Grupet artistike të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, shqiptarët e Malit të Zi dhe Arbëreshëve këtë mbrëmje do të shpalosin një mozaik kulturore me vlerat më të mira muzikore, koreografike dhe entografike. “Folk Fest” këtë mbrëmje do të sjellë në skenë grupet artistike me repertor të përzgjedhur artistik, në një natë dedikuar 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ministria e Kulturës organizon koncertin festiv, ku më herët në rrjete sociale dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehej se do të festohet me vlerat më të mira të folklorit tonë. “Festojmë së bashku, nën flamurin kuqezi!”, shkruante ministrja Margariti. Këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të performojnë Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore-Shqipëri; Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”- Kosovë; Ansambli i Këngëve dhe Valleve të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut; ansambli arbëresh “Shqiponja”, shoqata Rapsha-Malit të Zi, grupe folklorike nga e gjithë Shqipëria. Pjesë e koncertit do të jetë këtë mbrëmje dhe kënga-himn “Mora fjalë” nga Shkurte Fejza shkruar nga kompozitori Naim Gjoshi.
Më herët në faqen e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës thuhej se “Folk Fest” vjen me një valëzim pafund ngjyrash e motivesh, ku arti e historia miksohen së bashku, ku tradita e vlerat zgjojnë mesazhe krenarie kombëtare. “Kostumet mbresëlënëse popullore do të mahnisin, si gjithëherë, në performancën më të bukur të 28 nëntorit, “Folk Fest” ku talenti dhe shpirti i gëzueshëm i Shqiptarisë do të shpaloset në një mozaik të rrallë kulturor, me vlerat më të mira muzikore, koreografike, etnografike të krijuara në shekuj, në një spektakël plot jetë të dhuruar nga grupet artistike të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, shqiptarët e Malit të Zi dhe Arbëreshëve”, thuhet për këtë koncert. Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar.