Ligji për kinematografinë do të ketë përmirësime. Politikat e reja në fushën e kinematografisë do të synojnë më shumë drejt prodhimit, shpërndarjes së filmit, etj. Pas njoftimit më parë se Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të ketë një riorganizim pas së cilës do të fillojë dhe mbështetja për krijimtarinë kinematografike në vend, nga Parisi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja u shpreh dhe për përmirësimet në ligjin për kinematografinë. Ministri Gonxhja foli për përditësimet në ligjin e kinematografisë, ndërsa ishte i pranishëm në festivalin e filmit europian “L’Europe autour de l’Europe”, ku u shfaqën filmat shqiptarë “”Duel i heshtur” (Dhimitër Anagnosti, 1967) dhe”Horizonte të hapura” (Viktor Gjika, 1968). Edhe pse sipas ministrit Gonxhja ligji aktual qëndron, duhet të shihet më shumë drejt politikave të reja. “Ne do të kemi një qasje të re sa i takon ligjit të kinematografisë. Ai është një ligj që qëndron, por ka nevojë për përditësime. Ka nevojë që të shohim shumë më fort drejt prodhimit, drejt shpërndarjes, drejt të drejtave të filmit, autorëve, drejt politikave të reja, formulave të reja që vijnë edhe nga ekonomia, që vijnë dhe nga statusi i ri i portofoleve të MEKI-t drejt kulturës për mënyra të reja financimi në mënyrë që të kemi një mundësi më të madhe për talentet e reja në Shqipëri dhe kjo nuk mund të ndodhi dot pa njohur dhe pa respektuar si gjithmonë rrënjët, historinë, traditat e kineastëve të shquar si rasti i aktivitetit që jemi sot”, tha ministri Gonxhja ndër të tjera. Ligj për kinematografinë në vendin tonë i takon vitit 1996, ku janë bërë disa përmirësime vite më pas. Ligji aktual përcakton bazat dhe parimet e organizimit, drejtimit dhe zhvillimit të kinematografisë (si forma e të shprehurit artistik) dhe mbështetjen ekonomike nga shteti.
Diplomacia kulturore dhe diaspora
Nga Parisi, ministri Blendi Gonxhja u shpreh dhe për diplomacinë kulturore. Ministri Gonxhja tha se ashtu sikundër diplomacia ekomomike për MEKI-n duhet të jetë në fokus dhe diplomacia kulturore, që nuk mund të realizohet dot pa rolin e diasporës. “Do të mundohemi që të krijomë mekanizma jo vetëm ligjorë, por dhe formula të reja të organizmave, të cilat mund t’i ofrojnë diasporës besim dhe mundësi që të angazhohet në të gjitha mënyrat në kulturën dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare”, shprehet ministri Gonxhja. Për pjesëmarrjen në këtë aktivitet në Paris ministri Gonxhja ka ndarë në faqen e tij dhe një video, ku shprehet për rëndësinë e shfaqjes së filmave shqiptarë në “L’Europe autour de l’Europe”. “Përpiqemi që të bëjmë shkëmbime që të mund të ketë një bashkëbisedim, të mund të ketë një njohje të kulturave si mes kineastëve klasik ashtu dhe mes tyre bashkëkohorë, por dhe të kulturave të vendeve të ndryshme mbi filmin”, thotë ministri i MEKI-t. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit i prezantoi në Paris dy filmat shqiptarë në festivalin e filmit europian “L’Europe autour de l’Europe” në një program kurimin e të cilit ia besuan kineastit Roland Sejko. “”Duel i heshtur” (Anagnosti, 1967) dhe”Horizonte të hapura” (Gjika, 1968) u shfaqën në 11 prill në kinemanë Studio des Ursulines, si pjesë e programit THEMA: Takime & Ngjarje, ku 2 regjisorët shqiptarë Anagnosti dhe Gjika u prezantuan krahas 2 regjisorëve të tjerë të mëdhenj të kinemasë europiane.