Veprat e kompozitorit të mirënjohur Haig Zacharian janë luajtur në ngjarjet e rëndësishme të jetës muzikore në Shqipëri, si dhe në Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Itali, Austri, Spanjë. Ka kompozuar gjithashtu këngë për fëmijë, korale, muzikë filmash dhe aranzhuar shumë pjesë të muzikës klasike dhe romantike për ansamble të ndryshme. Në intervistën për gazetën “SOT” kompozitori i shquar Haig Zacharian vjen në një rrëfim për jetën e tij, rruga me krijimtarinë muzikore, puna me muzikën e filmave apo dhe momentet më të veçanta në aktivitetin e tij artistik. Kompozitori i njohur ndalet dhe te puna si pedagog me të rinjtë e arteve apo dhe si i shikon sot shkollat artistike. Në aktivitetin e kompozitorit Haig Zacharian janë dhe 30 filma artistikë shqiptarë, muzika e të cilëve mban emrin e tij. Kompozitori thotë se ka qenë një punë që është bërë me shumë përgjegjësi dhe filmi më i fundit për të cilin ka shkruar muzikën është ai me titull “Këtu vallëzohet me hijet”, që ka premierën më 16 maj në kinema. Por sa i takon zhvillimit të muzikës së re, kompozitori Zacharian ashtu si dhe më parë shpreh se duhet më shumë vëmendje nga institucionet tona. Kompozitori thotë se veprat muzikore nuk mund të rrinë në sirtar dhe duhet të ketë programe të mirëmendura për krijimtarinë. Zacharian ndalet dhe te përfaqësimi i Shqipërisë në “Eurovision”, por shprehet dhe se çfarë ndodh sot me festivale e këngës. Haig Zacharian një ndër autorët më të veçantë, më të vlerësuar e të shquar në muzikën shqiptare, i nderuar shpesh edhe me çmime të ndryshme për krijimtarinë dhe aktivitetin e tij muzikor pak ditë më parë festoi dhe ditëlindjen e tij.
-Profesor pak ditë më parë festuat ditëlindjen tuaj. Në 8 maj morët shumë urime. Si kaloi ky përvjetor për ju?
Ta kujtojnë njerëzit që ke ditëlindjen se nuk të shkon mendja vetë (qesh). Në datën 8 maj kur ishte ditëlindja ime, po atë datë e festonte dikur dhe Kujtim Laro. Kur ai ishte mirë ne e festonim bashkë. Kjo është e veçanta e çdo ditëlindje. Sa herë vjen data ime, më vjen mirë që kam pasur atë miqësi me Kujtimin një kompozitor i paparë në lëmin e krijimtarisë shqiptare, shumë i veçantë, i frymëzuar, njeri pozitiv. Të gjithë ne që banojmë në këtë truall, është nder që kemi përjetuar ditëlindjen bashkë me atë, megjithëse e ka bërë një shkrim të bukur dhe profesoreshë Holta Sina.
-Një moment i veçantë ka qenë dhe në vitin 2022, ku mbrëmjen e 14 majit, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u zhvillua një koncert kushtuar pedagogut, profesorit, njeriut të mirë, të mençur e të paqtë Haig Zacharian siç shkruan dr. Holta Sina. Çfarë ju dhuroi ai koncert?
Atë vit në 8 maj 2022 unë festova 70-vjetorin dhe pak ditë më pas u bë një aktivitet në Akademinë e Shkencave që për mua është më i bukuri, që tregon që çfarë bëjnë kolegët për njëri-tjetrin. Unë nuk dija asgjë. Ata i kishin marrë veprat e mia, kishin menduar koncertin, etj.
-Nga 1969-1973 ju keni ndjekur studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve) në klasën e kompozicionit me prof. Tonin Harapi. Nga ILA kanë dalë kompozitorë që kanë një aktivitet të vlerësuar, mes tyre dhe ju. Por krahas shkrimit të muzikës, ju keni vijuar dhe si pedagog pranë Fakultetit të Muzikës në UA. Mësimdhënia te formimi i brezit të ri në fushën e muzikës, çfarë ju ka falur?
