-“Vendlindja, Stebleva, krenaria ime, frymëzimi im” Esat Musliu-
Regjizori Esat Musliu është lindur në vitin 1946 në Steblevë të Dibrës. Shkollën fillore dhe fëmijërinë e ka kaluar në Steblevë, në fshatin e tij të lindjes. Shkollën 7 vjeçare e ka kryer në qytetin e Peshkopisë duke jetuar në konviktin e nxënësve të largët. Në ato vite në Steblevë nuk kishte shkollë 7 vjeçare. Në vitin 1960 shpërngulet familjarisht në Tiranë, falë punës së babait të tij Jakupit që ishte një mjeshtër i vërtetë ndërtimi. Pikërisht në këtë kohë Esati, pas fitimit të konkursit fillon studimet për skulpturë në Liceun artistik “Jordan Misja”.Pas liceut Esati ndjek studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura. Punon për 3 vjet në revistën humoristike “Hosteni” ku përveç letërsisë lëvron edhe karikaturën duke punuar krahas shkrimtarëve të mëdhenj të humorit si Dritëroi Agolli, Niko Nikolla, etj. Nga viti 1973-1975 specializohet për regjizor filmi në kursin pasuniversitar pranë Akademisë së Arteve. Në vitin 1986 specializohet në Itali po për regjizor filmi, pasi në punën e tij si regjizor në Kinostudion “Shqipëria e Re” kishte rënë në sy për punën e tij të specializuar si regjizor i shumë filmave të suksesshëm. Kur thua Esat Musliu, të kujtohet emri i një regjizori të shquar, autor i shumë filmve artistikë shqiptarë. Esati ka bashkëpunuar me aktorë të mëdhenj të teatrit dhe kinematografisë sonë si Sulejman Pitarka, Margarita Xhepa, Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Ndriçim Xhepa, Xhevdet Ferri, Rajmonda Bulku, Luiza Xhuvani, Matilda Makoçi, etj. Ai ka realizuar dhjetra filma, ndër të cilët do të përmendim disa prej tyre:
“Ata ishin katër” 1977,
Regjia Kujtim Çashku, Esat Musliu. Interpretojnë Rezana Çeliku, Astrit Çerma, etj. Filmi e merr subjektin nga Lufta Nacional-Çlirimtare.
“Zemra që nuk plaken” 1977
Regjia Esat Musliu, Esat Ibro.
Në qendër të filmit është xha Azemi, një pensionist që ka dalë në pension pasi ka qenë 30 vjet shofer kamioni. Por ai nuk mësohet dot me këtë qetësi.
“Hijet që mbetën pas” 1985
Regjia Esat Musliu, skenari Diana Çuli, nën interpretimin e Matilda Makoçit. Xhevdet Ferrit, Reshat Arbanës, Ndriçim Xhepës etj. Në qendër të filmit janë dy të rinj Agroni dhe Marjeta, dashuria e të cilëve bëhet peng i padrejtësisë shoqërore.
“Rrethi i kujtesës” 1987
Regjia Esat Musliu, skenari Diana Çuli nën interpretimin e Marjeta Ljarjes, Thimi Filipit, Ermira Gjatës, etj. Regjia Esat Musliu, skenari Diana Çuli. Protogonistja e filmit Margarita Begolli kthehet në Shqipëri pas 20 vjetëve me kujtesë të humbur. Gruaja e sëmurë bërtet: “Hiqmani rrethin” Kjo thirrje është gjithmonë aktuale për ti bërë thirrje kujtesës së kombit.
“Nata e parë e lirisë” 1984
Ngjarjet e filmit zhvillohen në vjeshtë të vitit 1944 në Beratin e sapoçliruar , ku një grup partizanësh punon për normalizimin e situatës së pasluftës.
“Rruga e lirisë” 1982
Filmi e merr temën nga Lufta Nacionalçlirimtare. Një grup vajzash dhe grash partizane nisen në Beratin e sapoçliruar për të marrë pjesë në Kongresin e grave antifashiste. Atyre u duhet të kalojnë nëpër një rrugë të vështirë midis armiqve si edhe nëpër një rrugë tjetë rtë vështirë , atë të mposhtjes së koncepteve patriarkale e konservatore, të emancipimit të grave dhe të mbarë shoqërisë.
“Vitet e pritjes” 1989
Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitet 20 dhe marrin shkas nga kurbeti, emigracioni. Një emigrant kthehet nga kurbeti tepër i shqetësuar dhe i tronditur. Të gjithë e pyesin për të afërmit. Ai nuk përgjigjet. Ai hesht. Ç’të tregojë ? Vetëm halle e derte. Filmi është bazuar mbi romanin “Lëndina e lotëve” , por regjizori Esat Mysliu e ka njohur këtë tragjedi të shqiptarëve nëpërmjet njerëzve të tij që kanë punuar me vite të tëra në kurbet. E ka jetuar shpirtërisht këtë dramë. Ndaj është padyshim një nga filmat më të arrirë të regjizorit Musliu dhe të kinematografisë shqiptare.
“Nata” 1996
Regjia Esat Musliu, nën interpretimin e Tinka Kurtit, Anila Bishës, Ferdinand Radit etj. Filmi apelon për të shpresuar, për të ndryshuar dhe për të besuar. Në vitin 2003 shkon në Nju Jork , SHBA dhe realizon filmin.
“Pashke and Sofia”
Regjizori Esat Musliu ka realizuar edhe disa filma për fëmijë dhe dokumentarë. Ai është jo vetëm regjizor por edhe skenarist. Në disa prej filmave të tij edhe producent. Tani Esat Musliu është regjizor dhe krijues i lirë, por ekonomia e tregut e ka detyruar të akumulojë, pa mundur që ti shprehë plotësisht aftësitë e tij që janë në kulmin e tyre. Esati kurrë nuk është ndarë me shpirt dhe me zemër nga bashkëfshatarët e tij steblevas. Ai është një veprimtar shumë i mirë i shoqatës “Stebleva” dhe punon për mbarëvajtjen e saj. Djali i tij Egoni është një operator dhe kameraman shumë i mirë, punon në televizionin kombëtar “Klan” dhe vazhdon rrugën e të atit. Vajza është diplomuar jashtë shtetit, ndërsa e shoqja Meri, folësja dhe gazetarja e njohur e Televizionit Shqiptar e nxit dhe e përkrah atë vazhdimisht në rrugën e krijimtarisë artistike. Pa dyshim, pa e tepruar do të thonim se Esat Musliu është një vlerë kombëtare, është krenaria e Steblevës, Dibrës dhe Shqipërisë.