Gramoz Burba ka një jetë me polifoninë në aktivitetin e tij. Janë me dhjetëra turnetë që Burba ka bërë bashkë me vokalistë të ansamblit brenda e jashtë vendit, para e pas viteve ’90-të, ku është kujdesur që të promovojë edhe polifoninë tonë. Në intervistën për gazetën “SOT” artisti i njohur Gramoz Burba vjen me një rrëfim nga fillimet e tij në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, krijimi i grupit “Zadeja”, performimi në skenën e Sanremos dhe turnetë ndër vite. Gramoz Burba në vitin 1982 u angazhua në TKOB dhe në 1988 filloi pranë Ansamblit Popullor. Drejtues i grupit vokal “Zadeja” dhe ish pjesëtar i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Burba thotë se janë mirëpritur nga publiku në çdo skenë si brenda vendit, por dhe në turnetë që kanë zhvilluar jashtë si në Paris, Marsejë, Pragë, etj. Për grupin “Zadeja”, Burba tregon se krijimi i tij u bë në momentet kur ndodhën dhe ndryshimet në vendin tonë dhe në Ansambël mbetën një grup i vogël artistësh në kor. Sot me këtë grup, Burba tregon se po zhvillojnë një aktivitet të larmishëm artistik, ku gjatë verës do të jenë dhe në skenat e huaja. Gramoz Burba ndalet dhe të vështirësitë që hasin artistët në aktivitetin e tyre, ku sipas tij duhet përmirësuar kuadri ligjor në vend. Por shqetësuese për artistin e njohur është se kërkesat e artistëve për ligjin e ri, statusin e artistit, etj, vijojnë të rrinë në sirtarë të ministrisë që drejton artin dhe kulturën.
-Grupi “Zadeja” është krijuar vite më parë dhe po vijon aktivitetin me koncerte brenda dhe jashtë vendit. Si u krijua ky grup dhe çfarë mund të na thoni më shumë mbi punën që bëhet me aktivitetin artistik?
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore me ndryshimet pas viteve ’90 në vendin tonë pësoi deformime të thella dhe kryesisht në aspektin organik të tij. Duke qenë se mbetëm një grup i vogël artistësh në Korin e Ansamblit ne duhet që ti përshtateshim kushteve të reja dhe kryesisht u fokusuam te kënga polifonike labe. Në këtë kuadër u krijua dhe ky grup brenda shoqatës “AlbaFolk”, e cila është drejtuar nga unë për gati 25 vjet. Me këtë grup ne kemi filluar aktivitetet e para si brenda dhe jashtë vendit. Numërohen dhjetëra koncerte jashtë shtetit, por dhe pjesëmarrje në Festivalet e Gjirokastrës, si dhe në koncerte të tjera brenda vendit. Grupi më pas u zgjerua me ish artistë të AKVP kryesisht këngëtarë dhe formuam dhe grupin koral “Tirana”, që ruante traditën e repertorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore me krijimet më të mira të tij. Ne kemi qenë pjesëmarrës në olimpiadën botërore të koreve, ku kemi fituar çmimin e dytë, kemi qenë pjesëmarrës në Barcelonë, Austri, Gjermani, etj. Por lëvizjet më të mëdha dhe ftesat që vijën në adresën tonë janë për grupin polifonik “Zadeja” krijuar në 1995. Në vijim të aktivitetit në muajin korrik ne do të jemi në Zvicër me tre koncerte, si në Zyrih dhe qytete të tjera.
-Si priteni nga publiku në koncertet që zhvilloni në shtete të tjera?
Kënga polifonike që është bërë vlerë botërore dhe ruhet nga UNESCO ka interes për publikun e huaj, qoftë për ta njohur apo për tingëllimin artistik që ka. Publiku kudo që ne jemi i mirëpret koncertet tona dhe sallat i kemi pothuajse plot, por ne tregojmë interes dhe për të shpjeguar tekstet dhe legjendat e shumta në këngët popullore. Bëhet një bashkëbisedim përveçse koncertit me publikun. Është një interes shumë i madh, përderisa ne si grup vazhdojmë të kemi ftesa për të performuar vazhdimisht. Dhe gjatë verës ne bëjmë koncerte në pikat turistike kryesisht në Itali dhe Francë, ku turnetë zgjasin disa ditë me koncerte. Por ajo që na bën çudi është që ne në vendin tonë themi u rrit numri i turistëve dhe këtu aktivitetet pothuajse janë minimale. Në Shqipëri ka institucione artistike, ka artistë të shumtë që gjatë verës rrinë dhe pa punë dhe nuk ka një organizim si duhet për të gjallëruar jetën në ditët e plazhit.
-Në verën që kaloi pati një kalendar me aktivitete, kryesisht nga institucionet tona gjatë sezonit veror…
Vjet pati një kalendar me koncerte dhe aktivitete të tjera, por jo të krijohet një traditë që të jenë sa më të shumta. Këtu kërkohet një bashkëpunim më i mirë midis ministrisë që merret me Kulturën dhe bashkive të ndryshme që aktivitetet të zënë një vend të rëndësishëm gjatë sezonit veror.
-Ju ideuat dhe mbajtët me Ansamblin Popullor në skenë recitalin “Shqipëria ime” një vit më parë. Si lindi ideja e këtij koncerti?
Idenë e mbajtjes së këtij koncerti recitali e kam pasur prej më shumë se dy vitesh, për shkak dhe të afrimit të moshës sime në pension. Mendoja që ta mbyllja me një koncert të tillë. Duke qenë se unë kam rreth 40 vite eksperiencë pune, në këtë spektakël pretendimet e mia ishin që të jepja më të mirën e eksperiencës sime.
-Ju për gati 40 vjet keni qenë në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Sot si e shikoni ansamblin?
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore është në një moment jo të mirë për arsye të krijimtarisë dhe të investimeve të pakta. Mungojnë prurjet e reja dhe është një problem i madh, që lidhet dhe me reduktimin e numrit të artistëve të Ansamblit Popullor. Nga 96 vetë që kishte Ansambli Kombëtar në kohën kur kam filluar punë tani është katandisur në 30-35 veta, duke pasur parasysh që këtu operohet me tre sektorë, grupi i valleve, grupi i orkestrës dhe grupi koral. Janë në parametra të zhdrejtë profesionalë. Kjo e bën të pamundur që të organizosh një shfaqje dinjitoze. Në ansambël duhet të shtohet numri i artistëve dhe duhet të jetë rregullimi i organikave. Ansambli nuk është individ. Individi është në funksion të grupit dhe grupi në funksion të individit. Është Ansambël Kombëtar jo lokal dhe duhet të përfaqësojë të gjitha trevat e Shqipërisë. Ky mozaik vlerash e bën atë të jetë interesant dhe i pëlqyeshëm nga publiku. Por dhe bashkëpunimi me kompozitorët, me koreografët duhet të jetë më i madh që të ketë dhe prurje dhe risi.
-Herë pas here autorë të muzikës, thonë që duhet stimuluar më shumë nga institucionet krijimtaria. Çfarë ka sjellë kjo?
Duhet të ruajmë një balancë midis tregut dhe institucioneve të artit në vend. Nëse një këngë vlen përshembull 1 mijë euro në tregun privat, në institucion shkon te 20 mijë lekë të reja. Pra nuk ka interes që të shkruajnë, kështu dhe për vallet, etj. Trajtimi i veprave muzikore është shumë më i dobët nga pikëpamja financiare.
-Ju gjatë kohës në AKVP jeni angazhuar dhe me sindikatën e artistëve, ku keni pohuar probleme të ndryshme, si ligji i artit që duhet përmirësuar, statusi i artistit, etj. Kanë kaluar vite dhe ende artistët flasin për kërkesat e tyre. Çfarë ka munguar sipas jush?
Statusi i artistit u bë 25 vjet që po kërkohet. Janë bërë studime, etj, dhe asgjë. Mund të jenë këto studime dhe kërkesa nëpër sirtarët e Ministrisë së Kulturës, por asnjëherë nuk u mor seriozisht kjo punë apo të ulej dikush që ta formulonte dhe të bënte diçka të pëlqyeshme për artistët. Vërtetë janë rritur rrogat, por nuk është gjithçka, sepse është kuadri ligjor që duhet. Ligji për artin, statusi i artistit që mbron dhe e bën artistin të ndihet i qetë në punën e tij. Tek ne kuadri ligjor ka mungesa dhe nuk di të jetë marrë dikush në institucione seriozisht me ligjin e ri të artit apo statusin. Sindikata e Artistëve me drejtuesit e saj është përpjekur, është mundur brenda mundësive të saj që të gjejë gjuhën e përbashkët me drejtues të institucioneve. E ka bërë deri diku punën, por rezultati është ky që shohim.
-Rrugëtimi juaj artistik ka nisur dekada më parë me këngën polifonike. Por jeni ngjitur dhe në skenën e Festivalit të Sanremos në Itali. Ishte viti 2006, ku ju me korin polifonik shoqëruat në skenë këngëtaren Anna Oxa. Çfarë ruani nga ai moment?
Për ne që e kemi ndjekur Çelentanon, Morandin, etj, Sanremo ka qenë një ëndërr. Ishte viti 2006 ku iniciator ishte Ardit Gjebrea për këtë performim. Natyrisht pati efektet e veta atë kohë, sepse Anna Oxa ishte dhe figurë shumë e njohur në Itali dhe grupi iu bashkëngjit. Ne shoqëruam një këngë të Anna Oxa-s, kemi qenë një grup me artistët Bardhyl Xhafka, Armaldo Kllogjeri, etj. Atmosfera ishte e bukur. Por publikun italian ne nuk e kemi ndjerë vetëm në Festivalin e Sanremos, pasi unë numëroj mbi 50 koncerte në Itali me publik italian. Sa herë që jemi shfaqur në skena na kanë pritur me mjaft interes.
-Me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore ju keni gati katër dekada aktivitet. Por ju në reagimet tuaja herë pas here e keni theksuar disiplinën artistike që duhet. Çfarë ka ndodhur ndër vite?
Kur kam filluar në Ansambël para viteve ‘90 ishte një rrogë fikse dhe njerëzit mund të shtyheshin me të. Por disiplina artistike, kërkesat artistike ndaj vetes, përgjegjësia ndaj institucionit, përgjegjësia ndaj skenës këto nuk kanë të krahasuar. Konkurrenca ishte e madhe brenda sektorëve me njëri-tjetrin. Vetëm konkurrenca artistike e çon përpara. Konkurrenca të jetë profesionale. Ka pasur konkurrencë brenda artistëve, konkurrencë te kompozitorët, por mbi të gjitha ishte disiplina artistike. Por kur shprehem disiplina artistike kjo lidhet pak dhe me kritikën e artit që i bëhet një vepre apo një interpretimi. Sot kritika në art është jashtëzakonisht dobët, nuk funksion. Kjo sjell një kënetë që gjithsekush mburr veten pa e merituar të lavdërohet apo dhe disa foto apo materiale në rrjete sociale dhe kush merr like. Kjo nuk ka lidhje me kritikën artistike. Vaçe Zela kishte kaluar dhjetra komisione dhe kritika muzikore. Nuk doli Vaçe Zela e tha unë jam më e mira. Sot janë vipa që si njeh kush e nuk kanë asnjë kontribut, nuk i njeh kush as në art as në jetën shoqërore. Nuk ka një model të shëndoshë që ti referohesh.
Intervistoi: Julia Vrapi