Javët Kulturore Ndërkombëtare nisën edicionin e tretë, ku për 7 muaj me radhë janë me qindra aktivitete që do të zhvillohen. Një nismë e qeverisë shqiptare dhe nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për 7 muaj me radhë, deri në nëntor, Shqipëria do të bëhet sofra dhe bota bëhet mysafiri ynë. Për ti mirëpritur ashtu siç duhet 20 shtetet pjesëmarrëse, në skenën e ngritur në zemër të Tiranës, realizuan një performancë të mrekullueshme, sa tradicionale e aq inovative, grupi i koreografit Andi Murra, “Shkodra Elektronic”, violençilisti Redi Hasa, kori iso-polifonik i grave “Zërat e Lumit” dhe kori Iso-Polifonik Shqiptar. I pranishëm në hapjen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja tha se shtetet pjesëmarrëse do sjellin në Shqipëri një sërë aktivitetesh, evente muzikore, performanca, ekspozita, shfaqje filmash, e shumë ngjarje multikulturore. “Të nderuar miq, ambasadorë, përfaqësues shtetesh e organizatash, artistë e artdashës, autoritete, kolegë e bashkëpunëtorë! Mirë se keni ardhur sot në çeljen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, që do të rrokin tërë vendin për 7 muaj rresht, deri në nëntor, nisur nga Tirana, për të mbushur salla, teatro e galeri arti, sheshe e agora qytetesh anembanë, sy e zemra, me programe të pasura aktivitetesh nga mbi 20 shtete! Kaleidoskop rrezesh e ngjyrash! Nga nesër merr jetë Java e Europës, si rrënjë dhe perspektivë e jona, e para jo pa qëllim, e shtrirë në Gjirokastër, Shkodër e Tiranë!”, tha ministri Gonxhja. Kalendari vijon me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarinë, Holandën, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA-në, Kombet e Bashkuara, Austrinë, Spanjën, Malin e Zi, Meksikën dhe Kosovën. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se Javët Kulturore Ndërkombëtare do të nisin me atë që është ambicia jonë më e madhe, Bashkimin Europian. “Ne do t’i fillojmë javët e kulturës me atë që është bashkëpunëtori ynë më i madh, adresa jonë, destinancioni ynë, ambicia jonë më e madhe, Javët e Bashkimit Europian. Do të jetë java e parë që do të hapë siparin për gjithë këto aktivitete të jashtëzakonshme që do bëjmë”, tha Veliaj ndër të tjera. Pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare për herë të parë këtë vit është bërë Meksika dhe Brazili. JKN filloi si një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës në vitin 2022.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë