“FemFest” një festival aktivitetesh, me shfaqje dhe diskutime nis edicionin e tretë më 4 mars në Tiranë. Iliriana Basha themeluese e festivalit thotë se tema e “FemFest” këtë vit është “Himn për veten”. Në intervistën për gazetën “SOT” Iliriana Basha vjen me një rrëfim mbi festivalin që nisi në vitin 2022 në Tiranë dhe në 2024 shënon edicionin e tretë. Sipas saj në festival përmes artit do ti jepet zë edhe problemeve që nuk fliten. Ajo thotë se edicioni i tretë vjen me shfaqje teatrore, ekspozita dhe panele diskutimi, duke trajtuar tema të rëndësishme. Këtë vit në festival janë nëntë shfaqje, që do të jenë në skenat e teatrove në Tiranë. “FemFest” është një festival feminist arti dhe kulture i krijuar nga “Bash Art” që nisi në Tiranë në vitin 2022, ku Iliriana Basha tregon se dhe këtë vit të ardhurat e mbledhura nga biletat do të shkojnë për bursa studimi për studente te Universiteti i Arteve. Nuk do mungojnë rubrikat “FemTalk”, si edhe panelet e përditshme që do të moderohen nga figura femërore të rëndësishme të jetës publike në vend. “FemFest” ka për qëllim sensibilizimin e shoqërisë për ta ndryshuar realitetin në të cilin po jetojmë, duke synuar që gratë dhe vajzat të gëzojnë të drejtat e barabarta në çdo sferë të jetës.
-Festivali “FemFest” nis edicionin e tretë këtë vit më 4 mars në sallën e madhe të “ArTurbinës”. Shfaqje, debate e diskutime me fokus gruan. Si themeluese e festivalit, çfarë mund të na thoni më shumë mbi programin e këtij viti dhe temat që do të trajtohen në panelet e diskutimit?
Festivali “FemFest” nga data 4 deri më 8 mars vjen me shumë aktivitete. Pjesë e “FemFest” janë artiste, aktiviste, shkrimtare, politikane, etj, të cilat nëpërmjet zhanreve të ndryshme të artit do t’u japin zë edhe problemeve që nuk fliten, apo atyre që nuk dëgjohen. Me panelet e diskutimit do të trajtojmë tema shumë të rëndësishme për ne edhe si shoqëri civile, edhe si artiste dhe si gra. Në festival kemi panel diskutimi “Bashkëpunimi i qeverisë me shoqërinë civileve në raport me dhunën ndaj grave”. Sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim, sepse ne vetëm nuk ia dalim dot dhe çfarë masash ka marrë qeveria për të na dalë në ndihmë? Në vijim kemi një panel tjetër diskutimi interesant që quhet “Letër burrave”. Panelistë janë të gjithë burra që do të diskutojnë për rëndësinë e të qenurit krah grave, në luftën kundër dhunës ndaj grave. Në panel janë të ftuar zoti Silvio Gonzato ambasadori i ri i BE-së në Shqipëri, Michele Ribotta përfaqësues i UNWOMEN në Shqipëri, Neli Demi psikiatër, Genc Salihu këngëtar dhe tekstshkrues, Enkel Demi shkrimtar, gazetar dhe Lis Bukuroca shkrimtar që ka shkruar tre libra deri tani me titullin “Letër burrave”. Sigurisht gjatë festivalit kemi dhe panele diskutimi me gra sipërmarrëse, gra aktiviste, të cilat japin kontributin e tyre për këto çështje. Një tjetër panel diskutimi do të jetë “S’ka orar për dhunë dhe ngacmime në vendin e punës” apo dhe paneli “Gra që hapin shtigje”.
-Një program i pasur këtë vit, ku në 5 netët e tij vijnë dhe shfaqje teatrore ku trajtohen dhe tema të feminizmit. Në cilat skena do ti gjejë publiku?
