Ibrahim Kodra një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptar, por i njohur ndërkombëtarisht dhe si “postkubisti i fundit në Evropë”. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, një ditë më parë i bëri homazh piktorit Ibrahim Kodra, duke ndarë në rrjete sociale një video dedikuar “postkubistit të fundit në Evropë”. “Përkujtojmë një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptar, i njohur si ndërkombëtarisht si “postkubisti i fundit në Evropë”. Ibrahim Kodrën, në përvjetorin e tij të lindjes. Ndonëse u largua i ri nga Shqipëria, Ibrahim Kodra e ruajti dashurinë për vendlindjen të shprehur përmes penelatave shumëngjyrëshe, ku vepra e tij e mirënjohur “Shqipëria fantastike” e realizuar në vitin e trazuar 1997 portretizonte Shqipërinë si një parajsë mesdhetare. Nderim dhe respekt për artistin e jashtëzakonshëm Ibrahim Kodra”, shprehet ministri Goxhja në rrjete sociale. Ibrahim Kodra lindi 22 prill 1918 në Ishëm. Pas një fëmijërie të vështirë, arriti të merrte një bursë nga Mbretëria e Shqipërisë, e të studionte në Milano, në një nga akademitë më të mira të kohës, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brera-s. Në 1944 hapi studion e tij të parë në Milano. Në 1948, çeli ekspozitë personale dhe në grup, në “Klubin e Artit”, në Romë, ku takoi dhe u bë mik me Pablo Pikason. Në 1950 ai pikturoi afreske në muzetë dhe ndërtesat më të rëndësishme të Milanos. Më pas, Ibrahim Kodra, mori pjesë në ekspozita si dhe vendosi raporte të ngushta përveç Pikasos, me Henri Matis, Modiljanin e të tjerë emra që kanë bërë historinë e pikturës botërore. Kodra ka qenë një piktor shumë prodhimtar. Ai ka lënë më shumë se 6 mijë piktura, të cilat gjenden në Muzeun e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve, në Parlamentin Italian, në Muzeun Kodra në Lugano (Zvicër), në Muzeun Kodra në Milano (Itali), në muzeume të tjera si dhe koleksione private anembanë botës. Ibrahim Kodra u nda nga jeta në Milano 7 shkurt 2006.