Kalaja e Ishmit është një tjetër monument i trashëgimisë kulturore, që është restauruar. Kalaja e Ishmit u restaurua falë programit “EU4Culture” të financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ndërhyrjet konsistuan në restaurimin dhe konsolidimin e mureve të kalasë për të siguruar jetëgjatësinë e saj. Në ceremoninë e inaugurimit pas restaurimit morën pjesë përfaqësues nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia e Durrësit. Për shkak të pozicionit strategjik, kalaja ka shërbyer si një bastion i rëndësishëm i mbrojtjes osmane. E ndërtuar në vitet 1572-1574, ajo u përdor gjerësisht nga ushtria osmane për të kontrolluar dhe mbrojtur rrugët nga kryengritësit dhe për të parandaluar tregtinë e paligjshme me Republikën e Venedikut. Kur Perandoria Osmane u shpërbë, kalaja u braktis. Në vitin 1977 rrënojat e saj u shpallën monument i kategorisë së parë. Vlen gjithashtu të theksohet se përballë hyrjes së kalasë ndodhet varri i piktorit të famshëm shqiptar, Ibrahim Kodra. Në pjesën lindore të kalasë, pjesë e bashkisë Durrës, mund të shohësh pllajën e Ishmit dhe malet Krujë-Dajt ndërsa në perëndim, deltën e lumit Ishëm, kepin e Rodonit dhe një pjesë të bregut të detit Adriatik. Ky sit u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe ishte në gjendje kritike para restaurimit. Kalaja e Ishmit ndodhet në Bashkinë e Durrësit. Në pjesën lindore të saj mund të shohësh pllajën e Ishmit dhe malet Krujë-Dajt, ndërsa në perëndim, deltën e lumit Ishëm, kepin e Rodonit dhe një pjesë të bregut të detit Adriatik.