Me metodat dhe skenarët e përdorur gjatë kohës të fundit, datë që përkon me vendimin e kufizimit të lëvizjes dhe paraqitjes së Sali Berishës dy herë në muaj para oficerit të BKH dhe urdhri për marrjen e pasaportës, duke i pamundësuar daljen jashtë shtetit, deputetët e Berishës dhe ata të Gazmend Bardhit janë shndërruar fiks në debatikas të nëntor- dhjetorit 2023. Përngjasimi është identik në formë dhe në përmbajtje. Me llastiqe gjuanin fashistët pushtues Coli me shokë, po kështu me karrige gjuajnë debatikasit modernë, Ervin Salianji, Dogjeni deri edhe zonjat deputete. Në xhepat e pantallonave i fshihte guriçkat dhe llastiqet Coli, në çorape i fsheh flakadanët deputeti Baçi. Sa për fshehjen e “armëve” anti parlament, metodat e deputetëve opozitarë janë sofistikuar. Natyrisht nuk mund të mbeteshin në përmbajtje a formë as në mjetet e tetëdhjetë viteve më parë. Mjetet kanë evoluar dhe modernizuar. Sot janë në modë flakadanët, çakmakët me gaz, jo si në ato vite me strall. Po kështu edhe vendfshehjet e mjeteve për të sulmuar parlamentin, janë të fjalës së fundit. Flakadanët zhyten në parfumin firmato që kushton mbi 400 euro. Po kjo nuk përbën shqetësim, mjafton t’ia hedhin gardistëve që u duken si oficerë të Simit, se për harxhime, deputetët demokratë nuk i kanë problem paratë. Nuk kursejnë zonjat deputete për parfumet më të reja pavarësisht nga vlera e tregut. Mjafton që të arrihet qëllimi të depërtojnë brenda sallës së parlamentit dhe të garantohet vijimi i betejës të flakadanëve, duke bërë tym e zjarr sallën e demokracisë, atje ku shqiptarët presin të miratohen ligje e vendime dhe tani në fundvit buxheti i vitit 2024. Sapo nisin diskutimet për buxhetin e ri, që është ligji më i rëndësishëm i çdo shteti deputetët debatikas nisin sulmet masive, siç kanë vepruar gjatë tërë kësaj periudhe luftën kundër pushtetit legjislativ. Edhe pse e bëjnë zjarr sallën dhe pirg karriget e deputetëve, ankohen për kohën e shkurtër të debatit parlamentar të buxhetit. Deputetët e mazhorancës, të vendosur përballë agresionit me të gjitha mjetet nga debate fizike ballë për ballë i kthehen diskutimeve online. Ndodh kështu prej ditësh. I vetmi ndryshim është se pas çdo seance, deputetët zgjedhin thjesht armë të reja. Të fundit ishin kapsollat lehtësisht të gjendeshme në këtë prag të vitit të ri të cilat janë me shumicë në çdo kioskë. Deputetët e Berishës dhe Gazmend Bardhit në mungesë të theksuar të mbështetjes popullore, më saktë të braktisjes totale shtojnë agresivitetin ndaj pajisjeve dhe vetë deputetët e mazhorancës, të cilët targetohen për t’i goditur edhe fizikisht, siç u veprua me deputetin e njohur për kulturën dhe mirësjelljen në debate dhe komunikimin me kolegët, Petro Koçi, i cili u kërcënua për ta goditur. Beteja e deputetëve foltoristo – bardhistë edhe pse agresive nuk ka arritur asnjë përfundim pozitiv. Metodat e ndjekura prej deputetëve në revolucion nuk kanë sjellë asgjë në objektivat e tyre për të arritur mposhtjen e kundërshtarëve politikë apo ndryshim të axhendës kuvendore. Ka një problematikë të jashtëzakonshme në tërë veprimtarinë e deputetëve të opozitës, të cilët me aksionin e tyre për të arritur të diktojnë vullnetin ndaj deputetëve socialistë nuk iu ka ecur sipas skenarit. Defekt i skenaristit apo mungesa e mbështetjes popullore? Të dyja bashkë! Aksioni revolucionar i deputetëve agresivë deri sot asgjë nuk ka arritur në