Vepra teatrore shqiptare dhe të huaja këtë vit janë në edicionin e dytë të Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu” në Tiranë. Teatri Kombëtar i Kosovës në festival erdhi me shfaqjen teatrore “1984”. Vepër nga autori George Orwell me regji nga Igor Mendjisky. Shfaqja që u soll në skenë nga aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Tiranë flet për fuqinë, identitetin, vetminë dhe kërkimin për veten përmes kërkimit për të tjerët. “Në të eksplorohet dashuria, politika, fëmijëria dhe telashet e saj. Ky këndvështrim është një satirë, e cila me kalimin e viteve është shndërruar në një roman pritjeje, një afresk metafizik, të gjallë, të frikshëm dhe prekës. Si çdo roman i madh, ky rrëfim mban brenda vetes të gjitha temat kryesore të gjendjes njerëzore, ndoshta me një dëshirë për të parandaluar të keqen”, thuhet për këtë vepër teatrore në materialin festivalit. Në role janë Ardian Morina, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Flaka Latifi, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci dhe Ylber Bardhi. Më herët për premierën në Prishtinë, regjisori Mendjisky ka pohuar se fokusi në këtë shfaqje do të jetë në historinë e dashurisë, ajo në mes të Winstonit dhe Julias, por e gjitha satira dhe parashikimi që e karakterizojnë këtë libër, janë gjatë gjithë kohës në këtë shfaqje. “Mendoj që adaptimi flet për politikën, për fuqinë, për ligjin, për këtë histori dashurie dhe për faktin se pse Orwell vendosi të shkruajë novelën “1984”, sepse Orwell është po ashtu në këtë skenë, në këtë adaptim”, tha Mendjisky. Skenograf në shfaqje Mentor Berisha, kostumografe Yllka Brada, kompozitor Trimor Dhomi, as/ regjisor Alper Zilgir.
Vepra dhe festivali
Vepra nga autori George Orwell me regji nga Igor Mendjisky konkurron në festivalin “Moisiu”, që këtë mbrëmje shënon natën e fundit të tij. Festivali nisi më datë 20 nëntor dhe gjatë këtyre mbrëmjeve për publikun kanë qenë trupat artistike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ky ballafaqim veprash, ku dominojnë ato të gjuhës shqipe, edhe si mënyrë për ta promovuar sa më shumë, ka nisur vitin e kaluar me iniciativën e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit. Më herët në fjalën e tyre, drejtuesit e teatrove tona, Adem Karaga (Teatri Shqiptar i Shkupit), Altin Basha (Teatri Kombëtar i Shqipërisë) dhe Kushtrim Sheremeta (Teatri Kombëtar i Kosovës) theksuan rëndësinë e këtij festivali për zgjerimin e bashkëpunimit të vendeve tona në fushën e teatrit, ekipeve të brezave, atyre më të rinj dhe më me përvojë, shijeve estetike, takimeve dhe debateve me fokus përmirësimin. Vendi pritës, Shqipëria ka një anëtare jurie në festival aktoren Yllka Mujo, ndërsa dy teatrot e tjerë nga dy anëtarë. Teatri Shqiptar i Shkupit ka angazhuar aktorin Dritëro Ame dhe gazetaren e publicisten Diana Toska, ndërsa Teatri Kombëtar i Kosovës, aktorët Armond Morina dhe Shengyl Ismaili. Edicioni i dytë i “Moisiu-t” do të mbyllet me bashkë prodhimin e tri teatrove, “Shtëpia e Zotit” me autor Ledian Gjeçi dhe regji nga Ilir Bokshi. Kjo shfaqje është jashtë garës.