Historitë dhe vuajtjet në ish-burgun famëkeq të Spaçit në Mirditë vijnë përmes një ekspozite. Ekspozita “E Kaluara e Tashme” u hap në Spaç me 49 portrete dhe 49 rrëfime të ish të burgosurve politikë. Skulpturat në ekspozitë janë të realizuara nga artisti Kristian Zara. Ky është aktiviteti i fundit i projektit Kultura për Zhvillim të Qëndrueshëm: Potenciali i Pashfrytëzuar, i financuar nga BE-ja përmes EU4Culture dhe i zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Kuratorë të ekspozitës në Spaç janë Arnen Sula dhe Kristian Zara. Në tekstin e tyre kuratorial ata shprehen se qëllimi i kësaj ngjarje është të shfaqë punën e kryer me 49 ish të burgosur politikë të ish Burgut të Spaçit, të cilët janë ende në jetë, si dhe të krijojë mundësinë e diskutimeve të drejtpërdrejtë midis tyre dhe vizitorëve. “Përgjatë dy muajve, Tek Bunkeri udhëtoi në 8 qytete të Shqipërisë ku u takua me më shumë se 60 ish të burgosur politik nga të cilët arriti të krijoj 49 portrete dhe 49 regjistrime të historive personale të përjetuara në ish burgun politik të Spaçit në Mirditë. Qëllimi i ekspozitës është të treguarit e kësaj pjese të historisë shqiptare me anë të krijimit të një skulpturë monumentale e cila do të qëndrojë përgjithmonë në Spaç. Gjithashtu kjo skulpturë qëndron si një akt kulturor i cili u jep zë të gjithë të përndjekurve politik dhe zhvillimit tonë demokratik ende në integrim të vazhdueshëm shoqëror”, thuhet rreth ekspozitës. Ekspozita dallon në qasjen e saj qasje artistike ndërlidhëse. Të gjithë vizitorët angazhohen në një akt kulturor të heshtjes dhe kujtesës (niveli horizontal), në kombinim me ekspozitën dhe librarinë njerëzore. Aktiviteti u zhvillua rreth tre temave: kujtesës, përjetimit dhe reflektimit. Sipas kuratorëve, ekspozita “E Kaluara e Tashme” është rezultat i një procesi që hulumton katër aspekte të shpërndarjes shoqërore aktuale: Ekzistenca e Trashëgimisë Kulturore, Gjurmët e Të Kaluarës, Komunikimi Ndërbreznor, dhe Arti për të thyer fenomenin e Kulti i Individit. “Kjo qasje synon të angazhojë audiencën në një moment kolektiv reflektimi, duke u përqendruar mbi rëndësinë historike të Spaçit. Ekspozita ka për synim të ndërthurë artin, trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin e përbashkët, duke e transformuar Spaçin në një hapësirë të përkohshme për meditim”, thuhet nga kuratorët. Gjithashtu sipas tyre, ekspozita është një akt kulturor, i cili shpreh rëndësinë e Spaçit për t’u kthyer në një muze të vazhdueshëm të kujtesës, reflektimit dhe lirisë.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë