Komedia “Gruaja e burrit tim” është premiera më e re e Teatrit Shëtitës “Çajupi”. Vepra e autorit të njohur britanik Ray Cooney vjen në skenë me regji nga Kiço Loço dhe do të shënojë premierën në skenën e teatrit “Petro Marko” të qytetit të Vlorës. Në mbrëmjen e së premtes dhe të shtunës për publikun e Vlorës do të jetë në skenë vepra e autorit britanik Ray Cooney, ku dhe më parë regjisori Londo ka sjellë në skenat tona pjesë të tij. Në fillim të shfaqjes “Gruaja e burrit tim”, dy gra, secila pa dijeninë e tjetrës, telefonojnë rajonet përkatëse të policisë lokale për të raportuar zhdukjen e burrit të tyre. Në fakt, ai është shtruar në spital pas një sulmi që pësoi teksa mbronte një zonjë të moshuar nga dy banditë. Në konfuzion, taksisti i ka dhënë pa dashje policisë të dyja adresat ku ai jeton dhe pak më pas një zyrtar i rendit e shoqëron përsëri në shtëpinë ku jeton me gruan e tij Meri, ku shfaqet me një fashë të dukshme në kokë. Nga ai moment fillon loja e keqkuptimeve dhe seria e gënjeshtrave që taksisti sajon për të mbrojtur sekretin e bigamisë së tij. “Gruaja e burrit tim” është diçka tjetër. Falë aktorëve të mrekullueshëm të zgjedhur me kujdes, shfaqja ruan qeshjet e shkaktuara nga tensionet dhe ndërlikimet e situatave duke i transformuar ato me ironi të lezetshme dhe delikate, falë vëmendjes së jashtëzakonshme ndaj detajeve. Rolet në komedi këtë herë regjisori Kiço Londo ia ka besuar një kasti aktorësh të njohur për publikun. Në role janë Xhejni Fama, Denisa Demaj, Denada Llanaj, Ersiljano Xhelollari, Aleksandër Kondi, Genci Lleshi, Eglein Laknori. Vepra është përkthyer nga Vasilika Londo, as regjsor Olgert Mataj.
Londo dhe veprat e autorit anglez në skenë
Komedia “Gruaja e burrit tim” është vepra e tretë që regjisori Kiço Lodo vendos ta sjellë në skenën teatrore shkruar nga autori i njohur anglez Ray Cooney. Më parë në skena për publikun kanë qenë me regji nga Kiço Londo shfaqjet teatrore “Një burrë me dy gra” dhe “U njohëm në internet” vepra të shkruara nga Ray Cooney, që gjithashtu kanë pasur shumë sukses. Shfaqja teatrore në Vlorë është një tjetër premierë e Teatrit Shëtitës “Çajupi”, ku një nga qëllimet e tij është që të vihen në skenë produksione teatrore cilësore. Ray Cooney (lindur më 30 maj 1932) është një dramaturg i njohur, por aktiviteti i tij është edhe si dhe aktor e regjisor anglez. Cooney filloi të aktrojë në vitin 1946. Me Tony Hilton, ai shkroi skenarin për filmin komedi britanik “What a Carve Up!” (1961), i cili paraqet Sid James dhe Kenneth Connor. Në vitin 1983, Cooney krijoi Teatrin e Komedisë dhe u bë drejtor artistik. Gjatë drejtimit të tij kompania prodhoi mbi njëzet shfaqje. Në vijim të aktiviteti të tij nuk kanë munguar dhe vlerësimet ndër vite.