Artistët e grupimit “Muri” edhe ekspozitën e dytë këtë vit me punët e tyre do ta hapin jashtë Tiranës. Piktori Adrian Devolli thotë se kjo vjen dhe për shkak të mungesës së sallave për ekspozita, çka ka bërë që këta artistë të kërkojnë hapësira në qytete të tjera. Në intervistën për gazetën “SOT” piktori Adrian Devolli flet për aktivitetin e artistëve pamorë dhe problemet që ata hasin për të prezantuar veprat e tyre. Piktori thotë se për ekspozitat e artistëve ka munguar interesi nga institucionet. Piktori dhe restauratori Adrian Devolli është marrë edhe me restaurime të veprave të artit. Ai shprehet se sot institucioni që është marrë me monumentet e kulturës nuk është më si më parë në punën e tij, pasi nuk ma më njerëz si dikur. Adrian Devolli një piktor i diplomuar në Akademinë e Arteve (1979) dallohet për stilin e tij modern, me të cilin ka lënë gjurmën e tij në art. Nga viti 1979 deri më 1987 ka qenë restaurator pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, më pas nga viti 1987 deri më 1991 ka qenë pranë GKA. Aktiviteti i tij është me projekte restauruese në Manastirin e Ardenicës, si dhe në bashkëpunim me restauratorë të tjerë në Kishat e Bregut, Mborje të Korçës, etj. Adrian Devolli veç ekspozitave personale, ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
-Në muajin shkurt u hap ekspozita e grupimit artistik “Muri” në galerinë “Vilson Kilica” të qytetit të Fierit. Ekspozita e radhës këtë vit e artistëve të grupimit artistik “Muri” kur do të jetë?
Ne pas ekspozitës që hapëm në galerinë e artit në Fier do të kemi të radhës gjatë muajve të verës, besojmë në korrik do hapim ekspozitën në galerinë e qytetit të Vlorës. Ne po vijojmë me ekspozita nëpër qytetet e Shqipërisë ku ka galeri arti, pasi në Tiranë është shumë e vështirë për salla me punët e artistëve. Në Tiranë nuk ka më vende, Muzeu Historik Kombëtar siç e dimë do ketë një projekt ku do të ndërhyhet. Salla e ekspozitave te Muzeu Historik Kombëtar është me veprat e fondit të GKA-së, por dhe vetë muzeu do ketë punime dhe do mbyllet siç dhe u njoftua dikur. Në Tiranë galeria FAB e Universitetit të Arteve ka programin e saj dhe është një galeri e shkollës. Galeria e Artit Tiranë ka kalendarin e saj. Galeria Kombëtare e Arteve është mbyllur se po kryhen punime. Pra nuk të ofrohet asgjë për aktivitetet që duan të bëjnë artistët pamorë. Artistët pamorë janë të braktisur për shkak të indiferencës së shtetit, këta artistë që kanë mbetur të brezit tonë do ikin dhe nuk do ketë më. Këta njerëz duhet të paktën mos t’i përdhosin, mos t’i shtyjnë larg. Duhet të kishin menduar një hapësirë për ekspozita. Një sallë me kushte modeste, por dhe këtë nuk e kanë menduar. Ne menduam të jemi në majin korrik për shkak dhe të sezonit turistik, ku për këtë u bisedua me galerinë e Vlorës dhe ata na ofruan mundësinë për ekspozitën tonë të radhës.
-Në Vlorë do të ketë sërish punë që janë të reja nga artistët?
Sigurisht që grupimi i artistëve “Muri” në ekspozita sjell punime të reja për publikun dhe kjo i mban dhe artistët të karikuar, mos bien në letargji. Çdo ekspozitë që ne do bëjmë do të ketë punime në pikturë, që nuk janë ekspozuar më parë. Grupimi ynë vijon me 12 artistë ashtu si kemi qenë më parë.
-Ju jeni një grupim me artistë të njohur, por ekspozitat që po hapni realizohen nga ju apo keni ndihmë nga institucionet, a keni aplikuar për projektin tuaj?
Ne çdo gjë e bëjmë me paratë tona dhe nuk kemi mbështetje financiare, ku edhe katalogët i bëjmë po vetë. Unë në këtë moshë që jam nuk mund ta pranoj dot talljen. Dikur kemi aplikuar në dhe në bashki, por nuk mund ta pranoj dot talljen nga disa njerëz që nuk kanë respekt për asgjë, për krijimtarinë e disa artistëve që kanë kontribuar në këtë vend. Nuk mund të rri dot si lypës pas derës. Janë ata që duhet të vijnë te ne si artistë, të kishin numrat tanë të telefonave dhe të vinin nëpër studiot tona të shikonin veprat, çfarë po bëjnë artistët? Le të merren me tallavanë, Big Brother, etj, se kjo Shqipëri aty ka përfunduar, më keq nuk ka.
-Ju përmendët pak më lart Muzeun Historik Kombëtar ku pritet të ketë një projekt ndërhyrje. Por ju dhe të tjerë artistë më herët jeni shprehur se duhet të ketë transparencë dhe të ketë deklarata zyrtare nga ministria, ku deri tani nuk ka. Pse ky shqetësim për projektin?