Unë nuk e kisha menduar ndonjëherë veten që do të jem mësimdhënës. Ne patëm një praktikë të shkurtër në dy vitet e fundit, sepse kishte dhe mungesa në shkollat artistike dhe shumë nga ne kanë bërë mësimdhënie që student. Por nuk e kisha menduar që do të merresha dhe unë me mësimdhënie. Pasi mbarova studimet fillova punën në shtëpinë e kulturës të Hidrocentralit të Fierzës që nuk kishte lidhje me mësimdhënien. Ishin shtëpitë e kulturës ngritur pranë kantiereve të mëdha siç ishte Fierza, Vau i Dejës, Metalurgjiku, etj, dhe ishte e programuar çdo gjë dhe kjo nuk ishte keq. Kur erdhëm në Durrës patëm një favor nga Lidhja e Shkrimtarëve që në atë kohë funksiononte orari i reduktuar, në vend të punoje 8 orë bëje 5, por paguheshe sikur kishe punuar 8 orë. Unë fitova këtë status për 5 orësh-in dhe nuk mund të vijoja më në Pallatin e Rinisë, sepse atje duhej të ishe tërë ditën, kështu që u spostova te shkolla e muzikës dhe aty filloi mësimdhënia. Është një karrierë që mua më ka sjellë kënaqësi të veçanta. Ka lodhje, por do dhe përkushtim. Do pasion mësimdhënia, por të jep dhe shumë kënaqësi.
-Pedagogë të arteve kanë shprehur herë pas here problemet me shkollat e muzikës sot. Për ju çfarë po ndodh?
Në këto shkolla është çelësi i të ardhmes dhe duhet bërë shumë kujdes, por për mua ka një çoroditje.
-Pse ka çoroditje?
Në kuptimin që duam të bëjmë reforma, ti përshtatemi Europës, por seç është bërë një ngatërresë e madhe që vetëm në sajë të talentit të fëmijëve ne kemi superuar shumë situata të vështira. Për momentin gjërat dhe nuk shkojnë mirë. Shkolla është e pamundur që të mos nxjerrë talente, pasi të rinj djem dhe vajza që dhe në arenën ndërkombëtare dalin me sukses, por shkolla siç e kuptoj kërkon një prodhim masiv. Shkollat kanë probleme, por prodhimi masiv po na mungon, tani kemi talente, por me kokrra. Një fenomen që kuptoj është zvogëlimi i klasave artistike, te ne numri i atyre që pranohet është më i vogël se sa kapacitetet.
-Cila është këshilla juaj për të rinjtë, që i hyjnë rrugës së muzikës sot?
Ku është tabani ku mbështetet muzika? Tabanet janë gjëra që kanë influencuar gjithmonë krijimtarinë botërore. Nëse tani kemi një dominancë të muzikave që nuk kanë vlera por që konsumohen nga publiku, gjithsesi në historinë e muzikës këto nuk përfshihen. Në historinë e muzikës përfshihet zona tjetër e krijimtarisë profesionale, e krijimtarisë që kanë vlera me traditën, historinë, me elementë që krijojnë një kombësi, por është e vështirë ta gjesh me një fjalë. Të gjithë elementet që janë vijnë nga një trashëgimi e thellë në histori, vijnë dhe ecin përpara.
-Sa bëhet sot për zhvillimin e muzikës shqiptare, asaj serioze? Jeni shprehur dikur që veprat muzikore nuk mund rrinë në sirtar, institucionet të bëjnë programime në fushën e muzikës. Çfarë ka ndodhur që ju e shikoni si problematikë?
Nëse do të ketë interes muzika edhe zhvillimi i muzikës do të ecë përpara. Mbrapsht nuk ecet, është e pamundur. Por tani kemi shumë çështje, ku një pjesë e muzikantëve nga më të mirët janë larguar, në fakt krijuesit janë shumë pak nga ata që janë larguar, por dhe ata që punojnë këtu kanë probleme që kanë lidhje me shumë elementë që fillojnë nga mundësitë për t’i ekzekutuar veprat. Edhe muzika bëhet me programim të festivaleve, të teatrove. Asnjë institucion që e ka bazën e vet te arti muzikor nuk ka një plan financiar për krijimtarinë muzikore, fillon që nga Universiteti i Arteve. Bëjnë kur gjejnë mundësi disa pagesa për krijimtarinë vendase shqiptare, por jo se e kanë një program si në botë. Përshembull një buxhet të caktuar duhet të ketë RTSH, TKOB apo dhe bashkitë nëpër qytete, sigurisht dhe fondi i krijimtarisë duhet të jetë patjetër. Ministria e Kulturës kur zgjohet jep ca lekë dhe bën ndonjë konkurs. Është një dëshirë e shprehur copa -copa, nuk po them që ka mohim, por është një dëshirë vetëm se duhet bërë dhe kjo punë. Nuk ka një ide të qartë çfarë do bëhet me krijimtarinë? A ka nevojë ky vend për krijimtarinë e artistëve të rinj? Nuk ka kuptim që një vepër muzikore të rrijë në sirtar.
-Një nga aktivitetet e mëdha në fushën e muzikës, ishte dhe Bienalja Netët e Muzikës Klasike në Durrës që siç e dini për shkak të mungesës së financimit nuk u zhvillua. Pati shumë reagime nga artistët që shprehën keqardhje. Ju jeni marrë me Bienalen bashkë me violinistin Florian Vlashi. Por të ndërpritet një aktivitet i tillë i përmasave ndërkombëtare, çfarë sjell?
Bienalja Netët e Muzikës Klasike ka qenë më pak e financuar se aktivitetet e tjera. Ishte një javë me koncerte, të ftuar edhe muzikantë europianë. Për mua ishte një aktivitet i bukur që ndoshta duhet ta vazhdojë dhe dikush tjetër, por ishte e paimagjinueshme që mos të përkrahej bienalja. Sallat mbusheshin plot, kishte spektatorë që vinin dhe nga Tirana, kishte dhe pushues që ishin të huaj dhe vinin ndiqnin koncertet. Fakti është që nuk u preferua të financohej, por nuk e di pse.
-Këto ditë po diskutohet edhe përfaqësimi i Shqipërisë në “Eurovision”. Ju si e patë?
Nëse ne bëjmë një bilanc nuk kemi qenë keq në “Eurovison” në ato pozicione që kemi zënë me këngët tona. Atje konkurrohet me muzikantët më të mirë europianë. Historiku jonë në këtë aktivitet është relativisht i ri në krahasim me të tjerët. Problemi është që aty funksionojnë disa rregulla, që nuk janë në dorën tonë.
-Ka artistë që mendojnë që gjithçka nis që nga Festivali i Këngës në RTSH. Për ju çfarë duhet bërë më mirë me festivalin?
Unë jam me parimin që gjërat shkojnë natyrshëm, mos bëhen me porosi sidomos për artin. Nëse ne do të kemi nevojë për një festival dhe ai është një synim i publikut dhe i profesionistëve, ai do të dalë gjithmonë mirë e më mirë. Këto janë festivalet, do shkojnë natyrshëm. Nëse nuk ka krijues dhe këngëtarë të mirë do rrimë aty ku ishim, se më keq nuk shkojmë. Fakti tregon se këngëtarë të mirë dalin, kompozitorë të mirë dalin. Çështja është që mos mungojë vullneti i mirë.
-Si kompozitor keni shkruar në të gjitha gjinitë muzikore, vokale, instrumentale e simfonike, etj, por nga viti 1976 nuk keni rreshtur së kompozuari muzikë për filmat shqiptarë. Filmat si “Dollia e dasmës sime”, “E fshehta e një nate”, “Yjet mbi Drin”, “Përtej mureve të gurta”, “Një ndodhi në port”, “Njeriu i mire”, “Dora e ngrohtë”, “Kohë e largët”, “Të mos heshtësh”, “Flutura në kabinën time”, e shumë të tjerë mbajnë emrin tuaj në muzikë, që vlerësohet e pëlqehet nga publiku. Në tërë këtë krijimtari të pasur, sot çfarë mund të na thoni më shumë mbi këtë pjesë të aktivitetit tuaj, çfarë ju ka dhuruar ndër vite dhe një muzikë e bukur çfarë i jep filmit?
Muzika e parë që kam shkruar si kompozitor për film ka qenë ai me titull “Ilegalët” në vitin 1976, për të vijuar më tej edhe me filma të tjerë. I shoh me shumë interes filmat, sa nganjëherë them unë e kam bërë këtë muzikë? Kjo është jeta ashtu ka ndodh. Herë më ka dalë mirë, herë mund t’i kisha bërë më mirë. Nuk e kam bërë asnjëherë me mendimin se do bëj sukses, por me mendimin që kam përgjegjësi, sepse nëse e bëj keq i prish punë dhe shumë të tjerëve. Përgjegjësia është shumë e madhe kur punon me një film.
-Herë pas here vijon diskutimi mbi shfaqjen e filmave shqiptarë që janë prodhime para viteve ’90-të në ish Kinostudio…
Filmat kush do t’i shohë, do ti shohë. Nuk besoj që të jetë kaq problem, sa propozohen dhe projektligje, etj. Ne si vend kemi shumë probleme të tjera.
-Ennio Morricone ishte një prej kompozitorëve më të mëdhenj në botë i kolonave zanore. Kompozimet e mjeshtrit Morricone, të njohura botërisht për stilistikën e përdorur për kolonat zanore të mbi 500 filmave dhe seriale televizive erdhën përmes një koncerti në qershor 2023 në TKOB. Po për ju çfarë ishte Morricone?
Ennio Morricone është histori që nuk përsëritet. Ka kompozitorë të mëdhenj filmash, por numri i tij i filmave shkon diku afër 500 në mos gaboj. Morricone nuk përsëritet më.
– Ju keni krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës (vepra e tuaja janë luajtur në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare si dhe jashtë: Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Itali, Austri, Spanjë). Jeni shprehur se muzika është pjesë e rëndësishme e jetës suaj, si ka qenë kjo rrugë për ju?
Muzika ka qenë dhe është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime. Jam rast i veçantë mbase mund të mos isha bërë muzikant, sepse kam pasur dhe prirje për shkencat. Por rruga e muzikës vijoi. Por dhe në kohën para ’90-tës nuk kemi pasur probleme të rënda për shkak të muzikës, ka pasur debate, por jo dënime. Edhe kur është dënuar një muzikant kjo nuk ka ndodhur për muzikën.
-Profesor a jeni i kënaqur me respektimin e të drejtës së autorit në muzikë?
Kjo është një nga problemet që vijon. Ne patëm një ligj që në atë kohë në 1992 kur u krijua agjencia e parë e mbrojtjes së të drejtave të autorit, kopjuan ligjin francez që ishte më i avancuari i asaj kohe. Më pas bënë rregullime për t’ia përshtatur më mirë shqiptarëve, por pasi u bënë rregullimet nuk funksion më. Rregullime pas rregullimesh, por nuk funksion. Ne nuk kemi nevojë të shpikim gjëra në ligje, janë të gatshme. Kur duam ti ngatërrojmë shpikim gjëra.
-Filmi më i fundit muzikën e të cilit e keni kompozuar ju është “Këtu vallëzohet me hijet” me regji nga Pluton Vasi. Nuk është bashkëpunimi juaj i parë me këtë regjisor për muzikën e filmave. Si ka vijuar ky bashkëpunim?
Me regjisorin Pluton Vasi kam bashkëpunuar dhe për filmat “Maya”, si dhe “Këtu bën ftohtë” ky një filmi viteve ’90-të. “Këtu vallëzohet me hijet” është filmi i tretë i regjisorit Pluton Vasi që unë kam shkruar muzikën. Do jetë premiera me datë 16 maj dhe do jem atje ta ndjek.
-Si kalojnë ditët sot për profesor Zacharian?
Pjesa profesionale zë kohën më të madhe. Por përpiqem dhe të rri me njerëz, me shokë, t’i kaloj ato orë sa më mirë. Duhet të merresh me punë, përveç krijimtarisë dhe orët në mësimdhënie. Ikën dita shpejt. Të vjen mirë që shikon të rinj që duan të mësojnë dhe kanë talent dhe t’i përpiqesh t’i japësh eksperiencë.
Intervistoi: Julia Vrapi
Vepra e Zacharian janë luajtur në ngjarjet e rëndësishme të jetës muzikore
Më 8 maj të vitit 1952 lindi në Durrës kompozitori i shquar Haig Zacharian. Mësimet e para për piano dhe teorinë e muzikës, i mori në shkollën fillore, në qytetin e tij të lindjes. Nga 1969-1973 ai ndoqi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve) në klasën e kompozicionit me prof. Tonin Harapi. Pas diplomimit ka punuar si drejtues artistik i ansambleve amatore në H/C Fierzë, Tropojë (1973-1977). Ai u kthye në Durrës në vitin 1977, ku vazhdoi punën me ansamblet amatore në pallatin “Rinia”. Pas kësaj, nga 1980-‘86 ai u emërua mësues i lëndëve teorike në Shkollën e Muzikës “Jan Kukuzeli” të Durrësit. Ndërmjet 1986 dhe 1992 Zacharian punoi si kompozitor në krijimtari të lirë. Në vitin 1993 ai u emërua shef i Katedrës së Teorisë dhe Kompozicionit në Akademinë e Arteve Tiranë (sot Universiteti i Arteve). Haig Zacharian është vlerësuar me çmime të shumta për krijimtarinë dhe aktivitetet e tij muzikore. Pas viteve 1990 krijimtaria e tij përveç filmave është kryesisht në gjinitë e muzikës së dhomës ku duken qartë tendenca të përdorimit dhe eksperimentimit në teknikat bashkëkohore të krijimtarisë muzikore. Disa prej filmave, muzikën e të cilëve e kompozoi Zacharian: “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “E fshehta e një nate”, “Yjet mbi Drin”, “Përtej mureve të gurta”, “Një ndodhi në port”, “Njeriu i mirë”, “Dora e ngrohtë”, “Kohë e largët”, “Të mos heshtësh”, “Flutura në kabinën time”, “Vrasje në gjueti” e shumë të tjerë. Zacharian është i njohur dhe si kompozitor i pjesëve të ndryshme teatrore si në dramë ashtu dhe në komedi. Mban titullin “Profesor” që prej vitit 2013.