Kuvendi u mblodh më 2 mars 1444 në qytetin e Lezhës që ishte nën sundimin e Venedikut. Thirrja e kuvendit në qytetin e Lezhës kishte për qëllim të evitonte çdo keqkuptim midis pjesëmarrësve, lidhur me respektimin e ndereve fuadale. Nga ana tjetër siguronte përkrahjen ose të paktën neutraliteti e Venedikut në luftën e madhe shqiptaro-osmane. Për këtë qëllim u ftua të merrte pjesë në punimet e kunvendit Republika e Venedikut dhe ajo e Raguzës. Kuvendi i Lezhës mblidhej mbi bazën e traditëve më të hershme shqiptare, për t’i trajtuar problemet e rëndësishme në kuvende të përbashkëta. Kuvendi i mbledhur dhe i organizuar nga Skënderbeu, shënonte zhvillim të mëtejshëm të traditave, sepse ishte një kuvend në shkallë kombëtare. Në punimet e Kuvendit të Lezhës morën pjesë përfaqësuesit e familjeve më të fuqishme fisnike feudale shqiptare. Sundimtarë të principatave feudale ishin të pranishëm në kuvend, të shoqëruar nga djemtë ose nga nipërit e tyre. Në të morën pjesë dhe feudalë më të vegjël si dhe krerë të tjerë, të cilët përfaqësonin fshatarësinë e lirë të malësive të Shqipërisë. Bashkëkohësi dhe historiani i Skënderbeut, humanisti shqiptar Marin Barleti, në veprën “Historia e Skënderbeut” na përshkruan emrat e sundimtarëve shqiptarë që morën pjesë në punimet e kuvendit.
Midis tyre ishte nismëtari dhe organizuesi i kuvendit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si përfaqësues i principatës së Kastriotëve, Gjergj Araniti, Andrea Topia me dy djemtë, Komini dhe Muzaka me të nipin Tanush Topia, Gjergj Stres Balsha, Tedor Korona Muzaka me të tjerë nga familja e Muzakajve, Pal dhe Nikollë Dukagjini, Lekë Zaharia, Pjetër Spani me katër djemtë, Lekë Dushmani së bashku me disa feudalë më të vegjël pranë principatës së tij, etj. Pjesëmarrësit në kuvend u mblodhën nga trevat ku flitej gjuha shqipe. Përjashtim bënte vetëm Stefan Cernojeviçi, sundimtar i Zetës (Malit të Zi), që kishte zotërimet e veta pranë liqenit të Shkodrës me një popullsi të madhe shqiptare, por dhe lidhje familjare me Skënderbeun, se ishte martuar me njerën nga motrat e tij. Në Kuvendin e Lezhës mori pjesë dhe përfaqësuesi i Venedikut me cilësinë e vëzhguesit. Republika e Raguzës refuzoi të merrte pjesë për të mos ndërlikuar marrëdhëniet e saj me Sulltanin e Perandorisë Osmane. Kuvendi i Lezhës mbas diskutimeve të shumta, mori vendime të rëndësishme, të cilat përcaktuan natyrën politike të këtij kuvendi. Me gjithë divergjencat e diktuara nga ineresat e ngushta, feudalët e mbledhur në kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman.
Bashkimi i forcave politike
Ideja e bashkimit të gjitha forcave politike, ushtarake dhe ekonomike të vendit në një front të përbashkët u konkretizua në mjaft vendime të tij. Më i rëndësishmi midis tyre ishte vendimi për krijimin e një besëlidhjeje të feudalëve shqiptarë, e që mori emrin “Lidhja e princave shqiptarë” (Lidhja e Lezhës). Skënderbeut si organizator dhe udhëheqës i kryengritjes çlirimtare kundër regjimit të timareve, si dhe për shkak të pozitës së rëndësishme që kishte principata e Kastriotëve u zgjodh njëzëri kryetar i saj. Barleti na jep informacion të pasur mbi Kuvendin e Lezhës dhe vendimet e tij. Ai thotë se Skënderbeu “vendosi para së gjithash, se duhej hyrë në aleancën dhe në një farë besëlidhjeje të përhershme me princërit dhe sundimtarët fqinj…”. Dhe mandej, pasi përshkruan zhvillimin e punimeve të këtij kuvendi, thekson se të gjithë “… pasi ia kaluan gati si me dorë pushtetin, popujt, ushtritë, dhe pasi i besuan drejtimin suprem të të gjithë gjendjes dhe kujdesin e luftës, e zgjodhën kryetar dhe kapedan të tyre të vetëm”. Skënderbeu, megjithëse kryetar dhe Komandant i Përgjithshëm, ishte në këtë kohë një “i parë midis të barabartëve”. Sidoqoftë, caktimi i një udhëheqësi të vetëm politik e ushtarak kishte një rëndësi të madhe dhe ishte një hap përpara në kapërcimin e përçarjes feudale. Të dhënat që na sjell Barleti konfirmohen dhe plotësohen me kujtimet e bujarit shqiptar Gjon Muzaka, bashkëkohës i Skënderbeut nga familja e Muzakajve. Ai shkruan: “pastaj këta sundimtarët e Shqipërisë u mblodhën në Kuvend në Lezhë. Dikush shko vet, dikush çoi mëkëmbës.
Kështu që Skënderbeu i lartpërmendur u bë kryeprijës në Shqipëri, dhe secili dërgonte njerëz dhe të holla sipas sasisë që i takonte. Po kështu edhe disa bij të atyre sundimtarëve luftonin nën drejtimin e tij, edhe për të mësuar mjeshtërinë e luftës, edhe për të mbrojtur shtetet e veta. Duke qenë ai zotëri fort i rrahur në luftë dhe fatos, u zgjodh kryepris e secili i bindej”. Pjesëmarrja në lidhje për çdo feudal garantonte të drejtën e mbrojtjes nga pushtuesi si dhe detyrimin për të kontribuar në krijimin e ushtrisë dhe të mjeteve financiare të përbashkëta. Me këto detyrime lidhen dy vendime të rëndësishme të Kuvendit të Lezhës: vendimi për krijimin e një ushtrie të “Lidhjes së princave shqiptarë” si dhe sigurimin e mjeteve financiare për shpenzimet e luftës me forca të përbashkëta.
Kuvendi i Lezhës vendosi të krijohej një ushtri shqiptare, e cila do të rekrutohej nga Skënderbeu në principatën e Kastriotëve si dhe nga feudalë t e tjerë në zotërimet e tyre. Secili anëtar i lidhjes përcaktoi vullnetarisht numrin e ushtarëve me të cilët do të kontribuonte në krijimin e ushtrisë së përbashkët. Skënderbeu u zgjodh komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Lidhjes, kurse komandantët e reparteve do të emëroheshin nga vetë bujarët. Për të përballuar shpenzimet e luftës, Kuvendi i Lezhës vendosi krijimin e një fondi të posaçëm në të holla, i cili do të sigurohej pjesërisht me kontributin e feudalëve shqiptarë dhe pjesërisht nga të ardhurat e kriporeve të Shën Kollit në veri të Durrësit, të cilat u përkisnin Kastriotëve. Mjetet financiare, si dhe ushtria do të administroheshin nga Skënderbeu, i cili jepte për çështjen e luftës çlirimtare kontributin kryesor midis bujarëve të tjerë në ushtarë dhe të holla. Skënderbeu u ngarkua nga Kuvendi i Lezhës me detyra të shumta drejtuese dhe komanduese. Në këtë m,ënyrë ai merrte përgjegjësinë kryesore për zhvillimin e luftës.
Krijimi i shtetit
Në procesin e luftës së madhe shqiptaro-osmane, gjatë së cilës u realizua krijimi i shtetit. Ky shtet përfshinte një pjesë të mirë të territorit shqiptar. “Lidhja e princave shqiptarë” dhe organet që dolën nga Kuvendi i Lezhës pësuan ndryshime të rëndësishme, të cilat çuan në ndryshimin e natyrës së tyre politiko-ushtarake. Me krijimin e Lidhjes së Lezhës ishte bërë hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në rrugën e bashkimit. Në vitet e para të luftës ajo i dha një mbështetje të mirë Skënderbeut në përballimin e pushtimit osman dhe të politikës armiqësore të Venedikut. Me kalimin e viteve, në vetë gjirin e Lidhjes filluan të vepronin forca të tjera që e dobësonin unitetin e saj. Lidhja e Lezhës, u krijua si një aleancë politiko-ushtarake e bujarëve shqiptarë në luftën e përbashkët kundër pushtimit osman, ngrihej mbi bazën e copëtimit feudal që nënkuptonte respektimin e sovranitetit dhe të privilegjeve të bujarëve të veçantë. Ushtria shqiptare, e krijuar për nevojat e mbrojtjes së vendit, si në zotërimet e Kastriotëve, ashtu edhe të bujarëve të tjerë, ishte një mjet i fuqishëm dhe efektiv kundër partikularizmit feudal. Në zbatim të politikës së tij, Skënderbeu u mbështet sidomos te feudalët e vegjël, të cilët shërbenin si komandantë ushtrie dhe funksionarë politikë në shtetin e tij. Ata shihnin tek forcimi i pushteti qendror një mbrojtje efektive jo vetëm ndaj rrebeshit osman, por edhe ndaj kërcënimit të përhershëm të feudalëve më të fuqishëm. Për të lidhur sa më tepër klasën sunduese me luftën çlirimtare të popullit shqiptar, Skënderbeu, në emër të pushteti qendror, ndoqi politikën e shpërndarjes së pronimeve në dobi të bujarëve që kishte në shërbim ose pakësimin e tributeve që paguanin për shtetin. Përcaktoi kushtin që të merrnin pjesë personalisht në luftë, së bashku me një numër të caktuar ushtarësh.
Të tilla pronie dhe bashtina ai i dha psh Vrana Kontit, Hamza Kastriotit, Moisi Golemit dhe bujarëve të tjerë. M. Barleti vëren këtë akt politik të Skënderbeut dhe e pasqyron në faqet e veprës së tij. Ai shkruan: “Nuk duhet të çuditet kush këtu për një ngritje aq të menjëherëshme dhe për shpejtësinë gati të pabesueshme të tanëve lidhur me mbledhjen e ushtarëve, sepse Skënderbeu, qoftë me dëshirë të vet… qoftë si shpërblim trimërie, u kishte falur disave prej parisë së vet një pjesë të madhe të taksave, sidomos pronave me kushtin që, kur të dilte nevoja për luftë, të ishin të detyruar në bazë të urdhërit të tij, të jepnin ndihma me ushtarë, secili sipas shkallës dhe të merrnin edhe vetë pjesë për gjithçka duhej bërë”. Faktor me rëndësi në forcimin e pushtetit ishte prestigji dhe autoriteti i Skënderbeut në radhët e masave popullore dhe të vet bujarëve aleatë.
Këtë Skënderbeu e përdori për rritjen e autoritetit të vetë organeve qendrore dhe të komandës së ushtrisë. Duhet shtuar dhe lidhjet e shumta martesore midis feudalëve më të fuqishëm të vendit dhe Kastriotëve, që kishin filluar qysh në kohën e Gjon Kastriotit dhe të vazhduara nga Skënderbeu për të siguruar një bashkim sa më të ngushtë të klasës feudale shqiptare. Skënderbeu, për hir të interesave të larta të mbrojtjes së vendit, si përfaqësuesi i pushtetit qendror, filloi të shkelte sovranitetin e feudalëve të veçantë brenda principatave të tyre, duke i lënë atje jo si zotër të pavarur, por si qeveritarë të nënshtruar që vareshin drejpërsëdrejti prej tij në kështjellat e tyre dhe shkelte kufijtë e zotërimeve të tyre gjatë veprimeve luftarake. Nevoja për të plotësuar radhët e ushtrisë me luftëtarë të rinj e detyronte të mobilizonte ushtarë me iniciativën e vet dhe në zotërimet e feudalëve të tjerë, etj. Këto veprime ishin, jo vetëm shkelje e sovranitetit të bujarëve aleatë, por edhe ushtrim i atributeve të pushtetit në territore që nuk i përkisnin principatës së Kastriotëve. Në këtë mënyrë, pushteti i feudalëve të veçantë filloi gradualisht të mënjanohej e të dobësohej, krahas me forcimin e pushteti qendror të përfaqësuar nga Skënderbeu. Zotërimet e tyre filluan të shkriheshin me principatën e Kastriotëve.
Krijimi i shtetit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut ishte një fitore e madhe historike e popullit shqiptar dhe përfundimi i atij procesi të ligjshëm për krijimin e formacioneve shtetërore të pavarura në mesjetë. Bashkimi i popullit shqiptar në një shtet të vetëm nën udheheqjen e Skënderbeut ndihmoi në farkëtimin e unitetit politik të popullit onë në luftë kundër pushtuesve osman si dhe në konsolidimin e kombësisë shqiptare, mbi bazën e gjuhës, territorit dhe unitetit kulturor.