Koncerte me grupe të muzikës jazz nga vendet e Ballkanit dhe Europës vijnë për publikun në edicionin e katërt të festivalit ndërkombëtar “Balkan Jazz Showcase 2024”. Festivali që nis këtë mbrëmje në Tiranë bëhet pjesë e jetës artistike, por përmes tingujve të muzikës jazz (xhaz). Qëllimi i këtij festivalit që këtë vit shënon edicionin e katërt në vendin tonë është dhe promovimi i muzikës jazz ballkanike si dhe mbështetja e krijimtarisë jazz shqiptare, duke pasuruar jetën artistike të Tiranës dhe duke i shtuar asaj një vlerë evropiane të artit muzikor jazz. Realizuese e festivalit është “Albania Jazz Society”, me drejtor artistik Gentian Rushin. Në prag të edicionit të katërt të festivalit drejtori artistik kompozitori i njohur Gentian Rushi thotë se muzikën xhaz e bëjnë individualitete. “Vijnë koncerte me artistë të rinj. I gjithë programi është i ri. Këtë lloj muzike e bëjnë individualitete. Nuk është si muzika pop që është standarde, kjo ka kreacionin brenda”, thotë drejtori artistik Gent Rushi. Përgjatë 3 netëve 10-12 maj 2024 do të organizohet në Tiranë “Balkan Jazz Showcase 2024” me koncerte me grupe të muzikës jazz nga vendet e Ballkanit dhe Europës, por sipas drejtorit artistik Gent Rushi ka dhe grupe që janë me shumë muzikantë. “Këtë vit janë grupe të reja artistë që nuk kanë performuar më parë në Shqipëri. Por karakteristikë e këtij edicioni është që do të ketë dhe grupe të mëdha me pjesëmarrje të madhe muzikantësh, ku janë dy grupe që kanë më shumë se dhjetë muzikantë”, shprehet ai, ku grupet këtë vit vijnë nga Greqia; Maqedonia e Veriut; Shqipëria; Mal i Zi; Serbia dhe Gjermania janë këtë vit në festival.
Objektivat e festivalit
Janë rreth 60 festivale të tilla në të gjithë Europën. Showcase Festival ndihmon muzikantin dhe kënaq audiencën, është vendi ku profesionistët takohen me krijuesit, kombinon shfaqjet publike me konferencat e industrisë muzikore, promovon artistët pjesëmarrës dhe nxit artistët e rinj. Lajtmotivi i eventit do të jetë karakteri universal i muzikës; muzika si realitet që mundëson komunikimin duke superuar kufijtë. Deri tani janë realizuar me sukses tre edicione të këtij festivali, por drejtori artistik Gent Rushi ndalet dhe te objektivat kryesore të “Balkan Jazz Showcase 2024”. “Mbështetje e shkëmbimit artistik dhe krijimtarisë jazz midis vendeve të Ballkanit perëndimor dhe Europës si dhe zhvillimin e tregut muzikor Ballkan/Europë nëpërmjet pjesëmarrjes së drejtorëve të festivaleve jazz nga vendet e Ballkanit dhe disa vendeve Europiane. Edukimi i brezit të ri nëpërmjet artit, nëpërmjet master classeve të organizuara në Universitetin e Arteve me studentët. Pasurimi i jetës artistike të Tiranës me një festival ndërkombëtar të muzikës jazz”, thotë ai. Festivali që nis sonte zhvillohet në sallën “Black Box”, Universiteti i Arteve. Mbështetës të festivalit janë Universiteti i Arteve, Bashkia Tiranë dhe ambasadat e vendeve si Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, dhe Gjermania.