Drama “Para Perëndimit” e nobelistit Gerhart Hauptmann po vijon për publikun në skenën e teatrit Metropol në Tiranë. Një katastrofë familjare në sfondin e një bote të trazuar. Drama e nobelistit Gerhart Hauptmann, na jep një mundësi për të shqyrtuar vendin e individit në botën bashkëkohore. A janë zgjedhjet e tij të lira apo të kontrolluara? Kjo shfaqje sjell një kastë aktorësh të njohur për publikun, ku Alfred Trebicka vjen në rolin kryesor Clausen. Producenti dhe kineasti Skënder Jaçe shprehet se është një shfaqje dinjitoze. “Aktori i shquar Alfred Trebicka, me një lojë brilante, plot dritë dhe aromë teatri të vërtetë për të cilin na kishte marrë malli, mbajti të gozhduar mbi dy orë spektatorin i cili s’pushonte nga duartrokitjet. Mos humbisni rastin ta shikoni!”, shprehet Jaçe. Regjia: Xhunga Çobani, ku vepra do të jetë në skenë në datat 9, 10, 11, 12, 18, 19 maj. Interpretojnë në role Alfred Trebicka, Ilirda Bejleri, Elia Zaharia,Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Alex Seitaj, Luli Bitri, Alert Çeloaliaj, Pjerin Vlashi,Vasjan Lami, Klesta Shero, Roerd Toçe, Ligoraq Riza, Genc Fuga, Elona Hyseni, Kastriot Ramollari, Artur Vera, Laura Hoxha, Megi Duka, Maringlen Domi, Xhoni Spahi, Adela Gjyla. Vepra “Para perëndimit” është përkthyer nga Edvin Cami. Skenograf Genc Shkodrani, kostumografe Edlira Qyshka dhe kompozitor Endri Sina. “Para Perëndimit” përqendrohet në dramën e “mungesës së lirisë” me të cilën përballet 70-vjeçari Matthais Clausen. 3 vite pas vdekjes së gruas së tij, ai bie në dashuri me një vajzë të re Inken, por që pengohet nga të gjitha anët prej atyre që e rrethojnë, mbi të gjitha familja e tij që e sheh këtë histori dashurie si kërcënim të trashëgimisë financiare dhe shpirtërore të familjes. Gerhart Hauptmann ishte një dramaturg dhe romancier gjerman. Gerhart Hauptmann lindi në 1862 në Obersalzbrunn, (atëherë pjesë e Mbretërisë së Prusisë, tani pjesë e Polonisë). Në vitin 1912, atij iu dha çmimi “Nobel” për Letërsinë. Gerhart Hauptmann lindi në 15 nëntor të vitit 1862 dhe vdiq në 6 qershor të vitit 1946.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë