Projekte artistike në bashkëprodhim me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të vijnë në skenë gjatë sezonit artistik shtator-dhjetor këtë vit. Një ditë më parë Teatri Kombëtar Eksperimental hapi thirrjen për shfaqjet që janë bashkëprodhime për sezonin artistik që do të nisë në muajin shtator dhe vijon deri në fund të këtij viti, ku ka të përcaktuar dhe kriteret e aplikantëve, si dhe çfarë duhet të përmbajë dosja. TKE shprehet se fton të gjithë krijuesit, regjisorë, producentë, koreografë, dramaturgë e muzikantët në bashkëprodhime në projektet për të rritur që do të jenë në skenë, por dhe në ato për fëmijët. “Njoftojmë hapjen e thirrjes për procedurën e aplikimit për bashkëprodhime artistike për sezonin shtator-dhjetor 2024 për Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ftohen të gjithë krijuesit, regjisorë, producentë, koreografë, dramaturgë, muzikantë që të sjellin propozimet e tyre për bashkëprodhime. 1)Projekte artistike për shfaqje për të rritur; 2) projekte artistike për fëmijë. Dosja duhet të përmbajë: CV e aplikantit; projekt propozimi; buxhetin e detajuar sipas zërave, konceptin regjisorial; tekstin ose sinopsin”, thuhet nga Teatri Kombëtar Eksperimental. Po sipas institucionit teatror dokumentacioni dorëzohet fizikisht pranë njësisë së protokollit të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe në formë elektronike në email. Dorëzimi do të vijojë deri më 24.5. 2024 nga ora 09:00 – 14:00 pranë Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te “ArTurbina”.
Projektet bashkëprodhime miratim nga bordi artistik
Bashkëprodhimet artistike kanë vijuar dhe më parë në sezonin artistik të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Mes tyre nuk kanë munguar bashkëprodhimet dhe me krijuesit nga Kosova që kanë qenë me shfaqjet në skenën e TKE te “ArTurbina”. Projektet që do të jenë në skenë si bashkëprodhim do të kalojnë sipas ligjit në përzgjedhjen e bordit artistik të Teatrit Kombëtar Eksperimental. Bordi artistik është organizëm kolegjial vendimmarrës pranë institucionit publik qendror të artit dhe të kulturës. Titullari i institucionit thërret, organizon dhe drejton mbledhjet e bordit artistik. Bordi artistik funksionon në përputhje me ligjin nr. 8480, datë 27.5.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”. Bordi artistik përbëhet nga 7 anëtarë, nga të cilët një përfaqësues nga Ministria e Financave dhe një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për artin dhe kulturën, ndërsa anëtarët e tjerë janë emra nga fusha e artit dhe të veprimtarive shoqërore, që kanë lidhje me të. Anëtarët miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për artin, me propozimin e titullarit të institucionit publik qendror të artit dhe të kulturës dhe nuk mund të jenë të punësuar në institucionin pranë të cilit funksionon ky bord. Mandati i tyre është 4-vjeçar, me të drejtë ripërsëritjeje.