Shkrimtarët në Ditën Botërore të Librit kërkojnë më shumë vëmendje ndaj tij nga institucionet në vend. Ata shprehen se për librin duhet të ketë më shumë vlerësim. Sipas tyre, ndërsa në shtetet e tjera tregohet më shumë interesim për çfarë ndodh me krijimtarinë letrare dhe librin, në vendin tonë nuk tregohet kjo vëmendje. Autor i disa librave dhe studiues arti Agim Janina thotë se libri sot duket si i mbetur jetim dhe vëmendja ndaj tij duhet të kthehet me urgjencë. “Shteti e ngre librin në podin e merituar, duke e ndjekur, nxitur, vlerësuar. Jetojmë në kohën e reklamës dhe ajo vendos dhe drejton shijet dhe kulturën. Sa shumë u bëhet reklamë koncerteve muzikore, ndërsa për librin dëgjohet vetëm një zë i dobët. Duket si i mbetur jetim, duke u shitur rrugëve në erë, pluhur dhe shi si plaçkat e vjetra. Ndaj tij duhet drejtohet me urgjencë vëmendja dhe e para duhet të vlerësohet nga institucionet. Ku vdes libri, vdes kombi”, thotë studiuesi Janina. Por me çfarë po ndodh me librin, studiuesi Janina thotë se një nga problemet është dhe rënia e leximit në letërsi. Sipas tij edukimi me librin fillon që nga familja. “Sot fatkeqësisht nuk lexohet letërsi. Ajo është zëvendësuar me rrjetet sociale. Çdokush aty thotë fjalën e tij. Edukimi me librin fillon nga familja dhe jo kur fëmija ka ardhur në jetë, por që kur është në mitër të nënës, ajo duhet t’i flasë dhe t”i lexojë”, shprehet Janina në reagimin e tij.
Libri të marrë vëmendjen që meriton
Për shkrimtarin Pandeli Koçi sot duhet të flitet më shumë për librin dhe vlerat e tij. Sipas tij, duhet të luftohet me të gjitha rrugët qoftë ato institucionale, familjare apo vetjake për ta mbajtur dashurinë për librin në lartësinë e asaj që ajo e meriton. “Edhe shkenca dhe gjithë arritjet për kulturën, ekonominë, etj, bazën e kanë te libri, te aftësitë e librit”, thotë ai. Në Ditën Botërore të Librit shkrimtari Pandeli Koçi autor i librave të ndryshëm për fëmijë, por dhe për të rritur sjell në vëmendje dhe rolin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Shkrimtari thotë që duhet të tregojë me politikat e saj më shumë interes për krijimtarinë. “Ne ende vijomë ndryshe nga shtete të tjera që bëjnë më shumë për librin. Ata kanë një interesim më të madh, një kujdes që ai të jetë në lartësinë e duhur. Por tek ne shumë pak i kushtohet rëndësi librit. Si mund që ti kushtohet një ministri që është edhe e Ekonomisë, edhe e Kulturës edhe e Inovacionit? Ajo ka drejtorët e saj, por këto ne nuk i shohim të materializuara në ndihmën në kontributet për librin artistik. Duhet të ketë më shumë vëmendje për librin nga institucionet. Mund ta ketë shkruar dikush librin, por nuk e boton dot. Flasim për librat që kanë vlera dhe ne kemi shkrimtarë, prozatorë, poetë që kanë vlera dhe këtë e kanë treguar me botimet që kanë dhe jashtë”, thotë shkrimtari Pandeli Koçi. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor, etj.