Projekti “Harta Arkeologjike Nënujore e Bregdetit Shqiptar” u prezantua në konferencën shkencore “Viti arkeologjik 2023”, e cila këtë vit shërbeu për të prezantuar në mënyrë të detajuar punën kërkimore të realizuar në terren nga punonjësit e Institutit të Arkeologjisë, gjatë vitit të shkuar. Anëtari i Departamentit të Prehistorisë/Instituti i Arkeologjisë, arkeologu Adrian Anastasi prezantoi projektin “Harta Arkeologjike Nënujore e Bregdetit Shqiptar”, ku qëllimet kryesore të tij janë: identifikimi, dokumentimi dhe studimi i siteve arkeologjike nënujore në dete, liqene, laguna, këneta dhe lumenj, në territorin shqiptar. Materialet rreth këtij prezantimi në konferencën shkencore “Viti arkeologjik 2023” që u zhvillua më parë në Akademinë e Shkencave janë publikuar dhe nga Instituti i Arkeologjisë. Sipas arkeologut, bazuar në rezultatet e projektit paralel “LIN 3”, dhe në bashkëpunim me kolegët zviceranë të Universitetit të Bernës, në vitin 2023, projekti u përqendrua në vendbanimin neolitik të Dunavecit, i cili fazën e tij më të hershme e ka me ndërtime të tipit palafit. Një sërë metodash bashkëkohore të përdorura bënë të mundur për herë të parë rivlerësimin e datimit të këtij vendbanimi përmes datimeve absolute, ridokumentimin e sekuencës stratigrafike dhe marrjen e kampioneve mikrobiologjike, për të plotësuar më tej dokumentacionin lidhur me aktivitetet ekonomike në vendbanim. Gjatë vitit 2023 u realizua gërmimi arkeologjik deri në shtresën më të hershme Dunavec 1; Datimet absolute, të cilat korrigjuan kronologjinë e vendbanimit, dhe fazën më të hershme nga 4830 Para Krishtit, në 5280 Para Krishtit; Fotogrametria e profileve të gërmimit dhe u morën kampione në shtresën kulturore për analiza paleobotanike si dhe kampione palafitesh për ndërtimin e sekuencave dendrokronologjike dhe analizave me metodën radiokarbonike 14C, të cilat do të kryen në laboratorët e Bernës dhe Oxford-it; Modeli dixhital i terrenit SFM nëpërmjet fotogrametrisë UAV; Objektet arkeologjike janë në proces studimi nga specialistët përkatës.
Zhvillimi i projektit “LIN3”
Projekti “LIN 3” që u prezantua po nga anëtari i Departamentit të Prehistorisë/Instituti i Arkeologjisë, Adrian Anastasi është një bashkëpunim i Institutit të Arkeologjisë me Universitetin e Bernës, në Zvicër (bashkë-drejtues për palën zvicerane Prof. Albert Hafner). Ky projekt sipas tij është pjesë e një projekti më të gjerë kërkimor ndërdisiplinor “Eksplorimi i dinamikës dhe shkaqeve të ndryshimit të përdorimit të tokës në prehistori në djepin e bujqësisë evropiane/ Exploring the Dynamic and Causes of Prehistoric Land Use Change in the Cradle of European Farming (EXPLO)”, financuar nga Këshilli Europian i Kërkimit. Ky projekt shumë disiplinor sipas arkeologut Anastasi aplikon metoda të shumta bashkë-kohore, të cilat do sjellin një sërë risish për prehistorinë e hershme të Shqipërisë. Qëllimet kryesore të projektit “LIN 3” janë: Shtrirja nënujë dhe në tokë e sitit Neolitik “LIN 3”, në bregun perëndimor të Liqenit të Ohrit; Kronologjia e sitit: dokumentin stratigrafik dhe datimet absolute; Arkeologjia e sitit: arkitektura dhe kultura materiale; Aktivitetet ekonomike përmes studimit të mbetjeve organike; Rindërtimi i kuadrit paleomjedisor.