Ekspozita të artit pamor, shfaqje teatrore dhe të tjera aktivitete artistike këtë vit në aktivitetin “Ura me tri harqe” në Tiranë. Një manifestim i përbashkët kulturor i tre institucioneve të arsimit të lartë të hapësirës mbarëshqiptare, Universitetit të Arteve në Tiranë, Fakultetit të Arteve të Universitetit “Hasan Prishtina” dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës që zhvillohet në formë rotacioni midis Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës. Aktiviteti më i rëndësishëm artistik për institucionet e larta artistike shqiptare solli në Universitetin e Arteve në Tiranë një maratonë dy ditore plot me evente muzikore, koncerte, shfaqe filmash kinematografikë me metrazh të shkurtër, shfaqje të artit dramatik dhe veprash arti pamor për publikun, ku edicioni i XIV-të hapi siparin më 16 maj në Universitetin e Arteve. Aktivitetin e hapi zëvendës rektori i Universitetit të Arteve prof. dr. Erald Bakalli, i cili në fjalën e tij, nënvizoi rëndësinë e këtij manifestimi kulturor. Aktiviteti u përshëndet gjithashtu nga prof. dr. Senad Abduli, Dekani i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës si dhe prof. Ismet Jonuzi nga Fakulteti i Arteve të Universitetit “Hasan Prishtina” të Prishtinës. Gjatë kësaj dite në galerinë FAB u bë hapja e ekspozitës së artit figurativ me punime të zgjedhura nga studentët e të tre institucioneve. Më tej aktiviteti, sipas kalendarit artistik, vijoi me shfaqjen teatrore “Shtëpia e Bernarda Albës”, interpretuar nga studentet e Fakultetit të Artit Skenik si dhe shfaqjen e filmave dhe dokumentarëve me metrazh të shkurtër, përzgjedhur nga punët e studentëve e të tre institucioneve.
Pas Tiranës vitin që vjen në Tetovë
Edhe dita e dytë e manifestimit artistik “Ura me tri harqe” vijoi me aktivitete të ndryshme në Universitetin e Arteve në Tiranë. Studentët e departamentit të artit skenik nga Fakulteti i Arteve të Prishtinës dhe Tetovës me interpretimet e tyre, dëshmuan talentin dhe punën e tyre të pa lodhur për të sjellë në këtë aktivitet interpretime, të cilat u mirëpritën nga kolegët e tyre, studentë e pedagogë, të pranishëm në sallën e shfaqjes. Aktiviteti u përmbyll pasdite me një koncert të përbashkët të studentëve të departamentit të interpretimit muzikor të Tetovës, Prishtinës dhe Tiranës ku të gjithë së bashku, me interpretimet e tyre dhe me programin e larmishëm, sollën një atmosferë të ngrohtë. “Ura me tri harqe” një vit më parë me aktivitete të ndryshme artistike dhe kulturore u zhvillua në Prishtinë, ndërsa vitin që vjen pritet që të zhvillohet në qytetin e Tetovës në Maqedoninë e Veriut. Universiteti i Arteve në Tiranë është institucion publik i arsimit të lartë me karakter artistik në Shqipëri. Universiteti i Arteve ka tre fakultete: Fakultetin e Muzikës; Fakultetin e Arteve të Bukura dhe Fakultetin e Artit Skenik.