Gërmimet arkeologjike në kantierin e shkollës “Gjergj Kastrioti, Durrës” kanë sjellë zbulimet e reja të Durrësit antik. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bën me dije se gërmimet në këtë fazë na kanë dhënë një panoramë të veçantë të organizmit urban të zonës, ku me siguri kemi të bëjmë me një pjesë të qytetit ku banonin shtresat elitare të shoqërisë. Sipas IKTK, kjo konsiston në ndërtime me një arkitekturë të zhvilluar e faktuar së fundmi dhe nga dalja në dritë e gjurmës të një pishine të brendshme të një vile të periudhës romake, e para e llojit të saj e zbuluar nga gërmimet arkeologjike në Shqipëri, e cila është e dekoruar në të gjithë sipërfaqen e saj me afresk të një niveli të lartë artistik shumëngjyrësh. “Unikaliteti i kësaj strukture qëndron dhe në dyshemenë e saj të shtruar me një mozaik të ruajtur shumë mirë, me motive gjeometrike, të punuar me tesera mermeri, guri, qelqi dhe qeramike. Në afërsi të pishinës, është zbuluar një monument hidrik i përbërë nga dy vaska të cekëta të shtruara me llaç hidroizolues”, shprehet IKTK. I gjendur këto ditë në Durrës për gërmimet arkeologjike të shpëtimi, arkeologu Luan Përzhita thotë se në ditët në vijim ato do të vijojnë në gjithë territorin aty. “Përveç mozaikut që është diçka që ende në qytetet tona nuk është zbuluar, është edhe veshja e kësaj pishine me afreske që natyrisht i kanë dhënë një pamje kësaj ngrehine, ndërtese dhe që ka ngjyra të jashtëzakonshme. Por me rëndësi është dhe datimi i saktë që kemi marrë deri tani kur kemi tërmetin e shekullit të katërt. Kemi gjetur shumë rrënoja që janë të kësaj periudhe dhe janë zbuluar dhe disa monedha që flasin për shekullin e katërt kur ka ndodhur kjo ngjarje. Në ditët në vijim do të vijojnë gërmimet në të gjithë territorin që është 1200 metra katrorë”, thotë Përzhita.
Zbulimet në pjesën veriore dhe perëndimore të kantierit të ndërtimit
Në pjesën veriore të kantierit të gërmimit u zbulua një dysheme me tulla, me përmasa të mëdha e cila mund të jetë dyshemeja e një terme, duke marrë parasysh krahasimet me ndërtimet e ngjashme të periudhës në Mesdhe. Po ashtu vijon IKTK janë evidentuar disa linja muresh që lidhen me kompleksin arkitektonik të zbuluar në këtë sektor. “Lartësia e konsiderueshme e ruajtjes së tyre na lë të nënkuptojmë që ky monument mund të ketë qenë i ndërtuar me dy kate. Me shumë interes janë zbulimet në pjesën perëndimore , ku do veçonim fragmente të dekorimit të mureve dhe tavaneve të vilës, të punuara me stuko me motive të ndryshme, antropomorfe dhe floreale. Edhe këtu gjurmët e afreskut nuk mungojnë. Nga gërmimi është identifikuar dhe kanali kullues i ujërave të shiut i ndërtuar me pllaka qeramike”, thuhet në materialin e IKTK. Sipas IKTK, gjetjet arkeologjike na vendosin në periudhën e shekujve I-IV të erës sonë me pikën kulmore të zhvillimit të monumentit në shekujt I-II e.s. Arkeologët mendojnë që kjo vilë u shkatërrua nga tërmeti i shekullit IV e.s, i cili përmendet në burimet antike.