Vepra baleti, opera apo dhe koncertet janë pjesë e kalendarit artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit këtë muaj. Aktivitetet këtë muaj të kalendarit artistik të TKOB që nisën disa ditë më parë do të mbyllen me operën “Madama Butterfly” vepër e Puçinit. Në datën 2 maj u zhvillua një koncert në kuadër të festivalit barok “AlBa”, në vijim erdhi për publikun koncerti “Si dikur”. Një vështrim në retrospektivë që solli në skenën e hollit koncertor disa nga pjesët më të bukura të kompozitorëve të shekullit XIX. Dy artistet e TKOB-së, sopranot Sonila Baboçi dhe Erjona Gjyzeli u shoqëruan në piano nga Herta Cane. Repertori i përzgjedhur përfshinte pjesë nga kompozitorët Monterverdi, Massenet, Faure, Schumann, Brahms, Rossini e shumë të tjerë. Por aktivitetet këtë muaj të TKOB janë jo vetëm në Tiranë, por dhe në skenën e Durrësit. “Flauti Magjik” opera për fëmijë e familje do të jetë në mbrëmjet datave 8 dhe 9 maj me artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Sipas kalendarit artistik të TKOB, në datën 11 maj do të jetë çelja e festimeve në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të vendit me artistët e Ansamblit Popullor. Mbrëmjet e datave 11, 12 dhe 13 maj artistët do të sjellin në skenë baletin “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, që rikthehet pas më shumë se 10 vitesh për publikun. “”Plaga e Dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, një vepër shqiptare që i ka rezistuar kohës. Me kompozim të të madhit Feim Ibrahimit, libret të Ismail Kadaresë, koreografi të Agron Aliajt, skenografi e kostumografi të Naxhi Bakallit e baletmaestër, Carlos Montalvan dhe Alisa Gjoni”, thuhet nga teatri. Mbrëmja e datës 15 maj do të ketë një tjetër koncert në kuadër të Festivalit Barok “AlBa” që vjen nën titullin “Le Sonate Barocche A3”. Në 16 dhe 17 maj do të jetë një tjetër vepër, opera për familje dhe fëmijë “Giselle” nga Adolphe Adam. Mbrëmjen e datës 17 maj sërish do të jenë në skenë artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore me një koncert në kujtim të valltares Lili Cingu. Në datën 27 maj kalendari përmban një tjetër koncert, në kuadër të Festivalit Barok “AlBa” që titullohet “Gesualdo Classic Duo”.
Opera në skenë
Opera “Madama Butterfly” vepër e kompozitorit Giacomo Puccini do të jetë në skenë në datat 26, 27, 28, 30 maj, si dhe në 1 qershor. Kjo vepër është vënë dhe hera të tjera në skenë, por këtë herë TKOB bën me dije se do të jetë produksion i ri vepra e Puccini-t. “Produksion i ri që vjen nga Festivali Puccinian në kuadër të “Vitit të Puccini-t” opera Madama Butterfly”, për t’i lënë radhën një qershori të ngrohtë”, shprehet TKOB. Opera e parë që çeli vitin e Puçinit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ishte “Il Trittico”. Giacomo Puccini (Xhakomo Puçini) lindi më 22 dhjetor 1858 dhe vdiq më 29 nëntor 1924, njihet si një nga kompozitorët operistikë më të mëdhenj të fundshekullit XIX. Giacomo Puccini shkroi 14 opera, dhe shumë këngë, të cilat janë shumë të njohura nga publiku mbarë botëror.