Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë përuroi sallën “Pierre Cabanes”. Në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Shqipëri dhe Ministrinë e Kulturës së Francës, kjo sallë përmban të gjitha koleksionet e bibliotekës vetjake të historianit të antikitetit dhe epigrafistit Pierre Cabanes (1930-2023). Këtë ceremoni në kuadër të Javës së Kulturës Franceze e përshëndetën drejtori z. Piro Misha, ambasadorja e Francës në Shqipëri znj Catherine Suard, si dhe historianët dhe arkeologët prof. Neritan Ceka, Belisa Muka, Saimir Shpuza nga Instituti i Arkeologjisë, të cilët e kanë njohur personalisht dhe kanë bashkëpunuar me albanologun e ndjerë. Z. Pierre Raynaud, këshilltar kulturor në Ambasadën Franceze, nëpërmjet një letre përcolli një falënderim të veçantë nga familja e të ndjerit Pierre Cabanes, në pamundësi për të qenë të pranishëm në këtë përurim. Gjithashtu, këtë ceremoni e nderoi me prezencën e tij edhe z. Rene Troccaz, i dërguari special i Presidentit të Republikës për Ballkanin, si dhe shumë figura dhe personalitete shqiptare të kulturës, historisë dhe arkeologjisë. Kjo bibliotekë, tanimë pjesë e koleksioneve të BKSH-së, u la që në gjallje të të ndjerit P. Cabanes si amanet që t’i dhurohej shqiptarëve, me qëllimin që ajo të jetë në dispozicion të studentëve e studiuesve që janë të interesuar për historinë dhe arkeologjinë e antikitetit, duke vijuar kështu traditën e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës. Pierre Cabanes (30 dhjetor 1930, Puy-en-Velay – 13 qershor 2023, Clermont-Ferrand) ishte arkeolog, epigrafist dhe historian francez, profesor i historisë së antikitetit në Universitetin e Parisit X-Nanterre, drejtor kërkimi në CNRS dhe përgjegjës, në vitin 1992, i Misionit Arkeologjik dhe Epigrafik Francez në Shqipëri, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë