Autorja Ilina Sancineti nga ngulimi arbëresh i Spixanës, si dhe autorët Nicola Scalici dhe Mario Calivanga Hora e Arbëreshëvet u shpallën fituesit e konkursit “Krenarbëria”. Të mërkurën u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve të edicionit të parë të konkursit, i cili u organizua nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, si një formë për të motivuar dhe promovuar të rinjtë arbëreshë në fushën e letërsisë. Ceremonia u mbajt në këtë ditë simbolike, që përkon edhe me 121-vjetorin e ndarjes nga jeta të Jeronim De Radës dhe pati të pranishëm personalitete të kulturës e të shkencës, si dhe vetë konkurrentët arbëreshë, disa prej të cilëve vinin për herë të parë në vendin amë. Drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prof. Diana Kastrati prezantoi nismën dhe falënderoi pjesëmarrësit, veçanërisht konkurrentët e konkursit që udhëtuan nga Italia për të qenë prezent në konkursin “Krenarbëria: Rrëfime arbëreshe”. Ajo theksoi nevojën për ndërhyrje prej instancave shtetërore për mbijetesën e arbërishtes, si dhe nevojën për rishikim të kurrikulave shkollore dhe të integrimit të autorëve dhe letërsisë arbëreshe duke qëndruar në një vijë me strategjitë dhe politikat e QSPA-së. Me tej, fjalën e mori drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Shqipëri, z. Alessandro Ruggiero, i cili theksoi ndërgjegjësimin e arbëreshëve për ruajtjen e identitetit të tyre etnik në Itali. Juria ishte e përbërë prej tre studiuesve të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, përkatësisht prof. Diana Kastrati, Dr. Fabio Rocchi dhe dr. Jolanda Lila, si dhe nga dy emra të rëndësishëm të botës arbëreshe prof. Carmine Stamile dhe znj. Fernanda Pugliese. Studiuesja Jolanda Lila nënvizoi rëndësinë e prurjeve të shumta të këtij konkursi, të cilat dëshmojnë për vijimësinë e letërsisë arbëreshe në fushën e prozës. Me çmimin e parë u vlerësua autorja Ilina Sancineti nga Spixana, me motivacionin: Për tregimin “L’appartenenza- (Përkatësia)”, ku ka ditur të realizojë arketipe antropologjike e kulturore të botës arbëreshe, duke i ndërthurur këto dëshmi me rievokime vetjake të trashëgimisë lirike dhe gojore të përfshira në një fabul letrare origjinale”. Çmimin e dytë e mori autori Nicola Scalici nga Hora e Arbëreshëvet, Siçili për tregimin “Akkordeon”, ndërsa çmimi i tretë iu akordua autorit Mario Caliva nga Hora e Arbëreshëvet për tregimin “Mushku”.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë