Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho interpretoi në mbrëmjen gala në Royal Opera House, ku në skenë përshëndeti dhe mbreti Charles III. Sopranoja shkëlqeu në mbrëmjen që iu dedikua maestros Sir Antonio Papanno, ku për të respektuar artistët që interpretuan në skenë u ngjit dhe përshëndeti edhe mbreti i Anglisë. Vetë sopranoja Ermonela Jaho ka ndarë në rrjete sociale foto nga ky koncert, ku ajo është takuar me mbretin e Anglisë Charles III dhe janë fotografuar krah njëri-tjetrit në skenë pas përfundimit të mbrëmjes gala. Në këtë mbrëmje sopranoja Ermonela Jaho performoi së bashku me kolegët e tjerë si Insung Sim, tenori Freddie De T.ommaso, Aigul Akhmetshina, Jonas Kaufmann dhe Bryn Terfel. Emonela Jaho, të ftuarit e tjerë dhe orkestra performuan ariet dhe muzikën që përcaktuan kohën e Antonios si drejtor muzikor, duke përfshirë karrierën e tij 22-vjeçare. “Një natë shumë e veçantë Royal Opera House, për të treguar nderimet e mia së bashku me kolegët dhe madhërinë e tij mbretin Charles, për maestron tonë të dashur Toni Papanno”, shkruan sopranoja Jaho në rrjete sociale. Në videot publikuara, duartrokitje të shumta janë për sopranon Ermonela Jaho, e cila ishte e shoqëruar nga mbreti Charles III në skenë. Maestro Antonio Papanno shërbeu edhe si dirigjent në Kurorëzimin e Mbretit vitin e kaluar. The Royal Opera është një kompani britanike e operës me qendër në Londrën. Së bashku me Operën Kombëtare Angleze, ajo është një nga dy kompanitë kryesore të operës në Londër.
Jaho në skenat ndërkombëtare
Sopranoja Ermonela Jaho me një interpretim në skena të ndryshme është një nga artistet e vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Në vijim të aktivitetit të saj ajo u shpall “Artistja e vitit 2023” nga “International Classical Music Awards -ICMA”. Çmimi i delegohej sopranos së shquar të operës botërore, Ermonela Jaho me motivacionin: “Me bukurinë unike të zërit të saj madhështor, të udhëhequr me vendosmëri drejt shkëlqimit të lavdishëm, Ermonela Jaho mahnit me estetikën e saj të pastër vokale. Por kjo nuk është vetëm njëra anë e artit të madh të këngëtares, tjetra është prezenca elektrizuese teatrale. Pak këngëtarë arrijnë një shkallë kaq të lartë të identifikimit me rolet e tyre, me një vërtetësi absolute dhe me një emocion prekës. Me të dalë në skenë Ermonela Jaho e hedh tej personalitetin e vet si një mantel dhe mishëron plotësisht personazhin që duhet të interpretojë”. Ermonela Jaho, sopranoja e njohur shqiptare është anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ermonela Jaho pas diplomimit nga Liceu Artistik “Jordan Misja”, studion në Akademinë e Arteve po në Tiranë. Ajo fiton nje konkurs të organizuar nga sopranoja italiane Katia Ricciarelli në Shqipëri, dhe vendoset në Itali ku fillon të studiojë në akademinë e Mantovës. Më pas, ajo ndjek studime muzikore në Akademinë Kombëtare të Santa Cecilia, në Romë. Karriera e saj e kthen atë në një ikonë arti botërore. Fitoi shpejt sukses nëpër botë, me lavdërime të shumta nga kritikët. Albumi “Anima Rara” i Ermonela Jahos është vlerësuar gjithashtu me një çmim të madh ndërkombëtar më parë. Me interpretime në shfaqje të ndryshme operistike në botë, Ermonela Jaho është prezantuar me sukses edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.