Viti që vjen premton aktivitete të ndryshme, që do të nxisin krijimtarinë. Përgjatë vitit 2025 Tirana do të jetë kryeqyteti mesdhetar i kulturës e dialogut, ku Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shprehet se do të mbështesë aktivisht organizatat dhe skenën e pavarur artistike. “Tirana, kryeqyteti mesdhetar i kulturës dhe dialogut për vitin 2025! Si MEKI, ne do mbështesim aktivisht organizatat dhe skenën e pavarur artistike, e në vijim jemi zotuar të rrisim këtë mbështetje duke adresuar çdo sfidë me të njëjtin ritëm siç po rritet dinamizmi i kryeqytetit tonë. Vizioni jonë për të ardhmen- një vizion që feston diversitetin, gjithëpërfshirjen dhe shkëmbimin e ideve midis popujve tanë. Në bashkëpunim me partnerët tanë, Unionin për Mesdheun, Anna Lindh Foundation dhe Bashkinë e Tiranës, jemi gati të shkëlqejmë në skenën ndërkombëtare të kulturës dhe dialogut. Viti 2025 premton plot aktivitete që do të nxisin krijimtarinë, promovimin e dialogut, ndërgjegjes qytetare e përqafimit të fuqisë transformuese të artit e kulturës”, thuhet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që ndau një ditë më parë fotot nga aktiviteti i mbajtur në Piramidën e Tiranës, ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të MEKI-t, drejtues të institucioneve të artit dhe kulturës, artistë të ndryshëm dhe më gjerë. 43 shtetet anëtare të Unionit për Mesdheun nisën iniciativën “Kryeqytetet Mesdhetare të Kulturës dhe Dialogut” gjatë Forumit të tyre të 7-të Rajonal në nëntor të vitit 2022.