rrugëtimin e tyre anti mazhorancë. Atëherë, ku shkon kjo pjesë e opozitës dhe sa e ndihmojnë Berishën dhe të tijët këto akte të cilat irritojnë, jo vetëm qytetarët mbështetës të PS, po edhe vetë militantët e Berishës, të cilët po korrin atë që mbjellin. Me fjalë të tjera asgjë. Tek e fundit betejat partiake në se nuk japin asnjë fryt në se shikon indiferentizmin në reagimin e qytetarëve mbështetës historikë të Berishës vihet re fare qartë se ata po e lënë grupimin parlamentar në vetminë e tyre drastike. Në këto tri dekada nuk ka ndodhur kurrë që opozita të lihet jetime dhe mos të ketë askënd në krah. Po pse ndodh kështu, cili është përfitimi dhe ku është fitorja anti mazhorancë që kaq etshëm trumbetohet në konferenca të përditshme me gazetarët? Kush e mbështet këtë lëvizje që trumbetohet betejë pa kthim? Askush nuk merr mundimin të rreshtohet me Berishën dhe deputetët zjarrvënës. Dhe kjo flet më shumë se gjithçka. Kur militantët kanë braktisur idhujt e deridjeshëm, atëherë me cilat protesta do ta nxjerrin opozitën nga bataku ku është zhytur? Cilët janë ata që do mbushin sheshet dhe rrugët anë a mbanë Shqipërisë? Asgjë s’ka për të ndodhur. Opozitatarët antiparlament do rrotullohen siç rrotullohen mokrat mullirit kur vijnë rrotull dhe nuk bluajnë asgjë. Deputetët opozitarë i gëzohen zhurmës dhe kaosit. Ngrenë në qiell ndezjen e flakëve! Vetëmburren me hyneret e tyre paçka se asgjë nuk kanë arritur. Më e shumta, ajo që është arritur nga deputetët opozitarë është sigurimi i një vendi preferencial në listën e deputetëve të ardhshëm edhe pse deri në hartimin e listave të kandidatëve do rrjedhin shumë ujëra dhe ata që lëpihen dhe i vijnë rrotull liderit fuqiplotë për një mundësi në zgjedhjet e ardhshme e kanë të kotë. Kjo rrëmujë nuk u jep status special se dikush zbret, një tjetër ngjitet dhe në fund askush nuk e di se do jetë apo jo në preferencën e Berishës. Betimi për moskthim mbrapa i deputetëve të “Rithemelimit” dhe ata të Gazmend Bardhit, vetëm sa do i zhvlerësojë edhe më shumë në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Deputetët e revolucionit që synojnë destabilizimin e Shqipërisë si ndër tërë këto vite ku opozita e sotme edhe dje në pushtet veç ka rrënuar Shqipërinë, duke e nisur përsëri nga zero. Të vetmen performancë dhe arritje e revolucionarëve, deputetë opozitarë është se i’a mbërritën të rikrijojnë edhe njëherë debatikasit e rinj. Me të vetmin ndryshim se debatikasit e djeshëm ishin pjesë e revolucionit në një vend të pushtuar kund&e
uml;r fashizmit ndërsa këta deputetët debatikas të rinj nuk kanë asgjë të përbashkët me të djeshmit. Debatikasit në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishin progresistët krahë përkrah boshtit fitimtar, ishin për liri dhe kundër robërisë. Debatikasit e rinj janë imitim komik i tyre. Edhe në pajisjen e armëve, llastikat e Colit apo guriçkat e djemve të mitur, u zëvendësuan me kapsolla, flakadanë, fishekzjarre. Pa folur për idealizimin e debatikasve dje dhe makutërinë dhe agresivitetin e deputetëve debatikas të 2023. Asgjë nuk është e ngjashme. Ndryshimi është epokal. Pastaj këta sot vërtetë bëjnë debatikasin modern, po janë në moshën e gjyshërve të atyre dje, të cilët ndryshe nga tanët sot që kanë qëllim pasurimin, ata dje armën më të fortë kishin idealizmin, të ardhmen, lirinë, Shqipërinë. Këta debatikasit modern të vetmin synim kanë pushtetin, pasurinë!