Përditë Saliu me Gazin, dhe pak më rrallë Iliri, shfaqen në ekranet televizive dhe bëjnë deklarata demokracie para publikut, sipas pyetjeve të porositura që u bëjnë gazetarët. Një portal i Berishës, që ditën kur gjyqtarja Irena Gjoka dha masën e sigurisë për Berishën dhe Jamarbër Malltezin, vazhdon t’i drejtojë asaj pyetjen: a je shkarkuar nga ish-presidenti Berisha për korrupsion, dhe a je në konflikt interesi me vendimin që ke marrë? Meqë Berisha po “digjet” për Kushtetutën dhe mediat pranë tij e gazetarët e “pavarur”që e ftojnë atë në studio, rrinë kokëulur para tij, po u drejtojmë disa pyetje tri “kokave të mëdhaja” të opozitarizmit të cilët mbajnë monopolin e “së vërtetës” në Shqipëri:
Pyetje për Berishën:
– A është gjyqtarja Olldashi në konflikt interesi me vendimin që mori për lirimin e Malltezit në arrest shtëpiak, kur ajo ka fituar apartament tek kullat e ndërtuar prej tij?
– A i qëndron më deklarimit publik, se katër protestuesit në 21 janar u vranë nga “çadrat pistoletë “ dhe “thikat me helm”?
– A e mbron akoma deklarimin se “ do të vrisje jo 3, por edhe 30, 300 e 3000, nëse prekeshin institucionet”?
-Si ish President dhe ish Kryeministër, a i që qëndron më vlerësimit që bëre më 21 janar, se “Prokurorja dhe Presidenti i Republikës ishin lavire dhe horr bulevardi ?
– A ishte shkelje e Kushtetutës urdhri Juaj për të mos t’ia dorëzuar Prokurorisë zinxhirin komandues të Gardës që bëri vrasjet e katër demonstruesëve?
-Para ca ditësh deklarove se “nuk komentoj reagimet e ambasadorëve”. Të pyesim, a janë më për Ju Yuri Kim, një “McGonigal me fustan”, “guvernatore e blerë nga Edi Rama” dhe Ambasadori Britanik “një mafioz i korruptuar”, dhe kur do t’i publikoni dokumentet kompromentuese që dispononi për këto?
-Pse aktivistja Evi Kokalari, nga një mbështetëse e flaktë foltoreve tuaja, është kthyer kundërshtarja politike më e ashpër e juaja?
– A mund të argumentoni “metamorfozën” brenda një viti të Lul Bashës nga “ yll në ngjitje” dhe “e ardhmja e PD”, në “Lul Brava dhe peng i Ramës?”
-A është më Gaz Bardhi vrasësi i Elbasanit, i cili sipas jush “ka heshtur për krimin e bërë?”
-Cili është përfundimi i gjyqit në të cilin padite Blinkenit në Francë ngaqë të shpalli “non grada”?
– A i qëndron më deklaratës se Krichbaum, që e quajti të drejtën masën e marr nga Prokuroria ndaj Jush, se “ai fliste në emër të tij dhe jo të CDU-së dhe a e ke paditur edhe atë në gjyq siç premtove?
-Kur do t’i nxjerrësh videot erotike dhe dokumentet kompromentuese që disponon për gjyqtarët, prokurorët dhe politikanët e korruptuar?
-A mund të na tregosh qoftë edhe një rast të vetëm, që jeni paraqitur në organet e drejtësisë, kur jeni thirrur nga ato?
-A i qëndroni më deklaratës se Meta “është Ilir Floriri”, “koka e qelbur e krimit “ dhe “njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri”?
-A është aleati yt Ilir Meta ai që keni vërtetuar se “si Ministër i Jashtëm negocioi me Hajsek për Kastriot Ismailajn, duke shfrytëzuar postin zyrtar për të mashtruar për interesin e xhepit të tij?”
-Tani që Duka është rreshtuar në frontin tënd “opozitar”, a është më ai për ju “Duka i krimit?”
-Si e shpjegoni që ashtu siç mohuat baxhanakun tuaj që u vra në Gërdec,deklaroni sot se nuk keni asnjë lidhje me Erzen Breçanin, Shefi i Grupit tënd i Shoqërimit dhe ish kandidati yt për deputet, i arrestuar si bashkëpunëtor me krimin?
