Një kolegu im me të cilin takohesha shpesh më qante hall. Gruan e kam të sëmurë,gjithë ditën ankohet…! Është bërë dy herë operacion. Gjithashtu vuan nga dy- tre sëmundje. Dy fëmijët i kam jashtë. Nuk më vjen dorësh për asgjë. Këto m’i përsëriste shpesh sa ishte bërë i bezdisur. Por një ditë më njoftuan se miku im kishte ndërruar jetë. Më erdhi keq, mbase nuk ankohej shumë , duket nuk i linte “radhë” gruaja! I vajta në shtëpi. Ngushëllova fëmijët që i kishin ardhur nga jashtë dhe gruan, të cilës i thashë: “ Të rroni vetë. Të ka dashur shumë e kishte shumë merak për ty ! “Kështu qenka kjo punë më tha, ne ankohemi , por burrat vdesin ! M’u kujtuan shqetësimet që m’i përsëriste shpesh, por tani është ai në botën tjetër”. U bëra kurioz pse ndodh kështu? Lexova, pyeta burra dhe gra! Mendime nga më të ndryshmet më dhanë, shpesh kontradiktore. Shumë diskutohet në ambientet familjare e shoqërore. Shumë mendime jepen për këtë fenomen ! Ekzistojnë dallime midis burrave dhe grave në arritje, qëndrime sociale, politike, intelektuale, kulturore, shkencore ose ekonomike. Në ditët e sotme rrethanat dhe gjendja ekonomike, e detyrojnë gruan jo rrallë herë të dalë e të punojë, për siguruar jetesën. Për rrjedhojë prishet dhe harmonia në marrëdhëniet mes tyre dhe lind pyetja se mbi kë bie faji?
1-Sistemi imunitar femëror është më rezistent se ai i burrave.
Kjo është kryesisht për shkak të estrogjenit të hormoneve seksuale femërore, i cili stimulon sistemin e imunitetit dhe kështu lufton patogjenët më shpejt dhe në mënyrë më agresive. Arsyeja është se “disa gene që lidhen me imunitetin, janë të koduara në kromozomin X .Gratë kanë dy kromozome X , kurse burrat kanë vetëm një. Thonë se kjo është për shkak të dietave, aktiviteteve fizike ose çështjeve gjenetike. Të tjerët arsyetojnë se janë hormonet mashkullore ato që shkurtojnë jetëgjatësinë. “Hormonet seksuale, stili i jetës dhe punët më të rënda bëjnë që seksi i fortë të jetë edhe më vunerabël ndaj sëmundjeve. Keni parë kudo nëpër botë punët më të rënda fizike i bëjnë burrat? Keni parë ndonjë grua minatore ,ndërtuese, mekanike…? Jo! Normal që do rrojnë më gjatë. Dhe kur gatuajnë, nuk rrinë pa ngrënë, duke e provuar e shijuar e ulen në tavolinë gjysmë të ngrëna. Vajzat janë më të forta derisa janë në barkun e nënës. Djemtë në barkun e nënës zhvillohen më me ngadalë se sa vajzat, që do të thotë se ata kanë më shumë të ngjarë të vdesin nëse lindin para kohe për shkak të moszhvillimit të mushkërive ose të trurit. Femrat rrezikojnë më pak se sa meshkujt. Sëmundjet e zemrës janë shkaqet kryesore të vdekjes tek burrat por burrat preken dhe më shumë dhe ka të ngjarë të vdesin nga kjo, edhe në të tridhjetat dhe të dyzetat e tyre. Tek gratë mesatarisht zhvillohen sëmundjet e zemrës 10 vjet më vonë se tek meshkujt. Ato janë të mbrojtura prej tyre deri në menopauzë, pasi trupat e tyre deri atëherë prodhojnë shumë estrogjen, i cili i mban arteriet e forta dhe fleksibile. Femrat kanë marrëdhënie të mira shoqërore. Njerëzit me lidhje të forta sociale kanë 50 % më pak gjasa të vdesin para kohe se sa ata me pak kontakte sociale. Shumica e burrave e mbajnë stresin dhe shqetësimet e tyre në vetvete, ndërsa gratë shprehen me të tjerët. Femrat më tepër kujdesen për shëndetin e tyre, e kanë merak dhe për diçka të thjeshtë. Femrat, 24% më shumë vizitojnë mjekun. Meshkujt zakonisht mohojnë se ata janë të sëmurë duke zvogëluar simptomat e tyre, sepse ata nuk duan të shkojnë te mjeku dhe të zbulojnë se diçka kanë. Po ashtu femrat nuk kanë aq sëmundje të zemrës sa kanë meshkujt. Edhe më gjatë do të kishin jetuar femrat në Shqipëri nëse 3 në 10 femra nuk do të pinin duhan. Tek ne gratë jetojnë 4.4 vite më shumë se burrat .Kudo në botë femrat jetojnë më gjatë. Fjala vjen, në Francë, raporti i jetëgjatësisë meshkuj- femra është 75 vjeç me 83 për femrat. Në Gjermani 74, me 81. Në Britani75 me 80 e kështu kudo.Vendi me jetëgjatësinë më të madhe të popullatës është Japonia, ku mesatarja për meshkuj është 76 vjet, ndërsa për femra 82. Njeriu më i vjetër në botë ishte grua. Ajo vdiq në moshën 117 vjeç në Japoni. Në botën e industrializuar, femrat jetojnë 5 deri në 10 vite më shumë se sa meshkujt. Ndër njerëzit që i kanë kaluar 100 vjeç, 85 % janë femra.
2-Burrat jetojnë më pak!
Për ato që trajtuam më lart, por dhe për stilin i jetës. Meshkujt pijnë më shumë e vdesin më shumë nga sëmundjet që janë të lidhur me pirjen e duhanit . Tek ne, 4 në 10 burra pijnë duhan. Cigaret janë armiqtë e meshkujve evropianë. Këtë të dhënë e ka përcjellë O.B.SH sipas të cilës duhani është arsyeja kryesore për të cilën burrat në kontinentin e vjetër vdesin mesatarisht më përpara se femrat. Sëmundjet e lidhura me duhanin të gjitha bashkë janë shkak në më shumë se 60%, për diferencimin gjinor për sa i takon shëndetit në pjesën më të madhe të shteteve evropiane. Meshkujt pijnë më shumë pije alkoolike, por dhe drogë që janë me sjellje me agresive veçanërisht kur vozitin, kështu që kanë më shumë gjasa që të vdesin më shpejt. Në luftë e aksidente meshkujt e pësojnë më tepër. Koha për të rinjtë duket sikur fluturon, por kur i ke kaluar të 60-at gjykon se nëse do t’i kishin kushtuar vetëm një orë nga dita aktivitetit fizik, do të ndiheshin më mirë. E në të vërtetë sipas mjekeve duke ushtruar aktivitete fizike do të uleshin rastet e shfaqjeve të problemeve kardiake, ngrirjes se muskujve apo thyerjes së kockave. Po ashtu ushtrimet e tendosjes reduktojnë artritet dhe ndikojnë në fleksibilitetin e muskujve. Një pjesë tjetër ku shohim shkallë më të lartë vdekshmërie tek meshkujt është se ata vuajnë nga depresioni, sidomos tek meshkujt e vjetër. Shpesh femrat stresin e tyre ia kalojnë meshkujve, kurse ata e mbajnë duke dëmtuar më tepër veten. Nëse meshkujt tentojnë të vetëvriten, femrat ia dalin me sukses. Në përgjithësi, rreth 70 % e faktorëve që përcaktojnë jetëgjatësinë janë faktorë mjedisorë që varen nga sjellja dhe mënyra e jetesës. Ka gjasa që vetëm 30 % të përcaktohet nga genet. Dhe ky është lajm shumë i mirë. Ka tre gjëra që meshkujt i bëjnë më keq se femrat. Ato pijnë më shumë duhan e pije alkoolike. Ato hanë me shumë ushqime që shkaktojnë rritjen e kolesterolit. Dhe e treta nuk ia dalin mbanë me stresin. Po t’i referohesh të dhënave të OBSH-së jetëgjatësia e shqiptarëve nuk mund të konsiderohet si shumë e lartë. Treguesit shëndetësorë në Shqipëri janë shumë të ulët. Kështu, ne jemi ndër vendet e fundit në botë për numrin e mjekëve dhe infermierëve për frymë. Kemi shifra të larta në krahasim me rajonin për sa i përket kequshqyerjes së fëmijëve. 6.7 % e moshës nën 5 vjeç janë nën peshë. Ta mbyllim atje ku e nisëm. Shpesh e shoh gruan e mikut tim të ndjerë. Ajo del shpesh me shoqet. Shumicat nga ato nuk i kanë burra. Të gjitha të shëndosha më shumë se sa kur burrat ishin gjallë. Ndoshta janë të shqetësuara shpirtërisht, por të lehtësuara fizikisht! Mos vallë janë të “përkëdhelura” dhe burrat i kanë dhënë ditë nga jeta e tyre? Këtë nuk jam në gjendje ta shpjegoj! Ajo më përshëndet me respekt, kurse unë kujtoj shokun tim! E kujtoj se kishte “frikë” mos gruaja do t’i “vdiste” dhe ai nuk do të mund të bënte dot pa të! Shpesh janë burrat që shkojnë në botën e përtejmë para grave. Shkojnë ata, për të gjitha ato që trajtuam më lart. Megjithatë, kush do iki i pari në botën tjetër ,ia lëmë Zotit. Dallimet burrë grua janë gjinore e jo hyjnore. Ne ankohemi e grindemi kot…. !