Këtë edicion të tretë janë nëntë shfaqje teatrore. Në “FemFest” do të jetë “Nasty Beauty” që është e punuar nga regjisore gra dhe me aktore gra, ku trajton tema të feminizmit. Do të shfaqet dhe “Burrnesha”, një tekst nga autori Jeton Neziraj punuar nga Erson Zymberi që do vijnë po nga Kosova. Ndërsa sa i takon veprave nga Shqipëria do të jetë në skenë shfaqja “Gjysmë-jeta e Marie Curie” që është një dramë e fuqishme dhe frymëzuese që shpalos jetën dhe sfidat e një prej shkencëtareve më të shquara. Një tekst shumë feminist. Në program është dhe “Dhjetë vjet martesë” me regji nga Andia Xhunga, shfaqja “7 minuta” që flet për drejtat në punë me regji nga Driada Dervishi, shfaqja “Martesa me kushte” me regji nga Altin Basha, ku në role janë Olta Daku dhe Gazmend Gjoka, por pjesë e festivalit është dhe “Shtëpiakë të dëshpëruar” me regji nga Artan Imami dhe “Shi në plazh” që do jetë me regji nga Eni Jani. Por e veçanta e kësaj shfaqje është sepse Eni Jani po punon në burg me gratë e burgosura, janë ato që do të vijnë të performojnë për publikun. Në festival është dhe “Zbulimi” me regji nga Salsano Rrapi. Pesë shfaqje do të jenë në skenën e Teatrit Kombëtar, 3 në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental te “ArTurbina” dhe një shfaqje do të jetë në skenën e teatrit Metropol në Tiranë. E veçantë dhe ajo që ne bëjmë çdo vit është që të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave nga shfaqjet shkojnë për bursa për studente në Universitetin e Arteve. Këtë vit ne kemi shtuar numrin e bursave, katër jepen nga biletat dhe një bursë që e kemi nga honorari i aktorëve të “Shtëpiakëve të dëshpëruar”. Për këtë kontribut falenderoj Artan Imamin, Gentian Zenelaj dhe Indrit Çobanin. Programi përmban dhe performancën “HAVEIT” që janë një grup artistesh nga Kosova, por që për mua janë grupi më i veçantë i artisteve në trojet shqiptare me performancat e tyre. Performanca do të jetë ditën e fundit të festivalit më 8 mars. Në orën 12:00 tek sheshi “Skënderbej” do të jetë një performancë protestë për të drejtat e grave, për të bërë akoma më të fortë zërin e vajzave dhe grave.
-Çdo vit “FemFest” ka një moto dhe këtë vit vjen me “Himn për veten”. Me të njëjtin titull është dhe një ekspozitë e veçantë gjatë festivalit…
Festivali këtë vit vjen me moton “Himn për veten”, sepse dhe gratë duhet të mendojnë dhe të festojnë për veten e tyre. Kështu e kemi quajtur dhe ekspozitën “Himn për veten”, ku kemi mbledhur 19 gra nga Shqipëria, 15 nga Kosova dhe 11 janë nga Maqedonia e Veriut që janë të profileve të ndryshme. Ato janë me një ekspozitë , katalog i printuar dhe ditë kujtimesh ku kujtojmë dhe festojnë me të gjitha këto gra që kanë dalë në pension, dhe që kanë dhënë një kontribut të profileve të ndryshme në shoqërinë tonë. Ekspozita do jetë më 7 mars tek holli i Teatrit Kombëtar te “ArTurbina”.
-Një program i kuruar deri në detaje në “Fem Fest”, sa të rëndësishme janë për ju dhe mesazhet që përcjell për gratë?
Këtë vit mesazhi që duam të përcjellim: Gratë duhet të gjejnë kohë me gëzuar veten. Kur na ka ndodhur herën e fundit që kemi dalë para pasqyrës dhe i kemi i thënë vetes bravo ja dole ose bravo sot po dukesh mirë apo këtë punë e kreve shumë mirë. Me festuar me vetveten për arritjet e përditshme qofshin të vogla dhe të mëdha, por na kap rutina dhe ne harrojmë.
-Festivali kërkon angazhime, por kur nis puna për edicionin e radhës?
Puna për edicionin e radhës nis sa mbaron festivali. Bëhen 2-3 ditë pushim dhe nisim hedhim idetë çfarë do ndodhë vitin që vjen. Unë kam krahun e djathtë skenaristen Benada Mullën, por stafi jonë ka dhe të tjerë. Ne filluam vjet “FemTalk” që vijon dhe këtë vit. Do të jenë emra interesantë, gra që do flasin për përvojën e tyre, sfidat dhe tani kanë arritur në një pikë që të festojnë për vetveten. Në këto tre vite ne provojmë të jemi zëri i atyre që nuk kanë zë ose që e kanë zërin shumë të ulët. Është një shprehje nga Madeleine Albright: “Mu desh shumë kohë për ta zhvilluar zërin dhe tani që unë e kam të zhvilluar zërin tim nuk do të jem më kurrë e heshtur”. Më pëlqen shumë dhe e përdor si moto sa herë më ndodhin gjëra, që e zhvilloj zërin tim dhe më nuk hesht.
Intervistoi: Julia Vrapi