Shqipëria në “Eurovision 2024” përfaqësohet me këngëtaren Besa Kokëdhima, e cila do të performojë në natën e dytë të gjysmëfinales. “Eurovision” shënon këtë vit edicionin e 68-të të tij dhe mbrëmë shënoi natën e parë në Malmo të Suedisë. Gara e këngës që ka mbledhur këngëtarë nga shtete të ndryshme pas natës së parë më 7 maj, vijon në natën e dytë më 9 maj si dhe mbrëmjen e 11 majit që është nata finale. Pas hedhjes së shortit është përcaktuar se Besa Kokëdhima do të jetë e 2-ta në radhë të enjten e 9 majit. Vetëm 20 shtete do të zgjidhen nga dy gjysmëfinalet për të vijuar më pas në finalen e madhe, ku do t’iu bashkohen 5 shtetet e përhershme finaliste dhe vendi mikëpritës këtë vit që është Suedia. Në natën e parë në garë përmendim shtete si Lituania, Irlanda, Serbia, Anglia, Islanda, Gjermania, Sllovenia, Finlanda, etj. Më 9 maj që është dhe nata e dytë gjysmëfinale konkurrojnë 16 shtete, ku përmendim Shqipëria, Malta, Greqia, Zvicra, Austria, Armenia, Gjeorgjia, Belgjika, Norvegjia, Holanda, Estonia, etj. “Eurovision Song Contest” po zhvillohet në Malmo të Suedisë pas fitores së vendit në konkursin e vitit 2023 me këngën “Tattoo” nga Loreen. “Eurovision” këtë vit vjen me prezantimin e aktoreve të njohura Malin Akerman dhe Petra Mede. Petra Mede vjen si prezantuese e “Eurovision-it” për herë të tretë. Për herë të parë, ajo drejtoi konkursin e mbajtur në Malmo në vitin 2013 dhe tre vjet më vonë ajo priti konkursin me fituesin e “Eurovision” Mons Selmerlov në Stokholm. Nga gjysmëfinalja, dhjetë finalistët vlerësohen nga vota e publikut. Një vit më parë, Albina dhe Familja Kelmendi me këngën “Duje” që përfaqësuan Shqipërinë kaluan në finalen e “Eurovision 2023”.
Nga Festivali në RTSH në skenën e “Eurovision”
Besa Kokëdhima me këngën “Zemrën n’dorë” në Festivalin e 62 të Këngës në RTSH mori votat e publikut për të përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 68-të të “Eurovision” që po të mbahet në Malmo të Suedisë. “Zemrën n’dorë” është me muzikë nga Kledi Bahiti, Besa Kokëdhima dhe teksti nga Rozana Radi, Petrit Sefaj. Që kur këngëtarja më parë mori biletën e “Eurovision”, ajo bëri me dije se do të bëjë disa ndryshime në këngë. Dhe tashmë titulli i ri që i vuri këtij projekti është “Titan”, teksti Gia Koka. Muzika Kledi Bahiti, Gia Koka, Besa, Alias Lj. Më herët Besa zbuloi dhe ekipin e saj krijues për “Eurovision 2024”. Ajo zbuloi se drejtimin artistik të “Titan” në skenën e Malmos do ta marrë Fredrik Benke Rydman, një regjisor dhe koreograf, shoqëruar nga Melissa Thompson dhe Reija Ware. Festivali Evropian i Këngës ( Eurovision Song Contest) shkurt i njohur si “Eurovision” është një konkurrim ndërkombëtar muzikor evropian, i cili zhvillohet çdo vit, që nga viti 1956. Në këtë eveniment marrin pjesë kryesisht vendet anëtare të Bashkimit Evropian të Radio-Televizioneve (EBU), së cilës i përkasin edhe disa vende jashtë Europës si Australia, Izraeli, Turqia dhe Maroku. Për këtë qëllim çdo shtet pjesëmarrës ka të drejtën të prezantojë një këngë në këtë festival muzikor.