Krijimtaria e shkrimtarit Jakov Xoxa ishte pjesë e aktivitetit në Akademinë e Shkencave që bëri bashkë studiues, autorë të letërsisë, artistë dhe më gjerë. Aktiviteti për Jakov Xoxën, shkrimtar dhe studiues ishte dhe veprimtaria përmbyllëse në kuadër të 100-vjetorit të tij lindjes. Në këtë aktivitet u shfaq dhe premiera e dokumentarit “Jakov Xoxa, në 100-vjetorin e lindjes” prodhim i RTSH-së, me bashkëpunimin e ASH, regjia Ylli Pepo. Veprimtaria u drejtua nga regjisori i njohur Mevlan Shanaj, i cili ndër të tjera tha se shkrimtari Jakov Xoxa ka dhënë mesazhe shumë të mëdha me gjuhën e tij të paarritshme. “Jakov Xoxa, një emër shumë i madh i letrave shqipe. I kemi lexuar dhe jemi krenarë për personazhet e tij. Jakov Xoxa ka dhënë mesazhe shumë të mëdha me gjuhën e tij të paarritshme. Të gjithë ju sot të provoni të shkruani nuk i afroheni dot. Për Jakovin mund të flitet shumë, kaloi në kufijtë jo të normales, e kaloi legjendën por ishte legjendë e prekshme. Ne sot këtu do ta prekim në mënyrë të shkëlqyer siç i bën Ylli Pepo filmat me dokumente, që ai i bën aq mirë”, tha regjisori Shanaj ndër të tjera. “Jakov Xoxa, shkrimtari dhe studiuesi”, është botim i ri i Akademisë së Shkencave, akte të konferencës së organizuar vitin e kaluar, me pjesëmarrjen e studiuesve të letërsisë bashkëkohore nga gjithë rrjeti i universiteteve shqiptare. Për paraqitjen e librit të akteve të konferencës shkencore foli akad. Shaban Sinani, përkujdesës i botimit. Libri përmban 17 referime dhe 3 përshëndetje.
Botimi për Jakov Xoxën
Veprimtaritë për 100-vjetorin e Jakov Xoxës u hapën në prillin e vjetshëm, me dhënien për herë të parë të çmimit që mban emrin e tij gjatë panairit të librit akademik dhe shkencor në Prishtinë. Në këtë kuadër, me bashkëpunimin e fondacionit “Fan S. Noli”, u bë ribotimi fototipik i librit më të rëndësishëm shkencor të Jakov Xoxës, “Hyrje në shkencën e letërsisë” (një prej tre teksteve universitare të tij), i ribotuar tri herë në Tiranë, dy herë në Prishtinë dhe një herë në Tetovë, më pas padrejtësisht i lënë mënjanë. Me këto botime dhe me konferencën shkencore, tha akademik Sinani, u rikonfirmua vendi i rëndësishëm i letërsisë së Jakov Xoxës në historinë e letërsisë së re shqipe, si një autor i pangjashëm në jetë e i pangjashëm në vepër. Ai theksoi se dukuria e vetëlargimit, që përbën një nyje kthese të jetës së Jakov Xoxës, është rast më vete dhe nuk është studiuar ende. Jubileu shërbeu gjithashtu edhe për të adresuar tek kërkuesit e rinj teza e mikroteza studimore nivelesh të ndryshme, prej identifikimit gjuhësor të karaktereve deri tek ikja e kujdesshme nga realizmi socialist drejt realizmit. Për rëndësinë që pati nisma e Akademisë së Shkencave për nderimin e 100-vjetorit të Jakov Xoxës dhe për bashkëpunimin e disa institucioneve të tjera në këtë kuadër foli gjithashtu dhe Agron Xoxa, djali i shkrimtarit. Libri “Jakovi dhe unë” u prezantua nga znj. Valentina Leskaj, njëherësh edhe mike e kolege e autores Dhurata Xoxa. Çmimi “Jakov Xoxa” do të jetë i përvitshëm. Ndër veprat e tij mund të përmendim: “Novela”, përmbledhje shkrimesh, 1949, “Buçet Osumi”, dramë, 1956, “Zemra”, dramë, 1958, “Novela”, përmbledhje shkrimesh, 1958, “Lumi i vdekur”, roman, 1964, “Juga e bardhë”, roman, 1971, “Lulja e kripës”, roman.