Poezia do të vijë e ndërthurur së bashku me muzikën në teatrin poetik “Mall për vendlindjen”. Ideuar dhe me regji nga Justina Aliaj, në skenë bashkë me artisten e njohur do të interpretojnë dhe aktorët e teatrit “Migjeni”. Justina Aliaj rikthehet për publikun me një projekt artistik që e ka titulluar “Mall për vendlindjen” dhe tregon se pjesë janë poezitë e autorëve të njohur shqiptarë, por brenda tyre gjendet e vërteta. Për këtë teatër poetik që do të jetë këtë mbrëmje në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, këngëtarja, aktorja dhe regjisorja Justina Aliaj thotë se gjithkush e gjen veten në poezitë që do të vijnë përmes interpretimit të aktorëve. “Ne kemi punuar në mënyrë intensive për këtë projekt artistik. Temat e poezive janë nga më të ndryshmet, poetët janë nga më të ndryshmit. Kemi poezinë e Ali Asllanit gjigandin e Vlorës apo Lasgush Poradecin, Mitrush Kutelin, etj, apo Rudyard Kipling me poezinë “Në mundsh…”. Jam munduar me prek që gjithkush e gjen veten në këto poezi. Përshembull interpretojmë Pjetër Budin 1566, por është sikur e ka shkruar dje. Gjen brenda të vërtetën, sepse i ligjërojnë, i këndojnë truallit, halleve dhe derteve shqiptare në shekuj. Ishte një dëshirë e imja ky projekt, që u plotësua”, shprehet Justina Aliaj.
Artistët në skenë
Teatri poetik “Mall për vendlindje” një udhëtim thelbësor i ndjenjave dhe identitetit tonë kombëtar të ndërthurura me poezi. Një përfaqësim që na rikujton rëndësinë e rrënjëve dhe lidhjen me vendin tonë të lindjes. Interpretojnë Justina Aliaj “Mjeshtre e Madhe”, Merita Smaja “Mjeshtre e Madhe”, Rajmonda Marku, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Astrit Fani, Fritz Selmani. Me pjesëmarrjen e korit “Prenkë Jakova” dhe drejtues muzike Gjon Shllaku. Por Justina Aliaj këtë herë regjisore tregon vlerëson edhe bashkëpunimin për të sjellë këtë mbrëmje “Mall për vendlindjen” në skenë. “Ishte dëshira ime për të bërë një spektakël me poezi, që janë autorë që nga Pjetër Budi dhe bëhet fjalë për vitin 1566 e deri tek poetët e tjerë që vijnë me radhë. Jam munduar të prek brezat e poetëve, evoluimin e tyre. Ishte këndshëm, sepse në Bashkinë e Shkodrës më hapën dyert, ku unë po punoj me aktorët e teatrit “Migjeni”, por dhe unë do të përshëndes me këngën që Shkodra e do gjithmonë “Mall për vendlindjen””, thotë artistja e njohur Justina Aliaj. Këngëtarja dhe aktorja Jusitna Aliaj është një nga emrat e njohur të jetës artistike në vendin tonë, ku ka përcjellë më të mirën në vlerat artistike. Në skenë këtë mbrëmje në orën 20:00 do të ngjiten artistët, por si regjisore Justina Aliaj sjell në vëmendje dhe punën që kanë bërë për të realizuar një koncert poetik ashtu siç ajo kishte menduar më parë. “Më ka përkrahur drejtoria, por dhe aktorët më kanë kuptuar dhe kanë punuar qetësisht. Kanë kuptuar se çfarë dua unë, sepse çdo regjisor ka mënyrën e vet që drejton aktorët dhe ata kanë qenë krejtësisht të lirë me mua e unë me ata deri sa kemi arritur atë pikë që dëshiroja unë me i dhënë çdo poezie. Unë për këtë shfaqje falenderoj Bashkinë e Shkodrës me kryetarin Benet Beci”,thotë Justina Aliaj, regjisore. Justina Aliaj lindi në Shkodër, pasi mbaroi Liceun Artistik nisi studimet e larta në Akademinë e Arteve në degën e dramaturgjisë. Këngët e saj si “Mall për vendlindjen”, “Në ekranin e televizorit”, “Stacion i dashur”, “Në mbrëmjen e vallëzimit”, “Unaza”, “Unë dhe shokët e mi”, etj, mbeten të pashlyeshme ende dhe sot për publikun. Interpretimet e saj si aktore kanë qenë të shumta si te “Rrethi i kujtesës”, “Bernand Alba”, “Gratë trojane”, “Tartufi” etj.