“Nga Pafajësia në Pafajësi” është një performancë e veçantë për skenën tonë, që bën bashkë artistë të njohur. Koreografi dhe balerini i njohur Julian Bulku i larguar nga Shqipëria vite më parë rikthehet këtë herë për performancën “Nga Pafajësia në Pafajësi”. Performanca nga Julian Bulku do të jetë premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe ndërthur elemente të baletit modern, shoqëruar nga skenar i lexuar dhe i performuar gjatë shfaqjes, me muzikë dhe teatër. Teksti dhe performanca bashkojnë në mënyrë artistike dhe abstrakte kulturën shqiptare dhe realitetin e përditshëm të kryeqytetit, të pasuruara me grimca nga jeta e protagonistit, duke përfshirë frikërat, mendimet, përvojat, dhe nostalgjitë e tij si njeri dhe si artist. Emigrimi është një nëntekst i shfaqjes, jo vetëm si një realitet normal për thuajse të gjithë shqiptarët, por edhe sepse ky largim nga vendi përkon edhe me dëbimin nga ‘Edeni’ i pafajësisë apo dhe i fëmijërisë. Kthimi në pafajësi lidhet me zhvillimin shpirtëror të artistit, por dhe me kthimin në vendlindje pasi kjo është performanca e parë e balerinit pas kthimit nga emigrimi në Europë. Performanca nga Julian Bulku është me të ftuar Gean Arbana, Nermin Strazimiri, Eva Muhameti, Panagiata Styliamori, Laura Dramalli, Sier Vaso dhe të tjerë. Drejtor artistik Julian Bulku dhe regjia Inis Gjoni. Shkruar nga Kleitia Vaso dhe Jora Vaso dhe lexuar nga Rajmonda Bulku, Bujar Asqeriu, Gean Arbana dhe Julian Bulku. Muzika Alban Laro, kostumografi e skenografi Meri Meraj dhe piktor Bledar Gramo. Në këtë shfaqje siç shpjegohet në materialin e saj, skenari origjinal përfshin, krahas poezisë dhe prozës së dy autoreve, poezi shqiptare dhe përkthime të vargjeve nga poetë të zgjedhur botërorë, si edhe rreshta nga legjendat shqiptare si ajo e Rozafës. “Kështu, trajtohen në mënyrë implicite traditat gjinore në kulturën shqiptare por edhe në jetën apo mendimet e protagonistit”, thuhet rreth shfaqjes. Temat kryesore të performancës përfshijnë zhvillimin e jetës, nga pafajësia e një fëmije deri tek përpjekjet e një artisti për të njohur veten, dhe për të arritur shpirtërisht dhe artistikisht atë që kërkon në vendin e tij.
Edhe si një vepër dedikuar vendlindjes
Performanca “Nga Pafajësia në Pafajësi” nga Julian Bulku mbetet në thelb shqiptare, dhe mund të interpretohet edhe si një vepër dedikuar vendlindjes. Në këtë kuadër thuhet rreth shfaqjes, elemente të folklorit shqiptar, si fustanella dhe qeleshja, apo edhe elemente të përzgjedhura të valleve shqiptare, të cilat balerini i zotëron në mënyrë profesionale do të përdoren jo vetëm si elemente estetikë, por edhe si një shpalosje e bukurisë së trashëgimisë kulturore shqiptare. Muzika e përzgjedhur është gjithashtu e kompozuar tërësisht nga artistë vendas. “Këto elemente kanë rëndësi të veçantë pasi shfaqja projektohet të vihet në skena të ndryshme ndërkombëtare, ku prezantimi i kulturës shqiptare në mënyrë kaq gjithëpërfshirëse – pasi ajo përfshin balet, valle, veshje popullore, muzikë dhe letërsi shqiptare, si edhe trajtimi njëkohësisht modern dhe tradicional i dhuron një vlerë edhe më të madhe kësaj performance”, thuhet për këtë performancë. Premiera do të jetë mbrëmjen e datës 18 dhe 19 prill në skenën e Teatrit Eksperimental.