-A i ke thënë Ilir Metës, kur djali yt Shkëlzeni ishte i përzier me aferat korruptive të Gërdecit, se “…Shiko çfarë ka bërë ky budallai im, ça t’i bëj këtij budallait,se më turpëroi?
-A u qëndron deklaratave të prera “për rrezikun” e pranimit të refugjatëve në Gjadër, pasi ata “ do të sjellin vetëm dhunime seksuale e vjedhje si në Gjermani e Itali?”
-Nga kush është e kapur gjykata, e cila e ka dënuar me dy vjet burg Salianjin dhe ai i vë “trimërisht” zjarrin Parlamentit?
Për Metën:
– A i qëndroni më deklarimeve të dikurshme se “Sali Berishës nuk i duhet fare NATO, sepse ai ka qenë kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë?”
– A ka qenë i vërtetë deklarimi që keni bërë në parlament për Berishën: “për ty bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën e kam dhënë dorëheqjen një herë. Nuk e jap dy herë dorëheqjen për Shkëlzen Berishën? “
-A vazhdoni ta keni bindjen për lidhjen e Berishës me Gërdecin se “një Kryeministër si Berisha, i cili di edhe për një pastruese që është në opozitë me Partinë Demokratike në një institucion apo drejtori, dhe e largon nga puna, si të mos e dinte që kishte një fabrikë të tillë çmontimi predhash dhe armësh në mes të metropolit Tiranë-Durrës”?
-A ka qenë i vërtetë deklarimi i atëhershëm se “Shteti është i kapur kokë e këmbë nga Sali Berisha, për fat të keq, Kryeministri i këtij vendi?”
-A vazhdoni ta keni më mendimin që keni deklaruar dikur se “Z. Berisha përfundimisht është një politikan i degraduar që kujton se me teorinë “shpif, shpif se diçka do të mbetet” mund të mbetet diçka në mendjen e qytetarëve?”
– A i qëndroni deklarimit të korrikut 2002 se “Berisha projektoi piramidat?”
– A i qëndroni më deklarimit të vitit 2000 se “Berisha privatizoi pronat publike me njerëzit e SHIK-ut për nevojat familjare?”
Për Gaz Bardhin :
-A e pranoni ju shpalljen e Berishës “non grada” nga SHBA?
-A e pranoni sulmin që bëri Berisha ndaj selisë së PD, kur ishte ti Sekretar i Përgjithshëm,në 8 janar?
-Ai i qëndroni më deklaratës se “Berisha kërkon të bunkerizojë PD, njëlloj siç është bunkerizuar vetë dhe familja e tij?”
– A i qëndroni më deklaratës se “që nga 9 shtatori prej Berishës kemi dëgjuar gënjeshtra që të shndërrojë PD në shërbim të hallit të tij personal?”
– A është më për Ju Berisha “Babi i Zenit, që nuk e njeh baxhanakun e tij që shërbente në Gërdec?”
-A i qëndroni më deklarimit që “Berisha është njeriu që përpiqet t’i mbivendoset PD me dhunë dhe retorikë përçarëse?”
-A e ka më vilën luksoze Flamur Noka, për të cilën e ke akuzuar, apo e ke harruar, meqë tani jeni dy Sekretarë të Përgjithshëm të Rithemelimit të Saliut?
-Kur do ta vërtetoni me pamje e dokumente, siç keni premtuar, se “mbledhja online e Këshillit Kombëtar që organizove për tekat tuaja, ishte ligjore?”
-A vazhdoni akoma, të zgjidhni mes Edi Ramës dhe Berishës, Berishën e shpallur” non grada” nga SHBA?
– Si e keni kuptuar deklarimin e fundit të Ambasadës Amerikane se “nuk ka ndryshuar qëndrim me “non-gratat” dhe se “nxisim të gjithë aktorët të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla?
Dhe së fundi një pyetje konkluduese për mazhorancën:
-Nëse e keni seriozisht pastrimin e parlamentit dhe të politikës nga ish-komunistët dhe ish spiunët e sigurimit, pse vazhdoni ta mbani në sirtar dhe nuk e zbatoni Ligjin e miratuar për këtë qëllim… ?