Edhe unë si shumë të tjerë kam kontributin tim në MHK. Arsyet pse do mbyllet Muzeu Historik Kombëtar e dinë ata që e do e mbyllin, por kështu nuk veprohet në një shtet normal. Edhe në diktaturë ka më tepër transparencë, sepse thuhej çfarë do bëhet? Muzeu Historik Kombëtar siç ishte dikur një njoftim do mbyllej rreth 4 vite për ndërhyrjen, po cilat janë arsyet, çfarë do ndodhë me projektin, çfarë do behet me objektet, si do jenë procedurat, etj, këto të jenë të shpjeguara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që në fillim.
-Ju më parë jeni shprehur se duhet më shumë vlerësim, botime për artistët e njohur shqiptarë që kanë dhënë kontributin e tyre në art. Vërejtjet tuaja kanë qenë në drejtim të institucioneve në vend. Sipas jush, çfarë ka sjellë ky mos vlerësim?
Këtu asnjëherë nuk është bërë gjë dhe nuk besoj se do të bëhet. I kam shprehur shqetësimet e mia dhe më përpara dhe nuk besoj se do të bëhet gjë. Për ata njerëz që sakrifikuan shumë për këtë vend edhe unë që po sakrifikoj për këtë vend apo dhe të tjerë artistë nuk ka asnjë lloj mirënjohje. Nuk ka mirënjohje për ata njerëz që themeluan Galerinë Kombëtare të Arteve, nuk ka një kolanë me autorët përpara luftës. Ka vetëm fjalë boshe në ministrira superboshe, ku flitet për gjëra koti dhe që duhet të jenë ministri fiktive, pra de juro, de facto nuk ndodh asgjë. Unë dhe të tjerë artistë të artit pamor jemi shprehur herë pas here për vlerësimin që duhet për artistët, mbështetjen ndaj tyre, por nuk duan t’ia dinë fare, nuk dëgjohet zëri i artistëve. I pëlqen niveli i ulët. Në nivelin e ulët ndjehen rehat. Kjo stimulon shoqërinë, dhe shoqërinë shqiptare e ke sot që është për të ardhur keq, me formate emisionesh nëpër televizione që është turp për t’i parë. Nuk kanë lidhje me zhvillimin kulturor të një kombi, por kanë lidhje me degjenerimin shpirtëror të një kombi.
– Piktor dhe restaurator ju jeni marrë më parë dhe me restaurime të veprave të artit. Nga viti 1979 deri më 1987 keni qenë restaurator pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës. Por pse tani keni vërejtje për Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, që u formua nga bashkimi i dy institucioneve të mëparshme në varësi të Ministrisë së Kulturës, përkatësisht nga Instituti Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. Çfarë shikoni problem?
Më parë quhej Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimri”, që sot është kthyer në një institucion me emër tjetër dhe problemi aty janë njerëzit. Në atë institut dikur kishte njerëz me një ego të madhe, me një dashuri të madhe për shkencën, kishte një “garë” shpirtërore ku ata njerëz atje punonin dhe jashtë orarit punës, nëpër biblioteka, bënin artikuj, bënin studime, bëheshin projekte të mëdha për restaurimin e kishave. Nuk e bëjnë dot më sepse nuk ka më njerëz si dikur, është një institut de juro, se de facto nuk prodhon më gjë. Merren njerëz të cilët nuk punojë aty, thirret ndonjë që mund të bëjë projekt si Adrian Çene që është djalë i zoti, restaurator shumë i mirë, por nuk është organikën e IKTK. Në IKTK nuk ka më njerëz si dikur dhe ka vetëm emrin.
-Ju herë pas here keni shprehur rëndësinë e kritikës në art. Çfarë po ndodh?
Pa kritikë nuk mund të bëhet art. Kritika në art është udhërrëfyesi jo vetëm për artistët, por dhe për njerëzit, sepse ata nëpërmjet kritikës në art e bërë nga njerëz profesionistë, njerëz që kanë studiuar orientohen se cilat janë vlerat e vërteta në art. Fatkeqësisht në formë paradoksale në diktaturë kishe një kritikë brenda në të gjithë normave të diktaturës, pra ekzistonte, ndërsa sot në demokraci nuk ekziston kritika në art. Pse? Sepse artistët shqiptarë nuk e pranojnë dot kritikën në art.
-Në vitin 2022 u bë me dije një vendim i qeverisë së Kosovës për blerjen e veprave të artit të artistëve vendorë, por një fond i tillë është pohuar nga artistët këtu që të jetë dhe në Shqipëri. Ju dhe të tjerë piktorë e keni shprehur shqetësimin që Galeria Kombëtare e Arteve ka vite që nuk blen më vepra arti për të pasuruar fondin e saj, sa është kjo problem?
Në Shqipëri unë nuk e di të kemi një fond të veçantë për të blerë vepra arti GKA. Nuk ka një këshill artistik. Mungo kritika te ne. Edhe nëse do akordohet një fond, çfarë do blejnë? Kush do ta vendosë se çfarë do të blejnë për GKA? Kjo kërkon që të kishte një kritikë arti që nuk ekziston më. Në mungesë të saj të kishte një këshill artistik nga njerëz të cilët janë të fushës dhe i kuptojnë vlerat artistike dhe do të përcaktonin. Kush do t’i blejë apo do vendosë vetëm titullari.
Intervistoi: Julia Vrapi