Festivali i Video Arkivës Shqiptare është aktiviteti i parë në kinemanë “Maks Velo”, që hapi dyert mbrëmjen e së hënës për publikun. Projektuar në Laprakë në vitet ‘70 nga vetë arkitekti Maks Velo, kjo hapësirë tashmë do të jetë e dedikuar për kinemanë dhe artin. Kinema “Maks Velo” në zonën e Laprakës në Tiranë nis aktivitetin pas një periudhe të gjatë mosfunksionimi, por drejtori i Agjencisë së Industrisë Kreative Jonid Jorgji shprehet kjo kinema rivjen në jetë gati pas tre dekadash. “Kinemaja u la në harresë për një kohë të gjatë, duke humbur funksionin dhe duke u shndërruar në një godinë pa identitet që nuk e përfaqësonte as arkitektin, as qytetin. Sot jemi të lumtur që me iniciativën e Bashkisë Tiranë dhe Agjencisë së Industrisë Kreative kinemaja rivjen në jetë pas thuajse 30 vitesh”, shprehet Jonid Jorgji drejtor i Agjencisë së Industrisë Kreative- Bashkia Tiranë. Kinemaja e re do të ketë 140 vende për publikun, ku sipas drejtorit Jorgji në këtë hapësirë të rinovuar pas Festivalit të Video Arkivës Shqiptare është menduar një program me filma dhe aktivitete të tjera në vijim. “Do të ketë program me filma çdo ditë të javës, duke sjellë një tjetër frymë në zonën e Laprakës. Nuk do mungojnë as aktivitetet kulturore me të cilat po merremi hap pas hapi në nivel organizimi”, thotë Jonid Jorgji drejtor i Agjencisë së Industrisë Kreative. Pas kinemasë “Agimi” tashmë është kinemaja “Maks Velo”, e cila pasi kaloi fazën e restaurimit kthehet po ashtu në një hapësirë e re arti në kryeqytet. Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar. U nda nga jeta në Tiranë në 7 maj 2020.
Qëllimi i festivalit
Festivali i Video Arkivës Shqiptare synon të sjellë për publikun e gjerë një panoramë të pasur të evolucionit të Shqipërisë në më shumë se 100 vite. Nëpërmjet prezantimit të materialeve video, të cilat mundësohen nga ata që marrin pjesë në këtë festival, nga organizatorët synohet që të rikthejnë kujtesën kolektive dhe të ndërtojnë një dialog të hapur rreth historisë së vendit tonë, si edhe ndërgjegjësimin për ruajtjen e arkivave personale në mënyrë efiçente. Për Festivalin e Video Arkivës Shqiptare është ngritur dhe juria, që përbëhet nga shkrimtari dhe skenaristi Ylljet Alicka, Marinela Ndria drejtore e Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit si dhe Eline Flipse regjisore. Në kuadër të festivalit u shfaq për herë të parë dhe dokumentari “70 minuta” nga regjisorja holandeze Eline Adam. Festivali po organizohet në kinemanë më të re publike të qytetit, “Maks Velo” në Laprakë nëpërmjet një programi i cili përfshin shfaqje të videove, por nuk do të mungojnë dhe panele diskutimesh, etj. Pjesëmarrja do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët dhe vizitorët. Festivali që hapi dyert e kinemasë “Maks Velo” do të vijojë deri më 17 maj.