Zgjodha ”Myslym Shyrin” për të bërë ecjen e mëngjesit, si për të vërtetuar se rikonstruksioni i rrugës nuk ishte një premtim fushate, por një objektiv i kryebashkiakut Veliaj, i bërë realitet. Hapat e mi morën një në vend numëro, nga ca zëra të cilët i ishin bërë rrodhe trotuarit, nga se nuk dinin të frenonin.
-Ku ka flakë e ku del tym….
-Ku ja bën daullja gjym…
-Parlamenti, e ku tjetër!? pyeti apo dëshmoi i treti nga treshja e burrave të mprehur në debat…
-Ka dhe dasmë ”Shkallnuri”. Po ore, po. Festuam 28 Nëntorin në fshatin ”Shkallnur”, me shoqatën Vatra. Të kishte lezet shpirti. Shqiptarë nga; Maqedonia, Kosova, diaspora e ndezë lokalin me këngë e valle të traditës e moderne, duke u hedhur e përdredhur me flamurë kuq e zi. Apo s’ishte kryetari Selami Toska, një burrë zotni. Kishte punuar inxhinier miniere burri i botës në Trepçe, i kishte djegur kurrizi dhe tani mblidhte shqiptarinë, për t’i bashkuar shpirtrat sepse i dhimbset Shqipëria. S’ishin daulle parlamenti të cilat ka dy muaj, na kanë zënë veshët dhe vrarë sytë me shtëllungat e tymit që mbushin sallën. S’kanë ç’i bëjnë SPAK-ut, luajnë me rezen e derës së parlamentit. Dhe ç’loje se !? Ligjvënësi ngrihet kundër ligjeve që ka hartuar vetë. Lëpin atë që ka pështyrë. Kështu i bie të jetë mosbindja civile. Ta bëjë populli epo hajde thua se e kanë shkelur në kallo, por deputeti i thirrur nën hetim, përpiqet të mbulojë diellin me shoshë. Foli një vajzë nga Kaçaniku aty. Më zgjoi ”Norën e Kelmendit” për nga pathosi i fjalës apo bukurinë që rrezatonte.
-Pazar prishte dhe vajza e kryetarit në Kuvendin e rithemelimit…
-Për të ardhur keq. E bija e të atit. Të ngrihemi thotë të përmbysim regjimin, për fëmijët tanë që kanë mbetur, pa shtëpi e katandi e kanë marrë çairet e botës. Ka b…. ku të qëndrojë!? Qahet ajo që mbretëron në vila si këtu, po shkon u ble dhe gjermanirave, fëmijëve. Ore! Si shahet fjala të jatit, kur mbyt ekranet; Jam… o budallenj !? I zuri goja lesh për ”bijtë e etërve ”. Tani që u mbush mirë e mirë me pasuri, na doli ”bija e të jatit ” e cila kuvendon se; do na shpëtojë nga e keqja e madhe…Nuk di ngaj nganë zërat,dhe unë mbeta me fillin e mendimeve të hedhura në rrugë, si mundësi e dhënë nga demokracia, për të ushtruar të drejtën e lirisë së fjalës, pasuri të vetme që s’ka gjykatë t’ja sekuestrojë popullit me duar në xhepa. Mirë që janë mjediset publike, ku njerëzit çlirojnë dertet e tyre, se po të ndjekësh sallat e parlamentit dhe ekranet duhet të zësh kokën me dorë, për ç’ka sheh e dëgjon. S’di si u rrokullis koha, kur ekrani i mbrëmjes ngado që të shkelje pultin, nuk të ndahej kuvendi i rithemelimit. Paneleve ne Euro Neës, Neës 24, Topi, si të mos mjaftonte fjala e të ftuarve për risitë e Kuvendit, por shfaqte dhe sekuenca filmike nga ”Pallati i Kongreseve”… Mbeta i fiksuar pas sekuencës, ku lideri i rithemelimit e shfaqur në holl, trupi i mbuluar nga mikrofonat e gazetarëve kishte nxjerrë vetëm kokën e cila seç më solli bustin, kur dikur qëndronte diktatori, i cili edhe ashtu në allçi tundte pallatin, por ja që kordat ia preu demokracia. Një mikrofon u ndeh edhe më nga rithemeluesi, për t’i kërkuar të përfundonte fjalën sepse hapa më tej, priste e bija për të hedhur një grusht me miza, a thua se s’i kishte mjaftuar foltorja. E qeshura e endur nëpër fytyrën e rithemeluesit, nuk ndenji pa nxjerrë lokacionin emëror ; ”Puç, shtetëror brenda shtetit”. Mikrofonat e tronditur shpejtuan të kapnin zërin e të bijës mos ndryshonte në të folur. S’arritën të drejtonin pyetjen se, pse kishte zgjedhur tani të merrej me politikë ! Përgjigja doli nga xhepi ; E keqja që ka kapur vendin nga pushteti i korruptuar më thirri që të ngrihemi një zëri për ta shpëtuar Shqipërinë ”. Ç’patriote !? Kërkon të na kthejë në koka turku, për t’i shpëtuar hetimit të SPAK-ut, familja e vet. Jo se ta marrësh hollë-hollë i gjithë kuvendi, si lajtmotiv kishte konservatorizmin. Tani rithemeluesit kanë një ideologji të vetën ; Familjen e trashëgiminë. Jo familjen tradicionale shqiptare që ngrihej mbi moralin e shëndoshë shoqëror, por atë që ngrihej mbi amoralitetin politik. Se kishte keq, që nga ekrani nënkryetari i rithemelimit, teksa debatonte me gazetarët daljen për herë të parë në foltoren e kuvendit e ”bijës së të atit ” e quante si një të drejtë legjitime edhe për të mbrojtur bashkëshortin të” burgosur politik”. Kërkojnë dhe statusin e të ”burgosurit politik”, mendjet e hurit e të litarit. Ndaj e kanë kthyer në flak e tym parlamentin, për t’i bërë mjegull drejtësisë, ashtu si në 32 vjet, por ja që tani e kanë në dorë të tjerët. S’flasin kot për të mbrojtur trashëgiminë rithemeluesit. E kanë syrin e hapur nga vitet 2014, kur etrit e tyre s’po pyesnin për fatet e Shqipërisë, por në ”Konferencën e Parisit” shkuan pesë delegacione secili në mendjen e vet, për të mbrojtur vallaha integritetin territorial dhe morrën një Shqipëri të copëtuar në pesë shtet fqinj se, s’kishte burrë nëne që i bashkonte në një mëndje princat shqiptarë. Plaku i Vlorës” që përpiqej të gjente gjuhën e mirëkuptimit në analet e diplomacisë botërore, i lënë jashtë konferencës, u gjend i helmuar në hotelin italian. Është në vazhdën e ruajtjes së kësaj trashëgimie përçarëse, ndaj dhe e djathta është ndarë në tre grupe. Ndoshta në vazhdën e kësaj trashëgimie janë dhe qëndrimet ndaj ”çështjes Bejleri” duke i quajtur politike, në vend që t’ia lerë të gjykojë drejtësia, shpejtojnë për përfitime e ditës, si dikur etrit e tyre, pa pyetur për fatet e kombit. Por Ismail Qemali i ditëve të sotme, ka mbështetje të popullit dhe ndërkombëtarëve ndaj mbetët pas mos bindjes civile në sallën e parlamentit sepse popullin nuk e gjeni me ato mendje, sa t’i bashkohet shesheve për të mbrojtur pasuritë që i kini grabitur përmes firmave piramidale apo VKM, ku e nxorët në ankand vendin me; Shqipëria një euro dhe fajësoni Bolinot për 500o mijë metro katrore të RTV, kur gjithçka është mbështetur në ligj sipas pronarit Bolino. Çifligarët e rinj që flasin për të mbrojtur kushtetutën, po i dridhen këmbët nga kushtetuta, e cila nuk mund të lejojë më të shkelet me dy këmbë, sepse sado të përpiqi të sulmoni drejtësinë tani ajo është në dorë të tjetër kujt, edhe pse çjerrjet tuaja nuk rreshtin së thëni për kapje politike. S’ishte rastësi të dëgjoje kryetarin e rinisë nga foltorja e kuvendit të rithemelimit, të shprehej se ata e bëjnë edhe pa ndërkombëtarët, sepse e shohin se fatet e demokracisë janë marrë në dorë edhe nga mbështetësit e përjetshëm të kombit shqiptar SHBA-ve, Be -ja, të cilët përmes SPAK-ut do t’i tregojnë vendin korrupsionit të çdo ngjyre që ka kapur për fytin shoqërinë. Pastaj të shohim se si do t’i shkojë filli i këngës parlamentare ; ku ka flakë e ku del tym, ku ia bën daullja gjym…