Opera “Madama Butterfly” do të vijë në skenë me një trupë artistësh shqiptarë dhe të huaj. Kryevepra e Puçinit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit vjen nga regjisorja italiane Manu Lalli, e cila shprehet se është një vepër tragjike, por dhe shumë bashkëkohore. Koncepti i saj regjisorial sipas TKOB-së është sa avangard, aq edhe tradicional. Ai përshkruan dhimbjen për humbjen e një gruaje të abuzuar në dashuri dhe dhunimin që i bëhet natyrës. Në një periudhë aspak të lehtë për shoqërinë botërore, ku çdo ditë gra humbin jetën për shkak të dhunës, ky produksion është një thirrje, e cila mundohet të thotë “Stop!”. Pak ditë përpara veprës që do të vijë në skenë si produskion i ri, regjisorja Manu Lalli shprehet se “Madama Butterfly” lidhet me natyrën, por dhe marrëdhënien që kanë krijuar njerëzit. “Një shfaqje mjaft e veçantë e vendosur në një pyll të madh të harlisur, e cila do të kulmojë me një fund tragjik. Butterfly lidhet me natyrën dhe marrëdhënien që njerëzit kanë krijuar në këtë moment historik me natyrën, pra të grabitqarit, sjellje agresive e dhunshme që mund të ndodhë që i jep fund botës në një farë mënyre, sepse ne jemi shumë abuzues ndaj saj. Dhe kjo shihet qartë brenda veprës. Figura e Pinkerton përfaqëson njerëzimin që abuzon me natyrën dhe më pas e braktis atë dhe natyra pa u kujdesur ne për të mund të vdesë tamam si Butterfly”, shprehet regjisorja Manu Lalli, ku TKOB ka ndarë dhe një video me rrëfimin e saj për veprën që do të jetë në skenë.
Tema kryesore e veprës
Vepra vjen dhe me pjesëmarrjen e sopranos italiane me famë botërore Anna Pirozzi. Në vepër përmendim dhe të tjerë artistë si sopranoja Eva Golemi, artistët Klodian Kaçani, Solen Alla, etj. Dirigjent i orkestrës së TKOB është Jacopo Sipari di Pescasseroli. Regjisorja italiane Manu Lalli ndalet në rrëfimin e saj dhe tek ajo që e quan temën kryesore të veprës së Puçinit, që është marrëdhënia midis burrave dhe grave. “Edhe pse në çdo rast Butterfly është një lloj sterotipi i marrëdhënieve midis burrave dhe grave në të cilën edhe sot në vende të botës jo vetëm vende të largëta siç mund të na duken ekzotike, por dhe këtu përballë nesh në qendër të Europës raporti midis burrave dhe grave është ende për t’u ndërtuar me mundim, pikërisht sepse ka ende shumë njerëz që besojnë se femrat mund të abuzohen normalisht. Fatkeqësisht këtë e dëshmon edhe gjendja aktuale në shumë vende Europiane , ku fatkeqësisht shumë gra ende vdesin për shkak të dhunës që përjetojnë nga partnerët e tyre apo të dashurit. Butterfly vret veten për shkak të mungesës së dashurisë, që Pinkerton i dha dhe më pas ia merr duke besuar se mund të abuzojë me të shumë qetësisht. Pra është një vepër jashtëzakonisht tragjike, por shumë bashkëkohore”, shprehet Lalli. Regjisorja italiane thotë se natyra dhe femra lidhen pikërisht me ata që abuzohen vazhdimisht nga njeriu modern. “Është natyrisht një vizion i pesimizmit, por për fat të keq opera tashmë e ka këtë lloj teme në brendësi të saj edhe nëse fundi do të na japë sinjalin e diçkaje që po ndryshon edhe përmes muzikës së Puccini-t ne mund ta perceptojmë ndryshimin. Dhe ripërtëritja e shoqërisë që tashmë shihet rreth nesh dhe muzika ndoshta mund të na udhëheqë në këtë ndërgjegjësim të ri të marrëdhënieve midis burrit dhe natyrës dhe midis burrit dhe gruas”, shprehet regjisorja Manu Lalli.
Kryevepra e Puçinit
Kryevepra e kompozitorit Giacmo Puccini “Madama Butterfly” rikthehet pas më shumë se një dekade në TKOB, si një produksion i ri i “Festival Puccini di Torre di Lago”, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. “Madama Butterfly” është një opera në tre akte nga kompozitorit italian Giacomo Puccini, me libret shkruar nga Giuseppe Giacosa dhe Luigi Illica. Geisha e bukur 15-vjeçare i qëndron besnike togerit amerikan Pinkerton dhe shpreson se ai do të kthehet në krahët e saj. Ndonëse kanë kaluar tre vjet nga ikja e tij, Butterfly tashmë nënë e një djali, fryt i martesës me Pinkerton, refuzon të nisë një jetë të re dhe ta harrojë të dashurin e zemrës. Ky i fundit, i martuar me një grua amerikane, kthehet në Nagasaki që të marrë të birin 3-vjeçar. E zhgënjyer dhe e dëshpëruar, Butterfly ia dorëzon djalin atij dhe vret veten. Në TKOB vepra vjen më 26, 27, 28, 30 maj dhe 1 qershor.