28 Nëntor 1943, festa e flamurit dhe e Brigadës së 2-të Sulmuese. Në Shëngjergj, dy ngjarje të mëdha festohen në një ditë. “Dita e Flamurit” dhe inaugurimi i “Brigadës së 2-të”. Morën pjesë populli i krahinës së Shëngjergjit, nxënës shkollash, çeta partizane, anëtar të këshillit dhe shtabit të përgjithshëm të UNÇ. Historia e Brigadës II Sulmuese është historia e luftës dhe e përpjekjeve të atyre bijve dhe bijave që erdhën në gjirin e kësaj njësie nga zona dhe krahina të ndryshme të Tiranës, Elbasanit, Gjirokastrës, Mallakastrës, Kurveleshit, Kolonjës, Librazhdit etj. Brigada II Sulmuese është një nga formacionet e para e më të mëdha partizane. Në ditën e inaugurimit, pjesëmarrja e gjithë popullit dha mesazhe shumë domethënëse. Këngë dhe valle pas ceremonisë. Më poshtë do të sjellim kujtimet e Omer Nishanit dhe oficerit britanik të SOE Hibbert. “Ishte nëntor 1943, një ditë e errët qielli mbushur me re nxinte nga të katër anët. Tirana ishte në zi. Gjermanët kishin zënë pozitat dhe Gestapoja sa vinte dhe po e zgjeronte rrjetin e spiunazhit me ndihmën e Ballit dhe Legalitetit. Kryetarët e Ballit që e quanin veten “ilegalë”, shëtisnin në Tiranë me automobila. Ndenja në Tiranë po bëhej dita ditës e rrezikshme, për anëtarët e lëvizjes nacionalçlirimtare e sidomos për anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm. Na vjen një lajm për të qenë gati ashtu nga ora pesë pasdreke. Ishin marrë informata se atë natë do të bëhej rrethimi i Tiranës dhe do të kërkoheshin gjithë shtëpitë. Ikja u bë aq e shpejtë sa s’morëm të ç’këmbejmë as rrobat. Unë dola me nje shok nga shtëpia ku isha fshehur. Dhe duke ndjekur rrugicat arritëm ku ka qenë Biblioteka Kombëtare e cila të nxjerr për në Shkozë. Në rrugë kishte një lëvizje të madhe, se qe koha që çdo njeri kthehesh me nxitim për në shtëpi. Shkonin rrugës grupe njerëzish, kalonin kamionë e kamionçina që përcillnin shokët tanë. Rrugës u takuam me shokë të tjerë. Dukej sikur disa qytetarë vështronin me kuriozitet gjithë këto njerëz që kalonin nga dy, nga tre, duke mbajtur njëfarë largësie. Ndodheshim atje ku ndahet rruga për në Shkallë dhe për në Qafëmollë. Pyetëm disa katundarë se cila udhë na shpinte më shpejt në Shëngjergj. Po të shkonim poshtë do të duhet të kalonim disa herë Erzenin. Pastaj rruga ishte shumë e keqe, kurse duke ecur xhadesë për në Qafëmollë, ishte si më e mirë dhe s’kishte lum. I ramë xhadesë duke ecur grumbuj -grumbuj, duke biseduar dhe duke qeshur. S’di pse kishim një gëzim në zemër. Dhe në fytyra nuk shihej ndonjë shenjë mërzitje dhe dëshpërimi.
Arritëm në Qafëmollë dhe u ndamë në fshat për të ngrënë një kafshatë bukë. Në grup vanë në një shtëpi ku na doli një plakë e cila na tha se nuk i kishte burrat aty dhe na pyeti në ishim “miqtë” e Abaz Agës. Hyjmë brenda dhe na dha diçka për të ngrënë. Siç thashë më sipër ne do të venim në Shëngjergj dhe aty do të mësonin ku ishte Shtabi i Përgjithshëm. Por, një partizan nga Qafëmolla që posa kishte arritur në fshat na tha se shokët ishin në një vend midis Shëngjergjit, Martaneshit e Dibrës. Dhe nuk shkuam më nga udha që të shpie për në Shëngjergj. Morëm pra xhadenë. Ora ishte tre pasdreke. Dielli ishte i zënë me re të zeza, po shi nuk binte akoma. Po ecnim me të shpejtë. Ecnim, ecnim, po rruga s’mbaron dhe sa vete e ngjitet maleve në të mëngjerën tonë. Po erret, po nxihet nga të katër anët”. Në kujtimet e tij, Nishani tregon se ata kishin arritur në destinacion, ku sipas tij nuk mungonte dhe gëzimi në sy. “Të nesërmen pasdreke unë dhe disa shokë zbritëm poshtë për në Shëngjergj ku arritëm natën. Shkuam në shtëpinë e Ali Shtëpanit, njeri i lëvizjes NC i cili na priti me gëzim, ndenjëm rreth zjarrit e u thekëm mirë. Zjarri na kënaqi dhe na hoqi çdo lodhje, u shëruam. Nesër erdhën dhe shokët e tjerë me Enverin.
Në Shëngjergj ndenjëm nja dy javë. Atje u bë inaugurimi i Brigadës së 2-të. Në Shëngjergj festuam dhe 28 nëntorin 1943. Dy javë të tëra ishim mysafirët e Ali Shtëpanit, një burrë i shkuar, i dashur, i ëmbël, i guximshëm. Ai su lodh kurrë së na shërbyeri me buzë në gaz. Mbante në brez një dhjetëshe dhe se hiqte kurrë. I thashë njëherë: “Ali Aga pse se heq këtë kobure se je brenda në shtëpi se të grisi mesin” – E kam bërë zakon, kështu e mbaj gjithnjë- se lë- e kam për kokë- me tha. Kishte të drejtë se kur luftoi me gjermanët afër shtëpisë, automatiku ju bllokua dhe u mbrojt me dhjetëshen që kishte në brez. Në këtë përpjekje Ali Aga mori dy plagë të mëdha. Kurrë nuk do ta harroj pritjen bujare dhe shërbimin që na ka bërë Ali Shtëpani në shtëpinë e tij”, shkruan Nishani. Më tej ai tregon se Çermenika si dhe Shëngjergji ishin zonë e lirë, sepse armiku s’vinte dot. Forcat partizane ishin afër Elbasanit. Vinin lajme sipas tij, se gjermanët po organizonin bandat e Ballit dhe përgatiteshin për një ofensivë të gjerë të dimrit.
Gjenerali britanik Dejvis në Shëngjergj gjatë inaugurimit të Brigadës së II. Ja kujtimet e oficerit të SOE Sër Rexhinald
“Dejvisi e gjeti Enver Hoxhën në Shëngjergj duke ndjekur paradën e Brigadës së Dytë. Në fakt kjo ishte ceremonia e përurimit të brigadës së dytë, ndonëse nga rrëfimi i tij duket se “Trockit’ nuk ju tha se kjo ishte ngjarja me të cilën po vinte dëshmitar. Enver Hoxha jep si datë 28 nëntorin. Partizanët ishin të veshur keq të mbathur keq dhe të ushqyer keq, por armët e tyre ndonëse të markave të ndryshme ishin të mbajtura mirë dhe ato kishin me vete një njësi italiane me katër topa malorë. Enver Hoxha deshi të zgjatej për nevojat urgjente të furnizimeve, por ra në heshtje kur gjenerali i shtroi çështjen për të ikur drejt jugut e për t’u përqendruar me furnizim dhe konsolidimin atje, duke e braktisur Shqipërinë e Mesme (dhe Tiranën), hë për hë, dhe duke i lënë grupet partizane lokale që të vepronin si të mundeshin më mirë. Hoxha tha se ai dhe kolegët e tij do të mendoheshin për këtë propozim, Gjenerali u kthye në Martanesh ku shtabi i tij dhe të tjerët që i ishin ngjitur me misionet e shpërndara po jetonin në rrethana të vështira dhe racione të shkurtuara, pa dru zjarri, pa llamba vetëm me disa qirinj, ndërsa shiu si lum dhe i zgjatur rridhte poshtë maleve përreth”. Kështu shkruan Sër Rexhinald i cili gjatë Luftës Nacionalçlirimtare në Shqipëri kishte qenë oficer i SOE-s (The Special Operation Executive).