Filmi “Gunat përmbi tela” me regji nga Muharrem Fejzo u prodhua në vitin 1977. Filmi pas 47 vitesh nga realizimi i tij do të shfaqet së shpejti i restauruar në kinema. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Fondazione Gramsci di Puglia organizojnë premierën e filmit të restauruar “Gunat përmbi tela” të regjisorit Muharrem Fejzo. Arkivi i Filmit bën me dije se restaurimi digjital i këtij filmi dhe eventi i premierës u financuan nga Fondazione Gramsci di Puglia dhe Regione Puglia në kuadër të projektit “Pulja në njëqindvjetorin e ardhjes së fashizmit”. “Filmi “Gunat përmbi tela” u restaurua nga elementet origjinalë negativë 35mm të AQSHF-së, në laboratorin Dabimus srl të Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Itali”, thuhet më tej nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit. Premiera e filmit të restauruar “Gunat përmbi tela” do të jetë mbrëmjen e datës 15 maj në kinema Millennium në Tiranë. Në këtë film përmblidhet si një vepër korale një nga ngjarjet më të rëndësishme historike ikja nga Vlora e trupave italiane të mbetura pas luftës së parë botërore. Luftëtarët hyjnë në kampin e rrethuar armik jo me ndihmën e armëve të sofistikuara të kohës por me ndihmën e gunave që hedhin mbi tela. Flijohet Hodo. Skenari i filmit është shkruar Duro Mustafaj dhe Muharrem Fejzo. Aktorë në role janë: Thimi Filipi, Fatos Sela, Stavri Shkurti, Luftar Paja, Sulejman Pitarka, Serafin Fanko, Jani Riza, Raimonda Bulku, Liza Laska, Muhamet Sherri, Lulëzim Jonuzi, Llambi Kaçani, Adem Gjyzeli, Zehrudin Dokle, Zija Grapshi. Kamera-operator Ilia Terpini, kompozitor Kujtim Laro, piktor Azis Karalliu, regjisore montazhi Krisanthi Kotmilo, zëri Koço Tollko, kostumograf Alush Shima, grimi Llukan Bushi, efektet speciale Skënder Batku. Drejtor filmi Polivaq Lina, bashkëpunëtor Bejto Isufi. Prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re” 1977, interpreton Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit dhe Kinematografisë dhe dirigjent ishte Ferdinand Deda. Premia e filmit të restauruar “Gunat përmbi tela” nga Arkivi i Filmit vjen në vijim dhe të tjerë filmave që janë shfaqur premierë të restauruar dhe mbajnë emrin e regjisorëve të njohur.
Regjisori dhe filmat
Skenaristi dhe regjisori Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Ndërsa studionte për skulpturë, Fejzo bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë. Ai gjithashtu kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit. Përpara se të realizonte filmin e tij të parë “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti gueril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare. Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden “Operacioni zjarri” (1973) dhe “Mësonjëtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë” Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989. Muharrem Fejzo u nda nga jeta më 22 nëntor 2020.