Koncerti recital me dy artistët Arven Pjetri në violonçel dhe Kledia Toshi në piano sjell vepra nga tre kompozitorë të njohur botërorë. Një program i zgjedhur për publikun vjen këtë mbrëmje në sallën e “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, që përmban J. S. Bach-Suite No. 3; Ernest Bloch-Suite No.3 dhe Johannes Brahms-Sonata op. 38. Violonçelisti Arven Pjetri dhe pianistja Kledia Toshi që vijnë këtë mbrëmje me një koncert recital gjithashtu janë të dy pedagogë pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”, por këtë mbrëmje ata do të jenë në skenë për të dhuruar një koncert të veçantë për publikun, që bëhet gjithashtu dhe pjesë e jetës artistike të Tiranës. Violonçelisti Arven Pjetri tregon se këtë mbrëmje në program janë veprat e tre kompozitorëve të ndryshëm të muzikës klasike, duke filluar që nga Bach, Brahms dhe Bloch. “Kemi menduar për ti përshtatur instrumentit të violonçelit pjesën e parë të koncertit që luhet violonçel solo që është suita e tretë e Bach dhe suita e tretë e Ernest Bloch, që janë dy kompozitorë të ndryshëm, por në brendësinë e tyre kanë një lidhje shpirtërore shumë të ndjeshme. Pjesa tjetër e koncertit do të zhvillohet me një nga dy sonatat që Brahms ka shkruar për violonçel dhe piano, por po flasim për një kompozitor që jemi në maksimumin e romantizimit të muzikës klasike”, tregon artisti Arven Pjetri.
Koncerti në vijim të aktivitetit artistik
Tingujt e violonçelit dhe pianos përmes një koncerti recital, por Arven Pjetri shprehet se është zgjedhur që pjesa e parë të jetë violonçel solo dhe e dyta violonçel pianoforte, që publiku të arrijë të përcaktojë mirë pjesën e instrumentit, pjesën e luajtjes së tingullit, të timbrit që është nga notat më të ulta dhe ato që janë notat më të larta. “Bach është një nga kompozitorët që i përmbledh të gjithë këto aspektet sa i përket këtij lloj tingulli dhe mënyrës të luajturit në instrument”, thotë Pjetri. Kledia Toshi jep mësim për piano në Liceun Artistik “Jordan Misja”, por bashkë me violonçelistin Pjetri kanë qenë dhe me të tjera koncerte me të tjerë artistë. Violonçelisti Arven Pjetri vjen në këtë koncert recital pas atij më parë me kuintetin e violonçelave. Sipas artistit ishte një koncert i rrallë. “ Ishte një koncert me pesë mësues të violonçelave që jemi në Liceun Artistik “Jordan Misja”, që arritëm të ngremë një program dhe e realizuam vetëm me violonçela”, tregon ai. Jeta artistike e kryeqytetit përmban aktivitete të ndryshme të cilat angazhojnë artistët tanë, por sa i takon dhe pjesës së muzikës klasike duket që dhe publiku nuk mungon. Janë koncerte që publiku i ndjek me shumë interes duke duartrokitur dhe artistët që marrin pjesë. Arven Pjetri pedagog pranë Liceut Artistik dega-Violonçel, por studimet, diplomën dhe pjesën e masterit e ka kryer në Itali në Genova në konservatorin “Niccolo Paganini”. Pjetri është i njohur gjithashtu me angazhimet dhe me teatrin në vendin tonë apo dhe me orkestra të ndryshme si në Shqipëri edhe jashtë.