Guri Madhi një prej piktorëve më të shquar shqiptar, vepra e të cilit do të jetë pjesë e një ekspozite që ka dhe emra të tjerë të njohur të artit botëror. Piktura e Guri Madhit me titull “Kur nuk shkojnë në stadium” do të jetë pjesë e ekspozitës digjitale në Muzeun e Futbollit Gjerman në Dortmund. Kjo bëhet me dije nga Pandi Madhi, i biri i piktorit Guri Madhi. Në Muzeun e Futbollit Gjerman në Dortmund, në një sipërfaqe prej 1000 metra katrorë do të ekspozohen 175 vepra arti me temë futbollin, të 100 autorëve, ndërmjet të cilave është përzgjedhur dhe vepra e vitit 1986 “Kur nuk shkojnë në stadium” e piktorit shqiptar Guri Madhi (1921-1988). Ceremonia e hapjes së ekspozitës “In motion- art & football” do të jetë në 27 maj dhe do të jetë për publikun deri më 6 janar 2025. Në këtë ekspozitë do të jenë vepra të Salvador Dalisë, Picassos, Joan Miro, Rene Magritte, Paul Klee, Alexander Deyneka, Banksy, etj, ku pjesë e saj është dhe piktori i njohur shqiptar Guri Madhi. Njoftimi për ekspozitën u publikua dhe te pena.al. Në faqet 224 dhe 225 të katalogut të kësaj ekspozite, me titullin “In motion” dhe autor Manuel Neukirchner (drejtor i muzeut) prezantohet vepra e Guri Madhit që është pjesë e ekspozitës, e shoqëruar me analizën e saj dhe jetëshkrimin e artistit. Piktori Guri Madhi (Korçë, 15 maj 1921 – Budapest, qershor 1988) ishte dhe një ndër themeluesit e Institutit të Lartë të Arteve sot (Universiteti i Arteve) në vendin tonë. Një ditë më parë ishte ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja që kujtoi piktorin Guri Madhi. “Përkujtojmë në përvjetorin e tij të lindjes, Artistin e Popullit, Guri Madhi! Një ndër themeluesit e Universitetit të Arteve me mbi 400 vepra në 33 vjet krijimtari dhe një nga piktorët më të mëdhenj shqiptarë!”, u shpreh ministri Gonxhja në rrjete sociale. Guri Madhi u nderua në vitin 1976 me titullin “Piktor i Popullit”.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë