Letërsia shqipe e traditës dhe sidomos letërsia bashkëkohore janë fusha kryesore të punës së prof. Ali Aliu. Në 90- vjetorin e lindjes, një jete plot pasion e kontribute në letra e mendimin shqip, Ali Aliu u nderua në një aktivitet dedikuar jetës së tij, në Akademinë e Shkencave, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Ali Aliu lindi më 1934 në Kranjë të Prespës. Shkollën tetëvjeçare e filloi në vendlindje dhe e kreu në Manastir më 1951, ndërsa Shkollën Normale në Shkup më 1955. Studimet universitare (albanologji) i mbaroi në Beograd në vitin 1960. Pas studimeve zuri punë si gazetar në redaksinë “Flaka e vllaznimit” në Shkup. Prej vitit 1969 deri në vitin 1972 punoi redaktor në Edicionin e Botimeve “Rilindja” në Prishtinë. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës më 1973 duke mbrojtur tezën “Jeta dhe vepra e Petro Markos”. Që nga viti 1972 deri në pensionim ishte ligjërues, docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, përkatësisht në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, për lëndën Teori e letërsisë. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i saj. Është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë. Ka drejtuar disa kandidatë në tema magjistrature dhe doktorature. Ka shkruar dhe tekste shkollore për teorinë e letërsisë. Ishte njëri nga themeluesit e LDK-së në vitin 1989 dhe anëtar i Kryesisë së saj në dy mandate, deri në vitin 1995. Ka drejtuar zyrën e Kosovës në Tiranë (1991). Ka ligjëruar mbi 10 vjet si profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ali Aliu është bartës i disa mirënjohjeve, siç janë: Çmimi për librin më të mirë të vitit, Kritika letrare, botuar nga Sh.B. “Rilindja”; Çmimi “Dimitar Mitrev” të SHSHM për librin më të mirë me kritika Shtegtim metafore për vitin 2007; Çmimin “Onufri” akorduar nga festivali “Poeteka”, Durrës; Çmimi republikan “11 Tetori”; Çmimi “Krenaria e Prespës”, ndarë nga Shoqata “Prespa na bashkoi”, Çikago; Çmimin special për kritikë nga Shoqata e Shkrimtarëve Lezhianë, si dhe Çmimin “Azem Shkreli” për vepër jetësore në letërsi që ia ndau Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës në vitin 2015. Është dekoruar “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë