Koncerti “Mbretëresha e valles shqipe” vjen në skenë në kujtim të valltares Lili Cingu. “Mjeshtre e Madhe”, solistja e valles popullore Lili Cingu u shqua për një interpretim dinjitoz, elegancë e finesë, si dhe një kulturë të lartë muzikore, si njohëse e folklorit të të gjitha trevave. Por nesër në mbrëmje artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore vijnë në skenë me një koncert, ku kujtimi i mbretëreshës së valles shqipe, Lili Cingu, do të nderohet me një buqetë këngësh e vallesh popullore, të cilat do të interpretohen nga emra të njohur dhe artistë të rinj. Sokol Marsi drejtor artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore thotë se koncerti që vjen me një program të pasur muzikor është gjithashtu dhe në vazhdim të ciklit “Gjerdani i Artë”. ““Mbretëresha e valles shqipe” është koncert i ndërtuar me artistët e ansamblit dhe artistët e rinj që trajnohen tek ne. Një e veçantë është se në këtë koncert kanë asistuar gjithë bashkëkohësit e Lili Cingut si Andrea Kokeri, Hysen Male, Diana Millona, Lindita Kaimi, Mimoza Bekteshi dhe Gëzim Alimehmeti. Këta janë ish valltarë të ansamblit dhe kanë kuruar vallet së bashku me mjeshtrin e valleve të ansamblit Genc Kastrati. Edhe ky koncert është në vazhdim të ciklit “Gjerdani i Artë” dhe vjen pas koncertit kushtuar mjeshtrit Besim Zekthi dhe mjeshtrit Lefter Çipa”, shprehet Sokol Marsi drejtor artistik i Ansamblit Popullor. Koncerti nesër në mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit vjen me “Vallen e Rexhës”, për të vijuar me “Dueti i Tiranës”, vallen “Nën hijen e mollës”, “Vallen e Logut”, “Vallen e Çobanit”, atë me motive çame, kolazh i veriut e të tjera, si dhe me korale e këngë, si “Trëndafilin kur ta dhashë”, “Kur perëndon dielli” e shumë të tjera.
Lili Cingu si valltare e Ansamblit Popullor
Lili Cingu në vitin 1967, pranohet si valltare profesioniste pranë AKKVP. Në fillim interpreton si valltare e thjeshtë në grupin e valleve në vallet “Vallja e maleve”, “Vallja e tërkuzës”etj. Që nga viti 1969 pas një turneu në Turqi ajo u bë një ndër solistet më të shquara të AKKVP, e cila arriti që në repertorin e saj të interpretonte rreth 200 valle, nga më të thjeshtat e deri tek ato më të arrirat si “Vallëzimi i shqipeve”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria” “Vjelja e gështenjave”, “Në garë”, “Valle me motive të Labërisë”, “Vallja e Tiranës”, etj. Një rol të rëndësishëm në jetën e gjatë artistike të Lili Cingut kanë luajtur edhe koreografët, ata që i besuan asaj perlat e koreografisë, duke filluar që nga Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Agron Aliaj, etj. Me kërcim të lehtë e plotë bukuri interpretoi me shije si vallen e Jugut, Çamërisë, të Dropullit, të Korçës, të Kolonjës, të Shqipërisë së Mesme, ashtu edhe vallet epike të Veriut (Shota dhe Azem Galica”, “Sup më sup me malet”, “Oshëtima e maleve”, etj. Lili Cingu lindi në Tiranë më 31 dhjetor 1950 dhe vdiq më 5 shkurt 2024.