Rehabilitimi i ambienteve të godinave të ish-burgut të Spaçit nuk do të lejojë degradimin e tyre, e duke e kthyer atë në një vend kujtese. Por çështja e muzeut në dëgjesën publike mbi planin për menaxhimin e ish-burgut të Spaçit me të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, fondacionit italian “Santagata” për ekonominë e Kulturës që ka përgatitur draftin, të organizatës “Trashëgimia Kulturore pa kufij”, inxhinierë dhe të tjerë solli debate. Ngritja e muzeut për ish-kamp burgun, por larg tij, në autostradën e Bashkisë së Mirditës, sipas hartuesve të draftit ka si shkak kryesor kushtet e vështira infrastrukturore dhe është model i aplikuar dhe në shtete të tjera. “Ne bëmë një krahasim me një numër të madh rastesh qendrash të burgosurish përreth botës dhe asnjë muze i tyre nuk është brenda në zonë. Shumë prej tyre janë në qendrat e qyteteve, në qendrat e mëdha. Të tjera në qytete të vogla apo në zona më të largëta, si rasti i kampeve të përqendrimit në Poloni”, u shpreh Giulia Avanza nga fondacioni “Santagata”. Ndërsa hartuesi i projektit të ish-kamp burgut Bujar Ferra së bashku me të tjerë të pranishëm në dëgjesën publike thanë se kjo heq kërshërinë e vizitorëve për të shkuar më pas në Spaç. “Muzeu është një gjë që bëhet për të gjithë, pra për të gjithë vuajtjet e asaj kohe. Unë shkoj dhe shoh me sytë e mi, ku gjej një pagure, gjej tasin ku merrej supa, gjej lugën, gjej fotografi të ndryshme, gjej pikat ku rrinin rojet, ishte rrethimi. Por unë duhet të shkoj dhe në galeri të shoh”, tha ai ndër të tjera. Arkitekti dhe inxhinieri Bujar Ferra projektues i burgut kërkoi dhe shfrytëzimin e arkivës për Spaçin për rindërtimin e memories për atë që ndodhi në ish-burg kampin. Gjatë takimit projektuesi pretendoi gjithashtu rikthimin në origjinal të kësaj pike të trashëgimisë kulturore, me pamjen e barakave të llamarinës e dërrasave, që kishte në 1968-ën kur u hap.
Kostoja e projektit
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ndau më parë për konsultim publik, draft-planin për menaxhimin e ish-burgut të Spaçit. Sipas draftit, pronësia e pasurisë kulturore -monument kulture e kategorisë II -që aktualisht ndahet mes disa institucioneve, duhet t’i kalojë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si institucioni publik më i aftë për të përmbushur pritshmërinë e menaxhimit aktiv të Spaçit. Fondacioni përgjegjës për menaxhimin indirekt të Spaçit do të ndërmarrë gjithashtu procedurat e nevojshme për ngritjen e muzeut të burgut dhe kampit të punës së detyrueshme, një muze autonom i specializuar me person juridik privat dedikuar rezistencës ndaj diktaturës komuniste. Muzeu, do të ndërtohet në Reps, qytezën më të afërt nga Spaçi në një hapësirë prej 750 m2. Organet drejtuese të fondacionit do të jenë: bordi i administrimit me përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, të institucionit themelues të specializuar të trashëgimisë kulturore, të Bashkisë Mirditë dhe nga donatorë ose sponsorë, si edhe bordi i nderit me ish të burgosur politikë dhe bordi shkencor me përfaqësues nga institucionet dhe organizatat e kujtesës që kanë promovuar aktivitete rreth Spaçit ndër vite. Financimi i fondacionit do të sigurohet nga mbështetja nga buxheti publik, si dhe nga fonde të tjera kombëtare apo ndërkombëtare, publike apo private. Sipas draftit, nisur nga planifikimi i biznesit, siti nuk do të jetë fitimprurës financiarisht, ndërsa kosto e projektit i kalon 4,2 milionë euro. Fokusi i muzeut do të jenë përpjekjet dhe historitë e rezistencës që kanë ndodhur në Spaç, që nga episodi themelor i Revoltës së Spaçit në 1973, deri te aktet dhe gjestet e shumta të përditshme të rezistencës kundër humbjes së njerëzimit, dinjitetit dhe solidariteti që iu imponua të burgosurve. Në draft parashikohet ruajtja e ndërtesave të ish burgut në gjendjen aktuale, duke ndalur përkeqësimin e tyre, por duke i ruajtur ato në mënyrë të tillë që shenjat e kalimit të kohës mbi ndërtesa të shihen si metaforë për një distancim nga kujtesa e vendit. Drafti propozon rindërtimin e pjesshëm të disa prej elementeve kyç, rikrijimin e njërës prej qelive, rikuperimin e shtigjeve dhe hyrjeve në tunelin e minierave, krijimi i një sinjalistike, përdorimi i teknologjisë për të shfaqur pjesët e munguara. Implementimi i planit parashikohet të zgjasë 5 vjet.