shtetësisë shqiptare nga Kreu i Shtetit, Akademiku Sabri Hamiti u shpreh, tepër i emocionuar: “I nderuari dhe i çmuari zoti President i Republikës së Shqipërisë, sot kam marrë nderimin më të madh që kam marrë deri më sot. Kjo sepse tërë atë që kam mundur të bëj, mendoj që e kam bërë për të krijuar atë që edhe ju e përmendët njësi shpirtërore dhe kulturore shqiptare. Mendoj që kjo është Alfa dhe Omega, edhe kulturore edhe historike e shqiptarëve që në dy dekadat e fundit promovoi një emancipim të tyre në të gjitha trevat. Ju e përmendët në fjalën tuaj identifikimin e tipit në naimian. Po të gjithë ne jemi nxënës të rilindësve edhe në kuptimin emocional dhe në kuptimin atdhetar – nacional. Për një poet tjetër më i vonshëm se Naimi, por sigurisht i burimësisë Naimiane, Lasgush Poradeci thoshte: Më pat lindur vendi i Zotit, bëj punën e njeriut. Atë që i madhi na jep tutje, na jep të bëjmë punën e njeriut, në kuptimin edhe filozofik edhe në kuptimin personal. Pra, të punojmë aq sa mundemi që shqiptarët, siç janë historikisht, gjeografikisht evropianë, të jenë edhe politikisht të tillë.
Ju faleminderit edhe njëherë zoti President për nderimin e madh që më keni akorduar përpara këtyre njerëzve të nderuar të Shqipërisë, të cilët shumica prej tyre në punët e mia me gojë apo punët e mia me shkrim të punës së shqiptarëve dhe të shqiptarisë i kam pasur o miq, o bashkëpunëtorë, o mbështetës të mi dhe këtë trashëgimi që ju ma dhatë sot mua unë do ta bëj sigurisht trashëgimi të familjes, të brezit që vjen dhe që i kam këtu para meje”.