Veprat e kompozitorëve të shquar, mes tyre dhe premiera do të luhen në koncertin e Orkestrës së Harqeve të Durrësit. Koncerti mbrëmjen e nesërme sjell për të gjithë artdashësit, e në veçanti për adhuruesit e muzikës klasike një program të pasur muzikor. Dirigjenti i njohur Petrika Afezolli thotë se Orkestra e Harqeve e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” ka një aktivitet të pasur artistik, ku dhe koncerti i radhës vjen me një program të zgjedhur për artdashësit. “Vepër e një rëndësie të veçantë në këtë koncert është Simfonia nr. 6 e Mendelssohn. Në Shqipëri luhet për herë të parë, është premierë”, tregon dirigjenti Petrika Afezolli, një nga emrat e vlerësuar në aktivitetin e tij artistik. Në program këtë koncert janë: E. Grieg: Holberg Suite, A. Vivaldi: La tempesta del mare si dhe koncert për flaut; ndërsa nga F. Mendelssohn vjen Simfonia nr.6 premierë. Një program muzikor që vjen me veprat e autorëve të shquar që do të interpretohet për publikun gjatë koncertit në teatrin “Aleksandër Moisiu”, por dirigjenti Afezolli ndalet dhe te Holberg Suite. Dirigjenti tregon se kjo pjesë fillimisht u shkrua për piano dhe më vonë orkestrohet nga vetë kompozitori për orkestër harqesh. “E. Grieg (1843-1907) -Suita e Holbergut është shkruar në vitin 1884 dhe luhet në 200-vjetorin e lindjes së Ludving Holbergut (ka jetuar në mbretërinë duale Danezo-Norvegjeze, çmohet si humanist, dramaturg, filozof, historian). Fillimisht është shkruar për piano dhe më vonë orkestrohet nga vetë Grieg për orkestër harqesh. Suita bazohet në stilin e vjetër me vallet e shekullit XVIII. Luhet rregullisht në repertorin e gjithë orkestrave të harqeve dhe ky vit shënon 140-vjetorin e suksesit të saj”, tregon dirigjenti.
Aktiviteti i orkestrës
Orkestra e Harqeve e Durrësit ka një aktivitet prej disa dekadash. Veç publikut tonë nuk ka munguar dhe publiku i huaj, që ka ndjekur koncertet e saj. Por dirigjenti Petrika Afezolli thotë se është një nga orkestrat që ka vijuar rrugëtimin e saj me vlerësime. “Orkestra e Harqeve është formuar në vitet ’80-të. Është një nga orkestrat më të mira për kohën, me vlerësime dhe me çmime të ndryshme në gjithë historikun e vet. U krijua në vitet ’80-të, mbijetoi në vitet ’90-të dhe me ardhjen e demokracisë gjeti format e mbijetesës”, thotë Afezolli. Me Orkestrën e Harqeve kanë punuar dirigjentë të ndryshëm dhe janë zhvilluar koncerte që kanë pasuruar jetën artistike në qytetin bregdetar. Dirigjenti Petrika Afezolli ka nisur aktivitetin që nga viti 1988 me këtë orkestër, por ndërsa flet për punën që bëhet me artistët ai ndalet dhe te momentet më të veçanta të kësaj orkestre. “Orkestra ka bërë turne nëpër shtete të ndryshme të Europës ku është mirëpritur, si në Itali, Gjermani, Austri, Francë, Slloveni, Kroaci, etj, pra ka një aktivitet shumë të pasur si brenda vendit ashtu dhe jashtë”, shprehet dirigjenti Afezolli. Orkestra e Harqeve të Durrësit ka marrë çmime të para në festivale kombëtare, një çmim të dytë, një çmim “Skënderbeu”, etj. Vitin e kaluar Orkestra e Harqeve të Durrësit u shpall orkestra më e mirë në edicionin VIII të Takimit Kombëtar të Muzikës së Dhomës dhe Orkestrave të Harqeve që u zhvillua në Elbasan. Në koncertin e datës 10 maj në flaut është Xhejsi Natalia Kalziqi, Majlinda Spiro. Violina e parë: Eduart Tereziu, Laura Llozi, Edmea Krasniqi, Ermal Sinamati, Lorin Lepuri. Violina e dytë: Fatos Bardulla, Klodi Mele, Erio Daja, Beseta Husha, Ermira Zhiti. Viola: Arben Llozi, Etleva Maqellara, Albana Mneri, Brikena Sota. Çello: Moni Kuriçi, Dorina Laro, Rajmonda Reçi, Gëzim Belegu; kontrabas Artur Stafhasani.