“Anonimi i Venedikut” vjen në skenën teatrore me aktorët e njohur Hervin Çuli dhe Adelina Muça. Një romancë e jashtëzakonshme dashurie! Për të gjithë ata që duan të përjetojnë emocione të papërsëritshme, që duan të qeshin dhe të qajnë, që dashurojnë por edhe urrejnë, për tre net vjen në skenë “Anonimi i Venedikut” me regji nga Hervin Çuli, vepër e autorit Giuseppe Berto. Ish-partnerët bëhen bashkë për të vënë në skenë veprën “Anonimi Venedikut”, por që sipas tyre përcjell dhe mesazhe për shoqërinë tonë. Regjisor dhe aktor në vepër Hervin Çuli tregon se te “Anonimi i Venedikut” është një çift, një romancë e jashtëzakonshme dashurie që ka brenda edhe tragjiken edhe komiken, ka dhe dashurinë ka dhe urrejtjen. “Një romancë dashurie e një çifti të divorcuar që ritakohen pas tetë vjetësh dhe bëjnë një udhëtim në Venecia, duke rikujtuar kohët e kaluara ku zihen si gjithmonë, dashurohen si gjithmonë, por personazhi kryesor i veprës mashkulli ka kërkuar këtë takim, sepse ai është duke vdekur pasi është me kancer. Dhe një nga mesazhet kryesore që ka vepra është që jeta duhet jetuar për aq kohë sa jemi mirë, sa jemi gjallë dhe nuk duhet ta shpërdorojmë shpeshherë me ekstreme banale të kota. Por është dhe një mesazh për këto ngjarje të mëdha që ndodhin sidomos në vendin tonë, ku kemi krimin në familje, krimi në çift që është bërë një plagë e madhe shoqërore në Shqipëri”, thotë Çuli regjisor. “Anonimi i Venedikut” i përket çdo çifti dhe familje. Aktore në vepër Adelina Muça shprehet se ashtu si ata të dy e gjejnë veten në këtë histori, ashtu do e gjejë edhe publiku. “Mendoj që qoftë ky bashkim në këtë bashkëpunim teatror, qoftë dhe marrëdhënia jonë personale me njëri-tjetrin jep dhe një shembull të mirë për të gjithë ata të cilët edhe kur ndahen, ndahen jo mirë me njëri-tjetrin. Ashtu si ne të dy e gjejmë veten në këtë histori, ashtu do e gjejë edhe publiku. Mesazhi që japim përmes kësaj shfaqjeje është që nuk është e thënë që dy njerëz të jenë të destinuar të vdesin bashkë, por nëse është një cikël i mbyllur, atëherë secili mund t’ia nisë nga e para”, thotë aktorja Adelina Muça që tashmë ka krijuar një jetë të sajën. Ajo është e dashuruar me njeriun, që siç shprehet dhe vetë ka zgjedhur për të kaluar jetën e saj.
Vepra në skenë
Shfaqja “Anonimi i Venedikut” do të vihet në skenë te salla e madhe te “ArTurbina” në datën 31 maj, 1 dhe 2 qershor. Por si regjisor Hervin Çuli ka marrë dhe një sukses vite më parë me veprën. Ai thotë se këtë vepër e rikthen pas 23 vitesh, por arsyeja sipas tij është dhe vajza e tyre Noah. “Veprën e kam vënë dhe 23 vjet më parë me aktorët Luiza Xhuvani dhe Fatos Sela, ku dhe u mirëprit nga publiku. Arsyeja që e riktheva është që do të luajë dhe vajza jonë Noah në shfaqje. Ka qenë shumë e rëndësishme që vajza jonë që tani mbush14 vjeç do të jetë pjesë e shfaqjes. Por besoj që dhe me Adelinën ne kemi kaluar një copëz të rëndësishme të jetës sonë që kemi dhe një fëmijë bashkë. Tashmë pavarësisht që ne nuk jemi më një çift si dikur, por jemi kolegë dhe miq të mirë dhe kjo është dhe një lloj inspirimi ta vë veprën sërish në skenë, që nëpërmjet mesazhit tonë japim edhe një mesazh për të gjithë çiftet e tjera, për të gjithë të dashuruarit dhe të urryerit e tjerë”, thotë Çuli. Dy artistët e njohur Hervin Çuli dhe Adelina Muça që kanë një aktivitet teatror të vlerësuar, tashmë secili prej tyre ka krijuar dhe jetën e tij.