Ekspozita “Udha drejt Pavarësisë” na njeh me rrugëtimin historik të nënshkruesve të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe me artefakte që ilustrojnë këtë ngjarje madhore. Ekspozita u hap në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë në praninë e drejtoreshës së MHK Entela Çipa dhe sekretares së përgjithshme në detyrë të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës Jehona Shyti. Rrugëtimi i patriotëve shqiptarë, që do të kulmonte me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e kishte zanafillën më 2 nëntor të vitit 1912, në lagjen Pera të Stambollit, në mbledhjen që u zhvillua në hotelin Pera Palace. Nga Stambolli, Ismail Qemali u nis me anije për në Konstancë të Rumanisë. Për të ngritur flamurin kombëtar, patriotët shqiptarë u ndeshën me pengesa dhe vështirësi të shumta. Më 5 nëntor 1912, Ismail Qemali mblodhi patriotët shqiptarë në hotelin “Continental” të Bukureshtit, ku diskutuan për pavarësinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij, ai theksoi: “Tjetër shpëtim për Shqipërinë nuk ka, përveçse të gjenden ca atdhetarë me guxim dhe bashkë me mua të hyjmë në Shqipëri dhe të kasnecojmë vetëqeverimin e saj”. Figurat më të rëndësishme të kësaj mbledhjeje qenë: Aleksandër Stavri Drenova, Spiridon Ilo, Vasil Zografi, Pandeli Evangjeli, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Berati, etj. Ata vendosën që të mbahej Kuvendi Kombëtar me përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Punimet e Kuvendit të Vlorës filluan më 28 nëntor 1912, në orën 15:30 në sarajet e familjes Vlora, me pjesëmarrjen e 78 delegatëve. Kuvendi i Vlorës vendosi që “Shqipëria të bahet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”. Pas nënshkrimit të aktit të shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, në orën 17:30 të datës 28 nëntor 1912, doli në ballkonin e shtëpisë ku zhvilloi punimet kuvendi dhe valëviti lart flamurin kombëtar, të cilin e kishte ngritur dikur Gjergj Kastrioti në Krujë.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë