Puna për digjitalizimin e koleksioneve të Fototekës në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit po vijon. Një proces me rëndësi për koleksionin e AQSHF-së, por dhe për kineastët. Në AQSHF këtë kohë po punohet nga specialistët me digjitalizimin e albumeve të tjera. Pas përfundimit të digjitalizimit të fotonegativëve, sipas arkivit tani po punohet për digjitalizimin e albumeve të fotoprovave dhe vendxhirimeve të filmit artistik. “Skanimi shoqërohet, gjithashtu, me krijimin e metadatave të hollësishme për çdo objekt të digjitalizuar”, thuhet nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit (AQSHF). Kineasti dhe producenti Skënder Jaçe e sheh me rëndësi procesin e punës në AQSHF me koleksionin e Fototekës. Sipas tij kjo shërben edhe sepse shkurton kohën për të gjetur materiale në arkiv. “Vend xhirimet e shumë filmave që janë realizuar, janë fiksuar në foto. Tani ato pastrohen skanohen dhe fiksohen në formatin digjital, duke krijuar kështu albume për çdo film nga kinoprovat apo shesh xhirimet në realizimin e filmave. Natyrisht ka rëndësi procesi që po bëhet, pasi shkurton kohën për ta gjetur një foto apo material nga filmit që të nevojitet për një ngjarje, vetëm me një klikim në faqen e fotove në AQSHF”, thotë kineasti Jaçe. Sipas arkivit, falë mbështetjes nga programi Modern Endangered Archives Program të UCLA Library në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u bë e mundur pajisja e studios së digjitalizimit me aparatura profesionale për skanimin e fotove në suporte të ndryshme.
Puna më parë
Pak ditë më parë AQSHF tregoi momente nga puna e përditshme në sektorin audiovizual në AQSHF, për digjitalizimin e fondit filmik, ku tani mund të konvertohet filmi nga negativi 35mm në format digjital 4K. Sipas arkivit falë mbështetjes nga projekti RECON Project i programit IPA CBC Itali – Shqipëri – Mali i Zi, si dhe nga buxheti i shtetit, u bë e mundur pajisja e studios me disa nga aparaturat bazë të digjitalizimit të filmit dhe rikonstruksioni i ambienteve të punës. Me gjithë kornizat ideologjike dhe vetëcensurën, trashëgimia e Kinostudios “Shqipëria e Re” kanë qenë dhe është pjesë e jetës kulturore e shumë brezave shqiptarësh. Arkivi i Filmit i Shqipërisë (AQSHF) i Shtetit Qendror është kujdestari ligjor i prodhimit kinematografik shqiptar i filluar nga viti 1947 e në vazhdim, kryesisht i përbërë nga produksionet nga një njësi e vetme shtetërore, studio “Shqipëria e Re”, e cila filloi aktivitetin e saj në vitin 1952 dhe u mbyll në vitin 1992. Koleksioni kinematografik i ruajtur në arkiv përmban gjithashtu materialet arkivore të mbledhura nëpërmjet procesit të privatizimit të filmave me metrazh të gjatë, filmave dokumentarë dhe kronikave të prodhuara nga studiot e huaja, nga fillimi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, të konsideruara si plaçkë lufte. Materialet e filmuara të depozituara sipas dispozitave ligjore që filluan të aplikohen që nga viti 1945, ku përfshihen materialet e prodhuara nga regjisorët e huaj të filmave bazuar në marrëveshjet e reja shtetërore. Kopje të materialeve të filmuara të prodhimeve të huaja të blera nga shteti. Pamjet e arkivit dhe materialet e marra nëpërmjet shkëmbimit me arkivat e tjera.